Lajmet e fundit
Fjala e kryeministrit Hashim Thaçi në shënim të 15-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
E Enjte, 07.03.2013
E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj Jahjaga,
I nderuar kryetari Parlamentit, z. Krasniqi,
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra,
Të nderuar deputetë
E nderuara familje Jashari
Të nderuara të gjitha familje të dëshmorëve të kombit
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Qytetarë të nderuar,
Kam nderin dhe privilegjin e veçantë që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës t'iu drejtohem me një fjalë rasti në përvjetorin e pesëmbëdhjetë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ky manifestim me të drejtë e mban emrin Epope, sepse shënon sakrificën supreme të Jasharëve, që sublimuan vetëdijen politike dhe shpirtin liridashës të të gjitha kohëve për Kosovën e lirë, të pavarur dhe moderne.
Tri ditët e Epopesë sintetizuan rrugën e gjatë historike të qëndresës dhe të luftërave të drejta të brezave për çlirimin e Kosovës nga okupimi shekullor.
Gjatë tri ditëve të Epopesë së UÇK-së u sfidua historia dymijë vjeçare e civilizimit shqiptar. U krijua Epopeja e Lirisë.
Në themele të saj ishte familja Jashari, komandanti Adem Jashari, komandant Hamza, gratë, djemtë, fëmijët, një lagje e tërë.
Historia e Kosovë po përballej me makinën shekullore të sundimit të Kosovës. Dëshmoret e lirisë u flijuan për ëndrrën e të gjithë brezave, çlirimin e Kosovës.
Rënia e Jasharëve në krye me komandantin legjendar Adem Jashari, hapi kapitullin më të madh të zgjerimit dhe rritjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ushtria Çlirimtare Kosovës, me një bazë të gjerë popullore, ishte niveli më i lartë i organizimit politiko - ushtarak që kishte prodhuar ndonjëherë lëvizja atdhetare e Kosovës.
Shumë shpejt UÇK-ja do të bëhej projekti më serioz që artikuloi kërkesat politike dhe interesat strategjike të Kosovës në periudhën 1992 - 1999.
Mbi parimin e luftës së drejtë dhe çlirimtare, me vizionin perëndimor, me objektivat e qarta, UÇK-ja arriti përkrahjen e faktorit ndërkombëtar, duke u bërë zëri kryesor dhe udhëheqës në Konferencën Ndërkombëtare të Rambujesë.
Në Rambuje Kosova për herë të parë dhe përfundimisht, arriti marrëveshjen e partneritetit të plotë politik dhe ushtarak me botën perëndimore.
UÇK-ja dhe rezistenca gjithë qytetare e Kosovës, padëgjueshmëria politike e tyre ndaj serbisë, rezistenca 1998-1999, bëri që të jemi të gjithë të bashkuar në Rambuje dhe të fitojmë.
Rambujeja solli bombardimet e NATO-s dhe çlirimin definitiv të Kosovës.
As makineria e rëndë serbe, as doktrinat e tejkaluara ushtarake, as terrori dhe spastrimi etnik nuk e mposhtën qytetarin liridashës të Kosovës.
Prandaj, sot me krenarinë më të madhe, themi me plotë të drejtë se çdo qytetar duhet të ndihet mirë dhe krenar me çlirimin e Kosovës, duhet të ndihet mirë dhe krenar me kontributin e tij për lirinë e Kosovës.
Shteti i Kosovës këtë sakrificë do ta nderoj gjithmonë dhe do ta nderon sakrificën e çdo shqiptari kudo që jeton.
Do ta nderon edhe sakrificën e çdo qytetari të Kosovës që jeton në diasporë, që ndau edhe kafshatën e gojës për lirinë dhe çlirimin e Kosovës.
Çlirimtarë janë të gjithë qytetarët e Kosovës, janë të gjithë shqiptarë.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk u mposht, sepse ajo armë kryesore kishte shprehjen e vullnetit të qytetarëve të Kosovës, krijimin e aleancës politike properëndimore, depërtimin e së vërtetës në opinionin publik ndërkombëtar.
Në radhët e saj do të angazhoheshin me vullnet dhe përkushtim të jashtëzakonshëm bijë dhe bija të këtij vendi, që kishin pritur me vite për t'u rreshtuar në radhët e një ushtrie autoktone, të dalë nga gjiri i popullit.
Në radhët e saj do të vinin djem dhe vajza nga diaspora dhe nga të gjithë trevat shqiptare. Në shërbim të luftës së drejtë do të shkrihet pasuria, mundi, djersa dhe gjaku.
Në periudhën 1990 - 1999, rezistenca politike dhe ushtarake e qytetarëve të Kosovës, padugjshmëria e plotë e qytetarëve ndaj Serbisë, angazhimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i dhuroi lirisë së vendit tonë gjakun e rreth dymijë pjesëtarëve të saj.
Zonja dhe zotërinj,
UÇK-ja krijoi parakushtet për ta vënë në lëvizje mekanizmin më të fuqishëm ushtarak botëror, Aleancën Veriatlantike, NATO-n.
Me të drejtë lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka hyrë në analet historisë si lëvizja çlirimtare më e suksesshme e shekullit njëzetë.
Kjo duhet të na bëjë krenarë të gjithëve, pa dallim.
Zonja dhe zotërinj,
Epopeja e Lirisë nuk mund të mendohet pa Epopenë e UÇK-së, pa sakrificën, pa gjakun dhe sakrificën e gjithë dëshmorëve të lirisë.
Prandaj, sot, me respekt të lartë shtetëror dhe krenari qytetare përulemi para guximit të dëshmorëve të lirisë, para veteranëve, para invalidëve, para familjeve të dëshmorëve dhe sakrificës së çdo qytetari të Republikës së Kosovës.
Përulemi para të gjithë atyre që u flijuan heroikisht për lirinë e Kosovës. Liria e Kosovës i ka rrënjët në rënien e tyre. Liria e Kosovës ka në themel rënien e komandantëve :Zahir Pajaziti, Luan dhe Shkelzen Haradinaj, Bekim Berisha, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Ilaz Kodrës, Mujë Krasniqi, Ahmet Kaçiku, Sali Çeku, Remzi Ademi, Agim Ramadanit dhe shumë komandantëve, ushtarëve dhe drejtuesve tjerë të luftës.
Pra, UÇK-ja vërtetë u bë legjendë. Sakrifica e qytetarëve të Kosovës është legjendare.
Zonja dhe zotërinj,
15 vjet pas Epopesë, Kosova është tregim i shtetndërtimit të suksesshëm. Sepse si politikë e Kosovës, në takimet në Vjenë, përsëri ndërtuam partneritetin e ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare, SHBA-të, BE-në dhe NATO.
Dhe ne, të zgjedhurit e popullit të Kosovës, më 17 shkurt 2008, shpallëm Kosovën të pavarur dhe sovrane.
Kosova ka kaluar me sukses fazën e tranzicionit, duke dëshmuar kulturë demokratike, politikë paqësore dhe kultivim të vlerave euro-perëndimore. Shteti i Kosovës njihet ndërkombëtarisht nga afër 100 shtete.
Shteti ynë po forcohet dhe po konsolidohet. Ne, para pak muajsh, me një vlerësim të lartë ndërkombëtarë, përmbyllëm edhe procesin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.
Prandaj, dua t'iu falënderoj edhe njëherë të gjithëve për këtë punë të përbashkët, unike gjithë spektrit politik të Kosovës, të shtetit të Kosovës dhe vullnetit të qytetarëve të vendit.
15 vjet pas Epopesë së UÇK-së, Kosova është duke vazhduar përpjekjet për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë, ngritjen e infrastrukturës moderne, reformimin e edukimit dhe ngritjen e kapaciteteve për të qenë vend konkurrent në rajon dhe botë.
Kosova do të vazhdojë me vendosmëri të jetë e përgjegjshme në rrugën e saj euroatlantike, si shtet i gjithë qytetarëve të saj, në të cilin liria, barazia dhe sundimi ligjit janë parime themelore.
Kosova do të vazhdojë të jetë faktor stabiliteti, paqeje dhe shembull i fqinjësisë së mirë në rajon dhe më gjerë, duke justifikuar angazhimin e miqve dhe përkrahjen e tyre të vazhdueshme në drejtim të afirmimit të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare.
Janë ditët e Epopesë së UÇK-së , prandaj në emër të Qeverisë së Kosovës, qytetarëve të Kosovës, falënderojmë për mbështetjen e vazhdueshme të jashtëzakonshme, vendet e Bashkimit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n. I falënderojmë për mbështetjen edhe në këtë proces të ri të konsolidimit dhe shtetndërtimit të saj, të ndërtimit të fqinjësisë së mirë me të gjithë vendet e rajonit, dhe perspektivës së sigurt euroatlantike, të shtetit tonë të ri demokratik, shtetit tonë evropian, për t'u anëtarësuar sa më shpejt në NATO, Bashkimin Evropian dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Zonja dhe zotërinj,
Falënderuar përpjekjeve dhe idealeve të brezave të tërë, falënderuar heroizmit të ditëve Epopesë së UÇK-së, fundi i shekullit njëzet ishte fillim i lirisë së Kosovës.
Shekulli njëzet e një pa dyshim është shekull i Kosovës evropiane, i Kosovës së integruar në NATO, në Bashkimin Evropian si dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Lavdi epopesë së UÇK-së!
Lavdi dëshmorëve të kombit!