Lajmet e fundit

Fjala e kryetarit të Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi në shënim të 15-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

E Enjte, 07.03.2013




Çasti që na mblodhi sot në këtë seancë nderimi e përkujtimi i detyrohet një ngjarjeje, sigurisht një ngjarjeje të madhe që kur e kur u quajt betejë, kur e kur luftë, kur e kur epope. Në cilindo variant që ta marrim nuk mungojnë përcaktorët, Prekazi - Adem Jashari - Jasharët - Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Si kur themi Beteja e Prekazit, si kur themi Lufta e Prekazit, po ashtu edhe kur themi Epopeja e Prekazit, Epopeja e Adem Jasharit apo Epopeja e UÇK-së, në kujtesën tonë rikthehet pesë, gjashtë dhe shtatë marsi i vitit 1998 - hapja e faqes më të re të historisë, hapja e epokës së re që na e solli Pavarësinë, sovranitetin, demokracinë të formalizuar më 17 shkurt 2008.

Ato qenë tri ditë e tri net: Na i ka ra mjegulla Bunës, për tri ditë e për tri net. Kështu nis Legjenda e Rozafatit. E shihni se filli i legjendarizimit të ngjarjes nuk është trill i individëve, as glorifikim i shpifur i njerëzve mendjelehtë, po një ardhje përtej koincidence, drejtpërdrejt nga bota e legjendave. As më shumë e as më pak: tri ditë e tri net, Tymi i barotit e kishte mbuluar Prekazin, ankthi Drenicën e heshtja shqiptarët. Qellimi i tymit ishte përhapja e frikës, ndodhi e kunderta, shqiptarët përqafuan guximin për liri e pavarësi, bota demokratike na mbshteti në këtë rrugë. Të parës, flijimit për liri i përkulemi, të dytet (shtetet demokratike) i falenderojmë nga zemra.

Nga pozicioni i sotëm bëhet i pashmangshëm krahasimi, si pyetje dhe si dilemë, me pesëmbëdhjetë vjet më parë: Ku ishim e ku jemi? Si ishim e si jemi? Çka kemi realizuar dhe çka na mbetet të realizojmë nga ëndrrat idealiste për shtetin ligjor, të zhvilluar e të përparuar për çka vendi ynë afron shumë paradispozita, njerëzore e natyrore? A po i shfrytëzojmë më se miri ato?

E para, që dihej tashmë, fakti i robërimit të Kosovës ishte i njohur nga të gjitha shtresat shoqërore dhe nga pjesëtarët e çdo moshe. Kishte pothuajse një dekadë, nga e nëntëdhjeta e shekullit të kaluar, që nxënësit e studentët ishin përzënë nga bankat e shkollave të tyre e nga auditorët e fakulteteve; punëtorët qenë dëbuar nga puna në gjithë sektorët shoqërorë, shtetërorë e publikë; spitalet, administrata e ndërmarrjet prodhuese ishin vënë në administrim të dhunshëm; ishte suprimuar edhe ajo e ashtuquajtura autonomi; mediet elektronike dhe të shkruara në gjuhën shqipe qenë mbyllur. Të thuash, siç edhe ishte thënë atëherë, se kishim të bënim me segregacion, më është dukur atëherë e më duket edhe tani se s'ishte tjetër veçse një eufemizëm. Shenjat dhe parashenjat flasin ndryshe. Për atë ndryshe, kishte kohë që Lëvizja Kombëtare Çlirimtare kishte paralajmëruar për dekada. Kemi pritur shumë nga çlirimi dhe pavarësia. Çka kemi realizuar nga pritjet e mëdha? Një bilanc duhet ta bëjmë. Gjeneratat e reja, kryeshpresë të tyre duhet ta kenë Kosovën evropiane. Kjo varet nga ne, sa jemi mishruar me ato vlera që i ndoqëm gjatë gjithë historisë sonë për tua ushqyer shpresën dhe kthyer atë në besim?

Ju e dini se që nga tetëdhjetenjëta (81), djemtë shqiptarë ndiqeshin, burgoseshin e disa edhe ktheheshin nga armata serbe (e quajtur jugosllave) në arkivole të metalta të blombuara, me të vetmin kumt ogurzi: ka kryer vetëvrasje. Këto ishin paravane të pistës së dëbimit të shqiptarëve nga Kosova, tezë e përgatitur në institucione diabolike të mendjes si SANU (Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve). Dhe në vitet e '90 kishin arritur të largohen nga Kosova mbi 400.000 veta.

Më lejoni t'jua kujtoj mendjendriturin, Fan Nolit, i cili qysh në periudhën e ashtuquajtur të Reformës agrare dhe të rikolonizimit të Kosovës, ngrinte zërin e protestës tek shkruante, sipas kujtesës sime: Një tragjedi me tri Ç, duke iu referuar Kosovës: Çthurje, Çbërje, Çdukje. Kjo ishte politika e Programuar serbe e kohës e cila u ndoq me fanatizëm deri në luftën e fundit.

Një gjendje e këtillë u shfaq si kokë hidre mu në të hyrë të të nëntëdhjetave. Dhe qëlloi që mu në atë kohë po ktheheshin nga burgjet "kontingjentet e irredentës" - siç quheshin atdhetarët shqiptarë me gjuhën e pushtuesve dhe të sahanlpirësve të tyre, prej aty ku kishin vuajtur mbi 250 shekuj burg. Po ktheheshin, veçse jo në liri, po nga burgu i vogël në burgun e madh - Kosovë.

Me logjikën e mësuar nga shkrimtari i madh spanjoll, Servantes, autori i kryeveprës letrare "Don Kishoti i Mançës", i cili, disa shekuj më parë thoshte: "duhet mësuar shkencën e durimit", kishte provuar ta praktikonte Gandi në Indi. Vjelë nga librat, një rezistencë të konvertuar paqësore kishte provuar edhe Lëvizja Alternative në Kosovë e udhëhequr nga intelektuali e letrari Ibrahim Rugova në vitet e '90-ta.

Duke mos parë shpresë e as dritë në fund të tunelit, një burrë Drenice, Adem Jashari, i kthehet një burimi tjetër, në dukje atavist, por në esencë vetëmohues deri në përmbarim. Nuk bëj asnjë zbulim po t'ju them se në mendjen e tij zgjohen një nga një heronjtë e lavdisë e të krenarisë kombëtare, por vetidentifikimin më të pranueshëm e gjen te Bajo e Çerçiz Topulli, tek prijësit e çetave të lirisë në të hyrë të shekullit XX që kulmuan në Kryengritjen Shqiptare të vitit 1912 të udhëhequr nga Hasan Prishtina, të kurorzuar në Pavarësinë e formalizuar nga Kuvendarët e mbledhur në Vlorë nga Ismail Qemali më 28. XI. 1912.

Për më afër akoma, bëmat e trimave të Drenicës, Kosovës e shqiptarisë që i ka dëgjuar që nga fëmijëria në odën e babë Shabanit. Aty është folur e kënduar për Ahmet Delinë, Azem Bejtën e Shotën, për Shaban Polluzhën e Mehmet Gradicën, për Ramiz Cernicën e Rifat Berishen, për flamurtarin Fazli Greiçevcin e qëndrestarin Adem Demaçin, për Kadri Zekën e Jusuf Gërvallën, Rexhep Malen e Nuhi Berishën. Është krejt i logjikshëm dhe aspak ritual betimi i tij me Babë Shabanin e me të vëllanë, Hamzën, tek varri i bashkëfshatarit, Tahir Meha. Tashti betimi nuk parakupton hakmarrje fisi e kanuni, por kauzë kombëtare: Liri për Atdheun.

Ai ka nisur aksionet e para çlirimtare, ka provuar rrethimin dhe sulmin e parë në shtëpinë e babës, ka mbyll me sukses edhe betejën e parë në Vojnik, është mbrojtur suksesshëm nga sulmi diversant në 21-22 janarit të vitit 1998, ka parë nga afër tragjedinë e Çirezit e Likoshanit ku edhe vetë është përballur me helikopterin, pak ditë para Përballjes së Madhe të Marsit.

Adem Jashari ka shkelur mbi të dyzetat e moshës, pikërisht moshë burri. Doktrinat religjioze flasin për shenjtërimin njëherë në dyzet vjet. Pa dashur të merrem me to, them se ai dha shenjën e vet në gjithë Kosovën. Jo ikje e fshehje po luftë deri në vdekje për Atdheun e lirë, për shqiptarizmen si fe, si treditë e kulturë shqiptare, pse jo dhe evropiane.

Ata që e kanë njohur, e quaj edhe veten njeri me fat që e kam njohur, thonë se aureola prej prijësi i rrinte mbi ballë, sado që kurrë nuk u deklarua e nuk u mburr as për grada e as për ofiqe e emër. Ai u mburr vetëm me Atdheun, me Shqipërinë e shqiptarinë. Me atë që kishin prodhuar breza shqiptaresh, para dhe pas Kryeheroit - Skënderbe. Kjo aureolë, mbase bëri që Arif Manxholli, një mik i Shaban Jasharit, në vitin '91 t'i thoshte atij: "Ruajeni këtë djalë se ka me iu dashtë vendit", që sot na vjen si profeci. Nëse nuk është profeci, atëherë çka e shtyri Arif Manxhollin të shqiptonte, profecinë e tij: "Ruajeni këtë djalë se ka me ju dashtë vendit"! Unë jam i bindur se Arif Manxholli në aureolen e Adem Jasharit e pa një të veçantë që ne vdektarët e tjerë nuk e pamë.

Emri i tij dhe kulla e tij nuk kishin të bënin me folklorizmin, po me akademinë e atdhedashurisë, ku Legjendari ynë mësoi vendosmërinë e gatishmërinë për t'u përballur me të keqen, robëruesin, vdekjen pavarësisht tagrit e çmimit. Si i tillë ai u bë pritësi dhe mbështetësi i të gjithë luftëtarëve anekënd Kosovës e trojeve të tjera etnike shqiptare. Duke qenë fjalëpak e punëshumë, fjalia e tij u bë proverbiale: Tanë ka pak e bahet boll! Madje midis atij terri pa shpresë e shteg, ai i gjeti: shpresën, shtegun dhe rrugën që na dhuruan fitoret që i kemi sot.

Me një fjalë ky ishte sfondi ku ishim e si ishim me të hyrë të marsit të ‘nëntëdhjetetetës (‘98).

Adem Jashari ra me mbi pesëdhjetë veta, familjarë e të afërm. Rënie që mobilizoi një popull të tërë në luftën për liri.

Pushtuesit, të vetëdijshëm për përmasën e tij, provuan që, duke e ekspozuar trupin e vrarë në TV, ta shuanin edhe mundësin e fundit të mitizimit të tij, ta shuanin dashurinë për lirinë.

Ata, (armiqtë) të mbushur me urrejtje e epshe prej bishe, nuk e kapnin dot sekretin e lirisë që vjen e shndërrohet në mesazh, në flamur, në himn e himnizim atdhedashes.

Trupi i tij, mu në kraharor kishte shpellën e predhës së mortajës antitank të armikut. Asnjë propagandë, çfarëdo qoftë ajo, nuk e vret dot amën e lindjes së legjendës, siç nuk e vrau legjendën për Adem Jasharin. Legjenda dhe lavdia as nuk vriten, as nuk fitohen tinëzisht a shpërndahen tek vdektarë si dhuratë, ndonëse këta shpesh e kërkojnë. Legjenda e lavdia i përkasin vetëm atij që i meriton, një i tillë i meritueshëm padyshim që ishte vetëm - Adem Jashari, ai që i pari furtunës armike i hapi krahët e Shqiponjës Kryengritëse.

Legjendari Adem Jashari nuk njeh pleqëri, përkundrazi ai mbeti dalzotësi dyzetvjeçar, i përjetshëm i këtij populli me rrënjë të thella antike.

Epo, ku jemi e si jemi sot, pas pesëmbëdhjetë vjetëve?

Po, jetës sonë i është kthyer ritmi, ose më saktë bioritmi.

E dimë ç'kuptim ka dita dhe nata në liri, e dimë se ç'është orari i punës e i mësimit (fatkeqësisht jo të gjithë dhe jo për të gjithë);

E dimë se Kosova me 17 shkurt të vitit 2008 ka shpallur pavarësinë, si "shtet i pavarur, sovran e demokratik";

E dimë gjendjen e familjarëve të të pagjeturve, prehje në qetësi e paqe shpirtit të atyre që s'janë, po e mori vesh bota gjëmën: ku është parë të vriten qytetarët e pafajshëm e të pa armatosur në shtëpi e në oborr e të degdisen kufomat me transportin e madh prej qindra e mijëra kilometrash në hapësirat e pushtuesit e në valët e Danubit?

E dimë e s'e dimë.

E dimë se më pesë, gjashtë e shtatë mars, në nderim të Epopesë së Prekazit, sot në gjithë Kosovën organizohen manifestime përkujtimore me patronat qeverie a qytetarie;

E dimë se bëhen homazhe te varrezat, akademi përkujtimore, koncerte e ndezje zjarresh për të përkujtuar zjarrin e ndezur nga legjendari Adem Jashari.

E dimë, po nuk e di a e dimë saktësisht se, siç thoshte poeti i ndjerë Azem Shkreli në një varg: "bajramcurrem maleve", nuk e di a të të mësojmë ndonjëherë të "ademjasharemi fushave, maleve, fshatrave e qyteteve të Kosovës për ti dhënë kuptim jetës sonë në liri e pavarësi?

Ky fenomen sot, besoj as nesër nuk na e kërkon çmimin e jetës, veç të angazhimit me ndershmëri.

Koha jonë kërkon shumë pak haraç nga ne: kërkon nderin dhe ndërgjegjen prej qytetari e pushtetari, prej nxënësi e studenti, prej partiaku e intelektuali, prej ndërmarrësi e politikani, prej artisti e shkrimtari.

Të "ademjasharemi" në paqe! Ja, vetëm kaq na kërkon legjenda, vetëm kaq na kërkon jeta, vetëm kaq na kërkon Kosova e pavarur.

Të "shabanjasharemi" jo vetëm në ditën e mësuesit për t'i edukuar brezat me atdhedashurinë, me shqiptarizmën dhe evropianizmin e rilindësve tanë mendjendritur, edukatë që është duke na munguar në një masë. Shkolla jonë duhet të na kthen edukimin tradicional kombëtar e evropian.

Me shpresë e besim të lajmë kaq borxh, borxhin e dalzotësit në paqe, kaq pak kërkon atdheu ynë sot nga ne.

Sot kur kujtoj ngjarjen e para pesëmbëdhjetë vjetëve në Prekazin e Adem Jasharit, më vjen të them me thellësinë e zemrës:


Lavdi e përjetshme Kryekomandanti legjendar, Adem Jashari!
Lavdi gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!