Lajmet e fundit
Fjala e deputetit Rexhep Selimi në shënim të 15-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
E Enjte, 07.03.2013
E nderuara Familje Jashari,
I nderuar Kryetar i Kuvendit,
Zonja dhe zotërinj deputetë,
Te nderuar mysafirë në seancë,
Te dashur qytetare dhe bashkëkombës...
Ky kuvend si institucion dhe ne si deputetë, e kemi nderin e veçantë që sot në këtë seancë solemne parlamentare t'i përkulemi me respekt veprës së madhe të Komandantit Legjendar Adem Jashari, t'i përkulemi me respekt të veçantë veprës heroike të familjes Jashari dhe gjithë atyre që ranë para 15 vitesh në Epopenë e Jasharajve, në Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Prekaz me 5, 6 dhe 7 Mars 1998.
Sot, në 15 vjetorin e kësaj ngjarje të përmasave legjendare të sakrificës deri në flijim për lirinë e vendit, le të përpiqemi edhe njëherë ta kujtojmë porosinë e atyre që ranë të vetëdijshëm se mbi rëniet e tyre do të ringrihej liria e kombit.
Kuvendi i Kosovës, sot po e bën një detyrë, detyre e cila i takoi ta bënte dhe duhet ta bëjë çdo vit, gjithmonë dhe pandërprerë, të përkulet para gjakut të dëshmorëve të atdheut dhe para sakrificave të të rënëve për Liri.
- Shaban Jashari
- Zahide Jashari
- Adem Jashari
- Hamzë Jashari
- Zarife Jashari
- Hidajete Jashari
- Valdete Jashari
- Igball Jashari
- Igballe Jashari
- Feride Jashari
- Selvete Jashari
- Afete Jashari
- Besim Jashari
- Lirie Jashari
- Blerim Jashari
- Fatime Jashari
- Blerinë Jashari
- Adile Jashari
- Fitim Jashari
- Kushtrim Jashari
- Salë Jashari
- Hamit Jashari
- Osman Geci
- Bahtije Jashari
- Abdullah Jashari
- Blerim Jashari
- Bujar Jashari
- Qazim Jashari
- Nazmi Jashari,
- Sinan Jashari,
- Ali Jashari
- Beqir Jashari
- Halil Jashari
- Sherif Jashari
- Elheme Jashari
- Murtez Jashari
- Faik Jashari
- Qerim Jashari
- Kajtaz Jashari
- Hamide Jashari
- Shahin Jashari
- Sadik Jashari
- Hafije Jashari
- Hamdi Jashari
- Elfije Jashari
- Fatime Jashari
-Ramiz Jashari
- Mihrije Jashari
- Sabrije Jashari
- Hanife Jashari
- Smajl Jashari
- Ukshin Jashari
- Hajrie Jashari
- Ajvaz Jashari
- Isa Feriz Halili
- Fatime Bazaj
- Smajl Bazaj
Këta s'janë veç emra e mbiemra, por letërnjoftim i sakrificës për lirinë e Kombit.
Zonja dhe zotërinj,
Përveç se sot kujtojmë Epopenë e UÇK-së, sot është edhe dita e mësuesit. Sot është 7 marsi.
Sot, edhe më shumë se dje, mësuesi është Shaban Jashari.
Shaban Jashari nuk ishte thjesht babai i Ademit e Hamzës, por ai ishte edhe mësues. I mësonte fëmijët e Prekazit por e mësonte edhe Ademin e Hamzën. U tregonte fëmijëve për historinë e popullit shqiptar dhe për figurat e lavdishme të tij. Për vuajtjet e sakrificat por edhe për fitoret e sukseset e kombit tonë. Para 15 vjetëve baba dhe mësuesi Shaban iu bashkuan këtyre figurave të lavdishme të kombit tonë. Ai ju bashkua atyre për të cilët na tregonte e na mësonte.
Hamza dhe Ademi ishin nxënësit e tij që tash janë bërë mësuesit e idealit kombëtar për të gjithë neve dhe për ata që do të vijnë pas nesh. Pra, sot ia urojmë 7 Marsin mësuesit të kombit Shaban Jashari.
Të nderuar të pranishëm,
të nderuar mysafirë,
Popujt dhe kombet kanë historitë e tyre, popujt dhe kombet luftuan dhe vazhdojnë të luftojnë ende për liri. Në historitë e tyre, kombet kanë bërë sakrifica të mëdha për liri. Por nuk ka komb në botë ta ketë një Adem Jashar ashtu siç e ka kombi ynë. Nuk ka komb në botë të ketë një Familje Jashari, siç e ka kombi ynë.
Një diplomat, kur e pa Prekazin pat thënë: "po të ekzistonte çmimi Nobel për luftë, ai do t'i takonte Adem Jasharit..." Ndoshta nuk ka çmim Nobel për luftën, por çmimin e lirisë, çmimin e luftës për liri Adem Jashari ia dhuroi kombit të vet.
Sot, ne nuk do të mund të flisnim për luftën për liri pa Adem Jasharin, por as ta paramendonim Adem Jasharin pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte veç ushtria e tij, por edhe lufta e tij. Le të ruhet dhe të nderohet UÇK-ja si vlerë historike e kombit.
Aty ku ruhet sot UÇK-ja si vlerë e kombit qëndron edhe porosia e Jasharajve, porosia e Adem Jasharit. UÇK-ja si vlerë dhe si histori nuk mund të shihet ndaras nga porosia e Adem Jasharit për liri e për bashkim.
Të shumtë janë ata që i kemi dëgjuar duke thënë se politika duhet të jetë realiste. E po ashtu të shumta janë ata që këmbëngulin se iluzionet idealistike janë provuar si të rrezikshme dhe të përgjakshme.
Por çfarë është në fakt realja për vetë politikën?
Realja është Historia. Realja është bërja konkrete e betejës dhe mohimi i shtypjes.
Po si bëhet e mundur ta njohësh dhe ta kuptosh Historinë? Mundemi vetëm nëse i njohim ligjësitë e historisë, ligjësitë e mëdha të bërjes, realizimit.
Ata bën, Ata e realizuan atë, Historinë.
Çdo akt tjetër pas tyre ose mund të qëndrojë në linjë më këtë bërje historie ose në kundërti me të. Historia nuk njeh akte të mesme. Realiteti i prodhuar prej tyre mund të jetë ose veç historia jonë ose edhe realiteti ynë.
Këto 15 vite kemi dëgjuar shumë shpesh të flitet për ngjarje historike, për vendime historike, për arritje historike. Secila prej tyre e ka provën e vërtetësisë e ajo është përputhja ose jo me realen e prodhuar nga akti historik që mban shenjën Jasharaj.
Le ta rikujtojmë edhe njëherë sot dhe gjithmonë ne të ardhmen se jeta e tyre ishte mision dhe rënia e tyre ishte porosi.