Lajmet e fundit

Mbledhje e Kuvendit në shënim të 15-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

E Enjte, 07.03.2013




Në kuadër të shënimit të 15-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kuvendi i Republikës së Kosovës, i drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar, është mbledhur sot në seancë, duke nderuar dhe përkujtuar luftën heroike dhe rënien e Komandantit Legjendar Adem Jashari e të familjes Jashari.

Në cilësi të përfaqësuesit të iniciuesit të kësaj mbledhjeje, deputeti Rexhep Selimi tha se popujt dhe kombet kanë historitë e tyre, luftuan dhe vazhdojnë të luftojnë ende për liri, kanë bërë sakrifica të mëdha, por, nuk ka komb në botë ta ketë një Adem Jashar dhe një Familje Jashari, ashtu siç e ka kombi shqiptar.

"Sot, ne nuk do të mund të flisnim për luftën për liri pa Adem Jasharin, por as ta paramendonim Adem Jasharin pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte veç ushtria e tij, por edhe lufta e tij. Le të ruhet dhe të nderohet UÇK-ja si vlerë historike e kombit. Aty ku ruhet sot UÇK-ja si vlerë e kombit qëndron edhe porosia e Jasharajve, porosia e Adem Jasharit. UÇK-ja si vlerë dhe si histori nuk mund të shihet ndaras nga porosia e Adem Jasharit për liri e për bashkim", theksoi deputeti Selimi. Ai shtoi se këto 15 vite është dëgjuar shumë shpesh të flitet për ngjarje historike, për vendime dhe arritje historike. Secila prej tyre, theksoi Selimi, e ka provën e vërtetësisë, e ajo është përputhja ose jo me realen e prodhuar nga akti historik që mban shenjën Jasharaj.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalën e tij tha se ky manifestim, me të drejtë e mban emrin Epope, sepse shënon sakrificën supreme të Jasharajve, që sublimuan vetëdijen politike dhe shpirtin liridashës të të gjitha kohëve, për Kosovën e lirë, të pavarur dhe moderne. Thaçi tha se tri ditët e Epopesë, sintetizuan rrugën e gjatë historike të qëndresës dhe të luftërave të drejta të brezave, për çlirimin e Kosovës nga okupimi shekullor. Gjatë tri ditëve të Epopesë së UÇK-së, shtoi më tutje kryeministri, u sfidua historia dy mijë vjeçare e civilizimit shqiptar.

"Historia e Kosovës po përballej me makinën shekullore të sundimit të Kosovës. Dëshmorët e lirisë u flijuan për ëndrrën e të gjithë brezave, çlirimin e Kosovës. Rënia e Jasharajve, në krye me Komandantin Legjendar Adem Jashari, hapi kapitullin më të madh të zgjerimit dhe rritjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. UÇK-ja, me një bazë të gjerë popullore, ishte niveli më i lartë i organizimit politiko-ushtarak që e kishte prodhuar ndonjëherë lëvizja atdhetare e Kosovës. Shumë shpejt, UÇK-ja do të bëhej projekti më serioz që artikuloi kërkesat politike dhe interesat strategjike të Kosovës në periudhën 1992-1999", theksoi ndër të tjera kryeministri Thaçi.

Në emër të Kuvendit, kryetari Jakup Krasniqi tha se kjo seancë nderimi e përkujtimi i detyrohet një ngjarjeje të madhe që kur e kur u quajt betejë, kur e kur luftë, kur e kur epope. Në cilindo variant që ta marrim, shtoi kryetari Krasniqi, nuk mungojnë përcaktorët, Prekazi - Adem Jashari - Jasharët - Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

"Si kur themi Beteja e Prekazit, si kur themi Lufta e Prekazit, po ashtu edhe kur themi Epopeja e Prekazit, Epopeja e Adem Jasharit apo Epopeja e UÇK-së, në kujtesën tonë rikthehet pesë, gjashtë dhe shtatë marsi i vitit 1998 - hapja e faqes më të re të historisë, hapja e epokës së re që na e solli pavarësinë, sovranitetin, demokracinë të formalizuar më 17 shkurt 2008", tha në fjalën e tij kreu i Kuvendit të Kosovës.

Kryetari Krasniqi tha se emri dhe kulla e Adem Jasharit nuk kishin të bënin me folklorizmin, po me akademinë e atdhedashurisë, ku Legjendari ynë mësoi vendosmërinë e gatishmërinë për t'u përballur me të keqen, robëruesin, vdekjen, pavarësisht tagrit e çmimit.

"Si i tillë, ai u bë pritësi dhe mbështetësi i të gjithë luftëtarëve anekënd Kosovës e trojeve të tjera etnike shqiptare", theksoi ndër të tjera kryeparlamentari Krasniqi.

 

 

Mbledhje e Kuvendit në shënim të 15-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të KosovësMbledhje e Kuvendit në shënim të 15-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të KosovësMbledhje e Kuvendit në shënim të 15-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të KosovësMbledhje e Kuvendit në shënim të 15-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës