Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Enjte, 07.03.2013
Komisioni për Buxhet dhe Financa, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Safete Hadergjonaj, kryetare e komisionit, shqyrtoi propozimin e Panelit Vlerësues për kandidatë për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK). Po ashtu, komisioni shqyrtoi edhe kërkesën e Komisionit të Pavarur për Media dhe atë të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, për kompensimin e takimeve ditore, përkatësisht, shtimit të pagave mujore.
Për sa i përket propozimit të Panelit Vlerësues të kandidatëve, Bedri Hamza e Gani Gërguri, komisioni vlerësoi se ata i plotësojnë të gjitha kriteret e konkursit dhe ato profesionale për atë pozicion, andaj vendosën që ky propozim të procedohet për vlerësim edhe në mbledhje plenare të Kuvendit.
Lidhur me kërkesën e Komisionit të Pavarur për Media dhe të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, ndërkaq, komisioni vlerësoi se pagat dhe kompensimi i tyre duhet të mbetet në nivelin e tashëm, deri në miratimin e Ligjit për pagat e funksionarëve të lartë publik.
Në këtë mbledhje, komisioni shqyrtoi dhe miratoi edhe Projektligjin për sigurinë e përgjithshme të produkteve dhe disa amendamente të Projektligjit për organet qeveritare për shoqërinë e informacionit. Komisioni vlerësoi se këto projektligje nuk kanë implikime buxhetore.