Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
E Mërkure, 06.03.2013
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari Ali Sadriu, u shqyrtua Raporti për performancën e Ndërmarrjeve Publike për vitin 2011, me ç‘rast para anëtarëve të komisionit raportoi ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.
Fillimisht, anëtarët e komisionit deklaruan se raporti po shqyrtohet me vonesë, disa prej të cilëve kritikuan edhe mosprezencën e ministrit Beqaj në mbledhjet e komisioneve.
Kryetari i komisionit, Ali Sadriu, tha se MZH-ja nuk ka Plan Veprimi për kompanitë publike dhe se në shumë borde të ndërmarrjeve publike ka njerëz joprofesional. "Kam pritur që në të këtë raport do të figurojnë të ndara raportet e ndërmarrjeve publike. Raporti nuk paraqet perfomancen e ndërmarrjeve publike. Nuk ka Plan Veprimi për rekomandimet e viteve paraprake dhe ky raport është i vonuar në kohë', tha Sadriu duke përmendur faktin se përveç katër kompanive publike (Aeroporti Ndërkombëtar, KEK-u, PTK-ja dhe KOST-i) të gjitha kompanitë tjera vite me radhë operojnë me humbje. Ndërkaq, ai kritikoi edhe mos mbajtjen e mbledhjeve vjetore të aksionarëve.
Nënkryetari i komisionit Ramiz Lladrovci theksoi mes tjerash se nuk është i kënaqur me raportin, ndërsa kritikoi bordet e ndërmarrjeve publike. "Jemi në dijeni që nuk ke shumë kompetenca tek ndërmarrjet publike, por aty ku ka pasur humbje ose të gjetura, aty ku nuk ka pasur menaxhim të mirë dhe ku nuk ka funksionuar në mënyrën e duhur bordi, ministrin Beqaj e inkurajoj që ka të drejtë të ndërmarrë masa", theksoi Lladrovci duke shtuar se beson se raporti i perfomancës i vitit 2012 do të jetë më i mirë dhe më i pranueshëm.
Ndërsa, Valbona Dibra tha se ky raport paraqet të dhëna reale të gjendjes, megjithatë shtoi ajo, raporti është i mangët meqë nuk jep informata të mjaftueshme për ndërmarrjet publike.
Duke përmendur disa nga rezultatet ajo tha mes tjerash se të gjitha ndërmarrjet kanë auditor të brendshëm dhe se qeveria ka bërë reduktimin e subvencioneve për to, ndërkaq shtoi se është shënuar progres krahasuar me vitet paraprake.
"Në raport nuk ka tregues të mjaftueshëm për t'u marrë një gjykim i drejtë, meqë raportit i mungojnë shumë elemente dhe se nuk janë përmendur sfidat e ndërmarrjeve publike. Nuk ka analizim të saktë se sa janë realizuar objektivat", tha anëtari i komisionit Imri Ahmeti.
Ndërsa, anëtari i Komisionit, Adem Grabovci, bazuar në të dhënat e raportit tha se janë shënuar rritje të rezultateve, duke përmendur stabilizimin e gjendjes me energji elektrike. Megjithatë, shtoi ai, raporti duhet të ketë të dhëna më komplete. Por, ndryshimet pozitive janë evidente", tha ai.
Më tej anëtarët e komisionit, Bali Muharremi, Afrim Hoti, Murselj Haljilji, shtruan çështje të ndryshme për të cilat ministri Beqaj dha sqarime.
Ai duke u përgjigjur në shqetësimet që u ngritën gjatë këtij takimi tha se raporti për perfomancën e ndërmarrjeve publike është i bazuar në raportet e auditimeve të jashtme dhe se krahasuar me vitin paraprak ka përfomancë më të mirë të gjendjes në ndërmarrje publike. "Ka rritje të fitimit të këtyre ndërmarrjeve publike. Gjendja në ndërmarrje publike nuk mund të thuhet se është më mira, por përfomanca e mirë është duke ndodhur falë llogaridhënies, falë monitorimit dhe funksionimit i cili është instaluar. Dy kompani publike kanë rritur ndjeshëm fitimet e tyre, janë kthyer në kompani fitimprurëse, ndërsa shtatë kanë zvogëluar humbjet e tyre duke shënuar progres", tha mes tjerash ministri Beqaj. Pasi dha përgjegjje për çështje të shumta, mes tjerash ai foli edhe për sektorin e energjisë duke mos e fshehur faktin se ka shumë probleme në këtë kompani. "Ne kemi prodhim të qymyrit më shumë nga viti paraprak, prodhim të rrymës që është i pakrahasueshëm me vitin paraprak. Është rritur inkasimi dhe janë reduktuar humbjet e transmisionit. Problemet edhe më tutje do të jenë të shumta sepse është sektor i ndjeshëm", tha ministri Beqaj, ndërsa sa i përket sektorit të ujit ai tha se këto ndërmarrje publike kanë nevojë shumë të madhe për përmirësim, por nuk mund të vihet në pikëpyetje përfomanca e cila është më e mirë, krahasuar me të kaluarën.
Me këtë rast foli edhe Auditori i Përgjithshëm Lars Lage Olofsson, i cili tha mes tjerash se Qeveria duhet të jetë më aktive në rolin e saj si pronare sa i përket ndërmarrjeve publike, duke përmendur edhe trajtimin që duhet ta kenë takimet vjetore të aksionarëve.
Pas diskutimeve të anëtarëve të komisionit, raporti mori vota të barabarta në komision.