Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Arsim,Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media

E Mërkure, 06.03.2013




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, të kryesuar nga Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit, u shqyrtua Projektligji për Veprimtari Kërkimore, Shkencore, Inovacione dhe Teknologji nr. 04/L-135. Në fakt, tërë diskutimi u përqendrua në amendamentin 5 të këtij Projektligji, sipas të cilit parashihej që për Agjensionin shtetëror për kërkime shkencore, të ndahen mjete për financim deri në 0,7 për qind të buxhetit të Kosovës. Kjo ishte çështje kryesore shqyrtimi edhe në mbledhjen e kaluar të përbashkët të këtij Komisioni me Komisionin për Buxhet dhe Financa. Edhe në këtë mbledhje shumica e anëtarëve të Komisionit për Arsim... ishin për atë që ky nen të shkojë në seancë plenare kështu si është, në kuadër të Projektligjit përkatës. Mirëpo, disa anëtarë të Komisionit, si dhe këshilltarja e ministrit për Arsim , Shkencë dhe Teknologji, Selvije Halimi, përkrahnin mendimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa dhe të kësaj ministrie që neni 5 të mos parashohë përqindje të mjeteve për Agjensionin për kërkime shkencore, por financimi të bëhet sipas kërkesave dhe nevojave të këtij Agjensioni.

Me shumicë votash Komisioni përkrahu variantin e përcaktimit të buxhetit të Agjensionit sipas shkallës deri 0,7 për qind të Buxhetit të Kosovës. Pritet që Komisioni për Buxhet dhe Financa të përkrahë variantin e vet të amendamentimit të këtij neni, përkatësisht të mos parashohë shkallë financimi, por mjetet të sigurohen sipas kërkesave dhe nevojave të Agjensionit. Në këtë situatë Kuvendi do të përcaktohej për njërin nga variantet e nenit 5, me shumicë votash.

Nw vazhdim tw mbledhjes Komisioni përkrahu amendamentet e Projektligjit për ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve "Shota" dhe për ansamblet e tjera 04/ L -164 dhe njëherësh ky Projektligj procedohet më tutje në Kuvend.

 

 

Mbledhja e Komisionit për Arsim,Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media