Lajmet e fundit
Nga Komisioni për Bujqësi ...
E Hënë, 04.03.2013
Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Nait Hasani, shqyrtoi amendamentet e Projektligjit për ndërtesat në bashkëpronësi. Gjatë shqyrtimit të këtyre amendamenteve, ishte i pranishëm edhe sekretari i Ministrisë së Ambinetit dhe Planifikimit Hapësinor, Arben Çitaku si dhe këshilltari rezident i Bankës Qendrore të Kosovës, Bill Donovan. Me këtë rast, komisioni dhe përfaqësuesit e ministrisë arritën që përpos amendamentit 31, 32 dhe 33 të harmonizojnë qëndrimet. Lidhur me këto amendamente, dispozitat e të cilave sanksionojnë konfliktin e interesit dhe përcaktojnë masat e sigurisë për banorët e ndërtesave në bashkëpronësi, komisioni kërkoi që fjalën e tyre ta thonë ekspertë të fushës. Në këtë mbledhje, komisioni miratoi edhe Projektligjin për Agjencinë për Komplekset Memoriale, i cili do të procedohet tutje sipas Rregullores së Kuvendit.
Për sa i përket Projektligjit për planifikim hapësinor dhe Projektligjit për inspektoratet, komisioni caktoi grupet punuese për amendamentimin e tyre.