Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Hënë, 04.03.2013
Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar, në të cilën morën pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, ka miratuar rendin e ditës për dy mbledhjet plenare që do të mbahen këtë javë.
Të enjten, më 7 mars, mbahet seancë me rastin e 15-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar VETËVENDOSJE!
Në seancën e së premtes, ndërkaq, do të fillohet, si rëndom, me pikat e përhershme të seancave të e rregullta: Koha për deklarime jashtë rendit të ditës, dhe koha për pyetje parlamentare.
Në vazhdim të seancës do të shqyrtohet Plani i Veprimit për negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, kurse më pastaj do të shqyrtohet edhe Programi i Punës së Kuvendit të Kosovës për vitin 2013.
Për këtë seancë janë paraparë të shqyrtohen për herë të dytë: Projektligji për avokaturën shtetërore, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për fondet pensionale të Kosovës.
Dy pikat e fundit të parapara për këtë seancë do të jenë: shqyrtimi i Raportit të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit kundër diskriminimit, si dhe shqyrtimi i Raportit të punës së Komisionit për Reformën Zgjedhore për periudhën 22 prill 2011 deri më 29 gusht 2012.
Kryesia në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar një varg kërkesash dhe rekomandimesh.
Kryesia ka vendosur për mbajtjen e tri debateve parlamentare, sipas kërkesave të Grupit Parlamentar të LDK-së: lidhur me faturimin e shpenzimit të energjisë elektrike për muajin janar 2013; për gjendjen ekonomike në Kosovë, si dhe atë lidhur me raportet e institucioneve ndërkombëtare për zhvillimet në Kosovë, të cilat do të radhiten suksesivisht në seancat vijuese: më 14, 21 dhe 28 mars.
Gjatë shqyrtimit të Raportit të shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2012, të prezantuar nga sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, është theksuar se shpenzimet kanë qenë në kudër të parashikimeve dhe se buxheti vjetor i Kuvendit është shpenzuar 94.27 për qind.
Anëtarët e Kryesisë, ndërkaq, janë pajtuar që Kërkesa për rregullimin e statusit të mësimdhënësve në sistemin arsimor të Kosovës prej vitit 1990/91 deri në vitin 1998/99, tu delegohet Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, si dhe Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, në mënyrë që ta analizojnë çështjen dhe Kuvendit t'i paraqesin raportin me rekomandime.