Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion

E Hënë, 04.03.2013




Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, të kryesuar nga kryetari i komisionit Arben Gashi, u shqyrtua raporti me amendamente i komisionit funksional në Projektligjin nr. 04/L-156 për kontrollin e duhanit. Pasi u paraqitën disa dilema rreth zbatueshmërisë së këtij projektligji, anëtarët e komisionit me shumicë votash përkrahën amendamentet e komisionit funksional dhe procedohen në seancë. Po ashtu anëtarët e komisionit përkrahën edhe amendamentet e propozuara nga anëtari i komisionit, Ardian Gjini, pa përkrahjen e komisionit funksional.

Më tej, anëtarët e komisionit shqyrtuan dhe përkrahën edhe këto raportesh me amendamente të komisioneve funksionale, të këtyre projektligjeve: Projektligjit nr. 04/L-155 për sistemin e pagesave, Projektligjit nr .04/L-158 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për miniera dhe minerale, Projektligjit nr. 04/L-189 për ndryshimin plotësimin e ligjit për sigurinë e përgjithshme te produkteve, si dhe të Projektligjit nr. 04/L-185 për tarifat e veçanta të akcizës për prodhimin fillestar dhe prodhimin e vogël të produkteve alkoolike te prodhuara në Kosovë.

Anëtarët e komisionit shqyrtuan në parim edhe Projektligjin për Agjencinë Kosovare për krahasim dhe verifikim të pronës.
Duke adresuar sërish shqetësime të shumta rreth këtij projektligji se është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës dhe pas sqarimeve të kryetarit të komisionit, Arben Gashi, rreth konsultave që ai ka pasur me propozuesit e ligjit, anëtarët e komisionit u dakorduan që ky Projektligj të procedohet në seancë plenare, me rekomandimin që t'i kthehet qeverisë. Paraprakisht, ata u pajtuan që t'i rekomandohet Qeverisë ta tërheqë projektligjin para se të shkojë propozim-vendimi për tërheqjen e ligjit në mbledhjen e Kuvendit.

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion