Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim

E Marte, 26.02.2013




Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, që e kryesoi z. Goran Marinkoviq, kryetar i Komisionit, mbajti sot mbledhje në të cilën pikë kryesore e rendit të ditës ishte shqyrtimi i Projektligjit për Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memorialë të Kosovës, si dhe Raporti me Amendamente të Komisionit funksional për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Ambient dhe Planifikim Hapësinor.

Në këtë mbledhje, përveç anëtarëve të Komisionit, morën pjesë edhe kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Ambient dhe Planifikim Hapësinor, z. Nait Hasani, si dhe përfaqësuesit e OSBE-së, të Ambasadës së Zvicrës në Prishtinë dhe të KDI-së.

Në vazhdim të mbledhjes, anëtarët e Komisionit lidhur me Projektligjin në fjalë i informoi kryetari i Komisionit, z. Hasani. Sipas tij, Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memorialë të Kosovës, do t'i nënshtrohet Kuvendit të Kosovës dhe për fillim në këtë Agjenci do të punësohen 3 punëtorë të administratës. Në vazhdim, z.Hasani theksoi që lista e tanishme e Komplekseve Memorialë të Kosovës nuk është përfundimtare dhe se në të ardhmen mund të plotësohet nga Kuvendet komunale të tërë territorit të Kosovës. Në fund, zoti Hasani, tha se çdo ndryshim, plotësim apo sugjerim eventual nga ky komision është i mirëseardhur dhe se do të merren në shqyrtim nga Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Ambient dhe Planifikim Hapësinor.

Pas fjalës së kryetarit të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Ambient dhe Planifikim Hapësinor, z. Hasani, dhe pas diskutimit gjithëpërfshirës, anëtarët e Komisionit, duke paraqitur katër amendamente të ri në Projektligjin në fjalë, e miratuan në parim Projektligjin për Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memorialë të Kosovës, si dhe Raportin me amendamente të Komisionit funksional për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Ambient dhe Planifikim Hapësinor, që do t'i përcillet për miratim Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Po në këtë mbledhje, anëtarët e Komisionit shqyrtuan edhe Projektligjin nr. 04/L-168 për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit nr. 04/L-101 për Fondin e Pensioneve në Kosovë, si dhe Raportin me amendamente të Komisionit funksional për Buxhet dhe Financa, Projektligjin nr. 04/L-164 për Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve "Shota" dhe ansambleve të tjera, si dhe Raportin me amendamente të Komisionit funksional për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Lokale dhe Media, si dhe shqyrtuan edhe Projektligjin nr. 04/L-183 për transportin rrugor të mallrave të rrezikshme dhe Raportin me amendamente të Komisionit funksional për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, dhe Industri dhe i miratuan në parim, ndërkaq pas shqyrtimit të Projektligjit nr. 04/L-150 për odat e ekspertëve mjekësorë dhe të Raportit me amendamente të Komisionit Funksional për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, iu kthye Komisionit funksional në ripunim.

 

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e  Komuniteteve dhe Kthim