Lajmet e fundit

Mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës

E Premte, 01.03.2013




Në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, raportoi sot kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi për takimin e tij, të pestë, në Bruksel, me kryeministrin e Serbisë, sipas kërkesës së kryeministrit të Kosovës, meqë takimi i ardhshëm mbahet ditën e hënë.
Fillimisht, kryeministri Thaçi tha se pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimimin e pavarësisë së Kosovës, u bë e qartë në spektrin ndërkombëtar se pavarësia e Kosovës është një fakt dhe si e tillë nuk është në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare. Ai shtoi se me këtë, u iniciua edhe Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e datës 9 shtator 2010, e cila fton, si Kosovën ashtu edhe Serbinë, që të fillojnë një dialog teknik, si dy shtete të pavarura, për normalizimin e marrëdhënieve të ndërsjella.
"Rezoluta ndër tjera paraqet edhe synimet e dialogut për vendosjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon, si dhe përmes këtij dialogu synohet promovimi i mëtejmë i bashkëpunimit, arritja e progresit në procesin e integrimeve evropiane dhe përmirësimin e jetës së njerëzve.
Këtë përgjegjësi, Qeveria e përmbush konform Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dhe në përputhje të plotë me Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës të datës 18 tetor 2012, e cila e autorizon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të udhëheqë ketë proces.
Qeveria në të gjithë procesin e këtij dialogu, ka qenë e angazhuar bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet në fuqi, Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe të Kuvendit të Kosovës", tha kryeministri Thaçi duke shtuar se çdo marrëveshje e arritur është brenda kornizave të bazës ligjore të procesit të dialogut.
Duke shtuar se nëpërmjet këtij dialogu, Kosova synon që të avancojë subjektivitetin e saj ndërkombëtarë, juridik karshi mekanizmave rajonal dhe ndërkombëtarë, me theks të veçantë integrimet euro- atlantike, kryeministri i vendit tha se përmes këtij dialogu është mundësuar që Kosova të vendosë kontroll në të gjitha pikat kufitare ku bazuar në sistemin e Menaxhimit të Integruar të Kufirit (IBM) policëve dhe doganiervë të Republikës së Kosovës iu është bërë e mundur dhënia e kontributit të tyre në plotësimin e parakushteve për integrimet euro-atlantike, e po ashtu edhe vendosjen e rendit dhe ligjit në disa pika problematike kufitare.
Kryeministri tha se krijimi i marrëdhënieve të mira mes shteteve fqinje në rajonin tonë është parakusht për stabilitet, sundim te ligjit, zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin e përgjithshëm për një vend.
"Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe vetë procesi i normalizimit të marrëdhënieve i kontribuon tri qëllimeve kryesore të shtetit të Kosovës: Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërshtetërore shpie drejt njohjes së Kosovës, njohjes reciproke mes shtetit te Kosovës dhe shtetit të Serbisë që do të duhet të ndodhë në një moment të caktuar; Qëllimi i dytë është arritja e marrëveshjeve për çështje praktike të cilat mundësojnë funksionimin e plotë të shtetit të Kosovës sipas Kushtetutës sonë; Procesi i dialogut dhe normalizimit te marrëdhënieve me Serbinë i hap Kosovës perspektivë të sigurt për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe në NATO", theksoi ai duke shtuar më tej se duhet ta pranojmë faktin se Serbia ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës, mirëpo tha ai, ne jemi të bindur se procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore shpie drejt këtij përfundimi logjik- pra të njohjes së Kosovës, njohjes reciproke që do të mund të ndodhë në të ardhmen e afërt.
Duke folur për marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit Ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë (Marrëveshja e IBM-së), ai tha se marrëveshja që lidhet me zhbërjen e strukturave paralele të sigurisë, atyre të doganave dhe marrëveshjet tjera sigurojnë vendosjen e rendit kushtetues dhe ligjor në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës.
"Me këto marrëveshje ndalojmë kontrabandën në vendkalimet kufitare në veri, dhe mundësojmë stabilizimin e tregut të vendit, ruajtjen e konkurrencës së lirë dhe ofrimin e mbrojtjes institucionale për tregtinë e ligjshme. Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të krijojë mundësi reale për Kosovën për anëtarësim në OKB, BE dhe NATO".
Tutje, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi sqaroi se gjer më tani janë mbajtur një sërë takimesh. Sipas tij që nga 8 marsi i vitit 2011 dhe gjer më tani janë mbajtur edhe pesë raunde të takimeve në nivel të kryeministrave, në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe se janë arritur disa marrëveshje kornizë e shumë konkluza tjera përcjellëse të marrëveshjeve kornizë.
Duke dhënë një pasqyrë të përgjithshme rreth këtij dialogu, ai shtoi se më 2 korrik u arritën tri marrëveshje, ajo për Lirinë e Lëvizjes, Regjistrin Civil, dhe Diplomat Universitare, pra ky raund ka bërë të mundur që të thyhet tabuja e lëvizjes njëdrejtimëshe dhe pamundësisë së qytetarëve të Republikës së Kosovës të shfrytëzojnë mundësinë për qasje në vendet e rajonit dhe përmes territorit të Serbisë.
Mes tjerash ai tha se në maratonën e takimeve të mbajtur prej 21 deri më 24 shkurt është arritur marrëveshja për bashkëpunimin rajonal, marrëveshje e cila ka për synim funksionalizimin e shtetit të Kosovës dhe mënjanimin e pengesave të Serbisë në pjesëmarrjen e Kosovës në iniciativat rajonale. Ai shtoi se në këtë fushë, synojnë që të rrisin pjesëmarrjen e Kosovës në aktivitete ekonomike rajonale që i hapin rrugë zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës.
"Në këto takime janë diskutuar tema të shumta me ndikim të madh për të ardhmen e dy vendeve fqinje, por pa harruar kurrë tmerrin dhe dhimbjen e shkaktuar nga Serbia. Vuajtjet dhe sakrificat tona kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë motivi ynë për të lëvizur sa më shpejt përpara drejt integrimit në NATO, Bashkim Evropian dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara", tha kryeministri Thaçi.
Duke folur për takimin e parë të mbajtur më 18 tetor 2012 , ai tha se janë ngritur disa çështje nga baronesha Ashton dhe diskutuar nga dy kryeministrat, i shtetit të Kosovës dhe Serbisë: Zbatimi në praktikë i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë; Zbardhja e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës, Zhbërja dhe largimi nga Kosova i strukturave paralele të financuar nga Serbia; Mos pengimi i Kosovës për anëtarësim në organizatat dhe forumet ndërkombëtare, Mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë, Përmbyllja e procesit të decentralizimit në Kosovë që nënkupton domosdoshmërinë e formimit të komunës së re, atë të Mitrovicës së veriut dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira në veri të vendit; Arritja e marrëveshjeve në fushën e telekomunikacionit dhe energjisë, sipas standardeve evropiane, si dhe mundësinë e shpejt të hapjes së Zyrave Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd dhe anasjelltas të Serbisë në Kosovë. Nga ky takim i parë u konkludua mirëkuptimi dhe pajtimi për të adresuar temat e diskutuara dhe vazhdimi i takimeve tjera", tha kryeministri Thaçi.
Ndërsa, sa i përket takimit të dytë, të mbajtur më 7 nëntor tha se në këtë takim është shënuar progres konkret sidomos në çështjen e zbatimit në praktikë të marrëveshjes teknike për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.
Ai tha se në këtë takim është diskutuar përsëri çështja e personave të zhdukur, duke sqaruar se kanë propozuar që të emërohet edhe një përfaqësues special që do të merret me këtë çështje. "Jemi pajtuar që kjo është një çështje humane dhe shumë e dhimbshme, e cila duhet të zgjidhet patjetër si dhe të ndodhë shpejt", tha ai.

"Duhet ta pranojmë faktin se Serbia ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës, mirëpo ne jemi të bindur se procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore shpie drejt këtij përfundimi logjik- pra të njohjes së Kosovës, njohjes reciproke që do të mund të ndodhë", tha kryeministri Thaçi duke sqaruar se tashmë kanë emëruar të dërguarin tonë për të udhëhequr Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, ambasadorin Lulzim Peci.
Sa i përket takimit të tretë, të mbajtur më 4 dhjetor 2012 , në nivel të kryeministrave ai tha se në këtë takim u diskutuan pikat ende të pa përfunduara nga takimi i dytë, me theks të veçantë IBM-i dhe Zyrat Ndërlidhëse në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Ndërsa, sa i përket takimit të katërt, të mbajrtur më 17 janar 2012, ku është biseduar për zhbërjen e plotë të strukturave ilegale të sigurisë së Serbisë, në Kosovë, për përmbylljen e plotë të Marrëveshjes së IBM-it, në veçanti në fushën e doganave, si dhe për veprimet që do të ndërmarrë Qeveria e Republikës së Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në pjesën veriore të vendit tonë, ai tha se në kuadër të angazhimeve tona për integrimin e pjesës veriore në institucionet e Kosovës, gjatë këtij takimi ne jemi pajtuar gjithashtu për themelimin e Fondit Zhvillimor për pjesën veriore të Kosovës. "
Ky fond, do të shërbej si një katalizator i përmirësimit të infrastrukturës së përgjithshme në atë pjesë dhe investimet që do të bëhen nga mjetet e këtij fondi, do ta përmirësojnë jetën e qytetarëve të asaj pjesë. Paratë që do të derdhën në këtë fond do të rrjedhin përmes thesarit të Kosovës dhe në fond do të mund të kontribuojnë edhe organizatat tjera ndërkombëtare", tha kryeministri i vendit.
Sa i përket takimit të pestë të mbajtur më 19 dhe 20 shkurt, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se në Bruksel u mbajt raundi i pestë i negociatave ndërmjet delegacionit të Republikës së Kosovës dhe atij të Serbisë me ndërmjetësimin e baroneshës Ashton në kuadër të procesit për Normalizimin e Marrëdhënieve Ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë.
"Raundi i pestë i bisedimeve ka qenë më dinamik dhe ka zgjatur dy ditë. Temë kyçe e këtij takimi ka qenë shpërbërja e strukturave paralele ilegale të sigurisë në veri të vendit dhe ndalimi i financimit të këtyre strukturave nga Serbia.
Unë mund t'iu them me plotë përgjegjshmëri se Serbia në takimin e fundit të zhvilluar në Bruksel, është pajtuar së paku verbalisht, që të heqë dorë nga përkrahja, organizimi dhe financimi i strukturave ilegale në veri të vendit.
Kryeministri i Serbisë Daçiq është zotuar se do ta përmbushë një obligim të tillë, pavarësisht se a do të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse në fund të procesit të Normalizimit të Marrëdhënieve me Serbinë.
Unë nuk impresionohem nga fjalët e tij dhe të asnjë zyrtari serb, por pres që veprimet konkrete në këtë drejtim të ndodhin në teren në ditët dhe javët në vazhdim. I besoj përkushtimit të Bashkimit Evropian, dhe i besoj mbështetjes së fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Besimi ynë tek Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO i kanë sjellë të mira Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës, edhe në Rambuje edhe në procesin e Vjenës.
Nga negociatat në Rambuje, Kosova fitoi lirinë, u çlirua. Nga takimet në Vjenë, Kosova u pavarësua. Tani do ta konsolidojmë shtetin tonë.
Prandaj, që të sigurohemi se një gjë e tillë do të ndodhë, ne në takimin e ardhshëm presim që të përcaktojmë afatet kohore konkrete për zhbërjen e strukturave ilegale të Serbisë, me theks të veçantë atyre në fushën e sigurisë dhe drejtësisë", tha kreu i Qeverisë së Kosovës.

Tutje, ai shtoi se në takimin e radhës që do të mbahet më 4 mars, pritet që të përcaktohen detajet tjera për themelimin e mekanizmit implementues të marrëveshjeve të arritura që do të kenë rolin kyç në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve në praktikë.
Ai shtoi se një çështje tjetër e rëndësishme që është diskutuar gjatë këtij takimi ka të bëjë me normalizimin politik në pjesën veriore të Kosovës dhe integrimin e kësaj pjese në institucionet legjitime të Kosovës.
"Kjo çështje është shumë komplekse dhe ka në vete disa komponentë, e që natyrisht thelbësore do të jetë organizimi i zgjedhjeve të lira lokale dhe regjistrimi civil i popullsisë për atë pjesë.
Lidhur me mbajtjen dhe organizimin e zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore të Kosovës, mund t'iu them se ka një pajtueshmëri absolute ndërmjet palëve të përfshira në dialog' tha kryeministri Thaçi duke shtuar se nuk ka dyshim që zgjedhjet do të mbahen në përputhje me legjislacionin e Kosovës dhe ato do të certifikohen nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Kosovës.
Si një element tjetër të rëndësishëm që është diskutuar gjatë takimitë të pestë, ai përmendi propozimin për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.
"Dua të sqaroj qartë për ju të nderuar deputetë dhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, se themelimi i një Asociacioni të tillë është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Vetëqeverisje lokale. Asociacioni që do të themelohet nuk do të ketë rol as ekzekutiv dhe as ligjvënës. Kjo është shumë e qartë
Pra, nuk mund të jetë zëvendësim për Kuvendet Komunale dhe përgjegjësitë e Komunave nuk mund të bartën tek ky mekanizëm.
Në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë formimin e një niveli të tretë të pushtetit në Kosovë, por nuk mund ta ndaloj Serbinë që të ëndërroj gjëra të tillë. Serbia ka ëndërruar edhe ndarjen e Kosovës, edhe formimin e autonomisë, edhe një status të veçantë, edhe Republika Srpska, por të gjitha këto janë ëndrra të parealizuara të Serbisë në territorin e Kosovës. Këto ëndrra janë shuar njëherë e përgjithmonë më 25 korrik 2011, ku kemi vu në kontroll pikat kufitare të Republikës së Kosovës.
Gatishmëria e Kosovës për të hyrë në dialog për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe qasja jonë konstruktive kanë krijuar një vlerë të re për shtetin e ri të Kosovës në aspektin e vendosjes së rendit dhe ligjit, e po ashtu edhe në planin e politikës së jashtme e cila do të shfrytëzohet për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtarë të Kosovës.
Nga ana tjetër Bashkimi Evropian ka siguruar Qeverinë e Republikës së Kosovës se dialogu do t'i shërbej Kosovës për të avancuar në procesin e integrimeve Evropiane.
Si rrjedhojë e përmbushjes së kritereve evropiane Kosova është në rrugë të mirë që sivjet të nënshkruaj Marrëveshjen e Stabilizim Associmit dhe po ashtu të përfitoj nga Liberalizimi i Vizave.
Ngjashëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin këtë proces dhe janë pjesë aktive e dialogut. Dua t' iu siguroj se do të marrë vendime që janë plotësisht në pajtim me Kushtetutën, ligjet e Kosovës dhe dokumentin e presidentyin Ahtisari, e të cilat i hapin Kosovës perspektivë të sigurt për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Bashkim Evropian dhe në NATO.
Ka pasur zëra injorant duke përmendur Republika Srpska, autonomi, status special. Dua t'iu siguroj edhe njëherë se diçka e tillë është vetëm në kokat e mykura të ëndrrave millosheviqiane të Serbisë.
Këto projekte nuk do të realizohen kurrë në Republikën e Kosovës.
Në anën tjetër, edhe sa i përket mekanizmit të funksionimit të komunave me shumicë serbe, që do të krijohet, janë hapur tema dhe ide të ndryshme, se do të ketë karakter legjislativ apo ekzekutiv.
Diçka e tillë as që është kërkuar nga ne, e as që do të ndodh", tha kryeministri Thaçi duke siguruar të gjithë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe autonomi të serbëve në Kosovë. Ai shtoi se nuk do të ketë status special, as shkëmbim territoresh, e as model Ahtisari Plus, tha kryeministri i vendit duke ftuar deputetët dhe spektrin politik për një bashkëpërgjegjësi. "Aty ku mund të ndihmohet, na ndihmoni, drejt një qëllim të përbashkët, konsolidimin e shtetit të Kosovës", tha kryeministri i vendit.

Duke i dhënë mbështetje informatës së kryeministrit Thaçi, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), deputeti Arsim Bajrami u bëri thirrje të gjitha subjekteve politike që të jenë konstruktivë dhe të kontribuojnë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, në mënyrë që kjo agjendë shtetërore të përmbyllet me konsolidimin e plotë të shtetit të Kosovës.
Bajrami tha se ky proces ka si objektivë kryesore vendosjen e gjendjes kushtetuese dhe ligjore në veri të Kosovës, vendosjen e sovranitetit dhe integritetit të plotë të Republikës së Kosovës dhe kompletimin e ndërtimit të shtetit të Kosovës.
Qëllimi i dytë këtij procesi, shtoi më tutje Bajrami, është integrimi i veriut brenda sistemit kushtetues dhe politik të Republikës së Kosovës, nëpërmjet një procesi legjitim dhe demokratik, atij të zgjedhjeve, si dhe fillimi i realizimit të të drejtave të qytetarëve serbë në veri, të garantuara me Pakon e Ahtisarit.
Ndërsa objektiv i tretë, sipas tij, është normalizimi i raporteve me Serbinë dhe fillimi i agjendës evropiane për Republikën e Kosovës, duke neutralizuar bllokadën dhe destruksionet që Serbia ia ka bërë Kosovës.
"Vazhdimi i status-kuosë është një proces i cili e ka dëmtuar konsolidimin e plotë të shtetit", theksoi deputeti Bajrami.

Në emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetari i këtij grupi, Ismet Beqiri, tha se LDK-ja asnjëherë nuk e ka mohuar të qenit pjesë e shtetformimit dhe shtetndërtimit, por, sipas tij, kjo nuk do të thotë se në procesin aktual nuk ka rreziqe. Ai tha se në fillim të këtyre bisedimeve LDK-ja nuk ka qenë e kënaqur me mënyrën e zhvillimit të tyre, por, shtoi se pas miratimit të Rezolutës së Kuvendit të Kosovës u përcaktuan vijat e qarta mbi të cilat nuk mund të kalohet.
"I dhamë mbështetje, por vazhdojmë të shprehim shqetësimet tona se a mos gradualisht me zhvillimet dhe paralajmërimet e fundit, këto vija edhe mund të shkelen", theksoi Beqiri. Ai u shpreh pro respektimit dhe realizimit të drejtave të komuniteteve pakicë, në këtë rast të komunitetit serb, të përcaktuara me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës, ndërsa shprehu shqetësimin se mos Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë legjitimon një formë të tretë të pushtetit në Kosovë, gjë e cila, sipas tij, është e papranueshme.
"LDK-ja është fuqishëm kundër çdo asociacioni apo trupe me çfarë emërtimi qoftë ai, që do të kishte kompetenca eventuale ligjvënëse dhe ekzekutive", theksoi Beqiri.

Ndërsa, Liburn Aliu, duke folur në emër të grupit parlamentar Lëvizja Vetëvendosje, theksoi se asociacioni i komunave serbe nuk është integrim por ndarje e brendshme. "Asociacioni i komunave me shumicë serbe e përcakton qartë territorin, vijën territoriale ndarëse në mes të shqiptarëve dhe serbëve. Fjala me shumicë serbe, i bie që po krijoni diçka në vija etnike dhe kur thoni komuna i bie territor. Ju po vendosni vija territoriale ndarëse në baza etnike. Kësaj nuk i thonë integrim. Kësaj i thonë ndarje e brendshme', theksoi Aliu, duke shtuar se në radhën e shkuar të negociatave, këtij territori iu përcaktua ndarja e buxhetit. "Me buxhet të ndarë që buron nga pikat 1 dhe 31 e që do të menaxhohet nga përfaqësuesi i BE-së, pra nga dikush neutral, dhe më territor të ndarë de fakto është siguruar mosintegrimi.
Së pari, u nda buxheti, së dyti, u caktua territori dhe së treti, mbeti që në takimin e radhës të përcaktohen kompetencat ekzekutive. Kësaj i thonë autonomi. Ju pranuat të flisni për veriun, për serbët në Kosovë, jo më pa e vënë si kusht të drejtën e shqiptarëve nën Serbi, jo më pa qenë as temë madje, por edhe pas poshtërimit që Daçiçi që bëri me shqiptarët atje", theksoi Aliu.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, tha se AAK-ja ka insistuar se dëshiron të jetë aty ku bisedohet për Kosovën dhe se ky insistim qëndron edhe sot. "Duam të jemi në tavolinë. Kemi pranuar të marrim përgjegjësi dhe nuk mund të vazhdojmë të marrim përgjegjësinë nëse nuk jemi në tavolinë. Asociacioni i Komunave është e vërtetë që parashihet me ligj, dhe që del nga Ahtistari, por përmbajtja nuk është e precizuar dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm me përmbajtjen", tha Gjini, duke përfunduar se zgjedhjet lokale duhet të mbahen në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën ditë, e asessi të mos ketë dy palë zgjedhje lokale në Kosovë.
Ndërsa, kryetarja e KKR-së, Myzejene Selmani, duke përshëndetur raportimin e kryeministrit Thaçi para deputetëve të Kuvendit, lidhur me bisedimet në Bruksel tha se në bazë të Kushtetutës kryeministri është personi i cili duhet të na informojë se çfarë po ndodh në këto takime. "Në bazë të raportimit u pa se në takimin e pestë është diskutuar çështja e strukturave ilegale në veriun e Kosovës. Nga shpërbërja e këtyre strukturave ilegale serbe do të arrihet që të zbatohet Kushtetuta e Kosovës dhe se do të integrohet Veriu i Kosovës në institucionet e Kosovës dhe do të arrihet që të bëhet stabilizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Kërkojmë nga kryeministri edhe një herë që të ketë përkrahjen më të madhe nga BE-ja, SHBA-të dhe NATO që të bëhet integrimi i të gjitha strukturave në veriun e Kosovës, në institucionet lokale dhe institucionet qendrore.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, në fjalën e tij para deputetëve lidhur me bisedimet në Bruksel, tha se çështja shtrohet pse po zhvillohet ky proces i bisedimeve politike për çështje të brendshme të Kosovës, për të rikonfirmuar dokumentet të cilat i kemi në përdorim dhe për të biseduar pasi ato janë.
"Nëse këtyre bisedimeve po u themi normalizim i marrëdhënieve me Serbinë, unë këtë gjuhë të komunikimit nuk e shoh as në Beograd, as në Kosovë. Nuk e shoh gatishmërinë e Serbisë dhe përfaqësuesve të saj për t'i normalizuar marrëdhëniet me Kosovën. Ne duhet të jemi më të sinqertë me qytetarët të cilët i përfaqësojmë. Këto bisedime nuk janë vullnet as i përfaqësuesve të Kosovës, as i përfaqësuesve të Serbisë, janë bisedime që mbahen në Bruksel, me mbikëqyrjen e Brukselit..", theksoi mes tjerash kreu i Kuvendit duke shtuar se dy kryeministrave iu është imponuar rruga për t'u integruar në institucionet evropiane. "Prandaj, kur kemi parasysh këto, ne duhet të jemi më serioz dhe më transparent me qytetarët tanë. Ne atyre duhet t'ua themi të vërtetën", tha kreu i Kuvendit, dr. Krasniqi.
Më tej ai shtoi se nga informimet që kryeministri bënë në Kuvend lidhur me këto bisedime, përsëritet se do të merren vendime të vështira. "Kur kemi biseduar për pakon e presidentit Ahtisari edhe në Vjenë edhe Kosovë, është thënë se ky është një dokument i dhimbshëm. I dhimbshëm, por po e kalojmë për t'i hapur rrugë shpalljes së Pavarësisë. Pavarësia u shpall si dhe mbikëqyrja ndërkombëtare u hoq. Tash, pas gjithë këtyre, bisedimet janë të vështira. Bisedime të vështira pas atyre bisedimeve të dhimbshme dhe dokumenti të dhimbshëm të cilin e kemi miratuar në Kuvend. A mund të mbesim te ajo që ishte e dhimbshme me këto bisedime?!. Thënë të drejtën, unë nuk besoj që mund të mbesim te ajo që ne e kemi quajtur të dhimbshme, e kemi pranuar dhe e kemi. Do duhej që ta kemi edhe guximin, edhe përgjegjësinë, për ta thënë atë që është. Sa janë të vështira bisedimet dhe ku konsiston vështirësia e këtyre bisedimeve?!. Nuk ka kuptim të flasim për asociacionin e komunave kur kemi të gjitha dokumentet. Pse flasim për diçka që e kemi dhe a ka kuptim të zhvillohen bisedime të këtij niveli për ta verifikuar atë që e kemi?!", tha kreu i Kuvendit duke shtuar se ne, si përfaqësues të qytetarëve kemi obligim ta dimë çka përtej këtyre vështirësive, dhe çka përtej asaj që ishte e dhimbshme, si dhe çka prodhon ky vendim i vështirë që mund ta marrim diçka pozitive për qytetarët e Kosovës.
"Duhet të dihet se çka prodhojnë këto bisedime të vështira dhe se ne tani nuk kemi asnjë informacion për ta ditur se çka prodhojnë këto bisedime të vështira", tha krejtësisht në fund kryeparlamentari Krasniqi.

Pas një debati të gjerë të deputetëve të cilët ngritën çështje dhe shqetësime të ndryshme rreth procesit të dialogut me Serbinë, sidomos rreth asociacionit të komunave me shumicë serbe, strukturave ilegale serbe, gjykatave në veri, zgjedhjeve në veri, etj, fjalën e morën për një fjalë rasti edhe zv. kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

Mes tjerash u theksua se duhet të afatizohet shpërbërja e strukturave paralele serbe dhe se gjykatat në veri duhet të punojnë në kuadër të një sistemi unik gjyqësor në Kosovë, ndërkaq, u tha se është dashur që këto bisedime t'i kushtëzojmë me njohje reciproke dhe me shuarjen e strukturave paralele dhe heqjen e barrikadave.

Krejtësisht në fund fjalën e mori sërish edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai duke falënderuar deputetët për diskutimet e tyre, tha se për çdo hap të mëtejmë do të informohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, qytetarët, mediat, shoqëria civile dhe gjithë opinioni publik.
"Në emrin tim dhe të Qeverisë së Kosovës ju falënderoj për këtë debat konstruktiv, korrekt dhe në shërbim të proceseve tona konsoliduese të shtetit të Kosovës. ", tha kryeministri i vendit.

Mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit të KosovësMbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit të KosovësMbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit të KosovësMbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës