Lajmet e fundit

Nga mbledhje plenare e Kuvendit të Kosovës

E Premte, 01.03.2013




Në mbledhjen e sotme plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga, dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit deputetët temë të debatit parlamentar e kanë pasur demonstratën e 10 Shkurtit 2007. Në seancën e sotme merrnin pjesë edhe familjar të të rënëve në këtë demonstratë, Arben Xheladini dhe të Mon Balaj si dhe familjarë të disa të plagosurve nga policia e atëhershme e UNMIK-ut.

Duke e marrë fjalën, në emër të parashtruesit të kërkesës për debat, nënkryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, pasi ka folur për të drejtën universale njerëzore për liri, dinjitet dhe drejtësi, ka theksuar se edhe pa gjashtë vitesh nuk është dhënë vendimi i gjyqësor për vrasjen e dy të rinjve të Kosovës: Arben Xheladini dhe Mon Balaj, si dhe plagosjen e mbi 80 protestuesve në demonstratën paqësore të thirrur nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, por e kthyer, qëllimisht, në të dhunshme ,nga forcat policore rumune, ukrainase dhe polake të policisë së UNMIK-ut. "Demonstrata ishte shprehje e pakënaqësisë qytetare ndaj Planit të Ahtisaarit, që e përmban ndarjen etnike të Kosovës dhe shitjen e trashëgimisë sonë kulturore". Ai tutje ka prezantuar një tablo të sheshit ku zhvillohej demonstrata, pozicionimin frontal sulmues të policisë, si dhe shenjëstrimin e demonstruesve dhe të shtënat mbi ta me municione të ndaluara për manifestime protestuese, që bën që të dihet se nuk ishte qëllim i Policisë pengimi i demonstruesve, por dëmtimi sa më i rëndë i tyre. "Në vend që për këto krime të ndiqeshin kriminelët që i shkaktuan, UNMIK-u burgosi Albin Kurtin gati një vit dhe i mbylli zyrat e ETËVENDOSJE!-s nëpër Kosovë" . Ai tutje ka shpjeguar se kryepolici Stephen Curtis u kthye në shtëpinë e vet, pa ndonjë pasojë juridike për te, kurse Rumania madje i dekoroi policët e saj për punën e kryer.

Konjufca ka përmendur hetimin e e kryer nga kryeprokurori i UNMIK-ut Robert Dean, cili edhe ka përpiluar një raport në të cilin thotë se përdorimi i forcës nga ana e policisë ka qenë i ‘tepërt' dhe i ‘shmangshëm'.

"Institucionet e drejtësisë si dhe ato politike të Republikës së Kosovës deri sot nuk kanë bërë asgjë për këtë çështje" ka theksuar Konjufca, duke shtuar se serioziteti i një shteti matet me përkushtimin e tij ndaj mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve të vet kur ato shkelen. "10 Shkurti e ka parë krimin, manipulimin, shtrembërimin, njollosjen dhe përdhosjen. Por, 10 shkurti ka nevojë për drejtësi" ka thënë nënkryetari Kuvendit, Konjufca.

Në vazhdim të seancës kryeparlamentari Krasniqi ua ka dhënë fjalën shefave të grupeve parlamentare.

Duke e marrë fjalën në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, Behar Selimi, pasi ka keqardhjen e thellë për viktimat e 10 Shkurtit, 2007, ka theksuar interesin e deputetëve të grupit të tij parlamentar dhe interesin e tij personal që veprimet e padrejta dhe të paligjshme të policisë së UNMIK-ut, të marrin vendimin meritor të drejtësisë. Duke qenë njëri ndër eprorët e Policisë së Kosovës, në kohën e demonstratës, ai e ka pohuar se ndaj demonstruesve janë përdorur plumba vrastarë dhe se ka pasur interferime ndërkombëtare dhe diplomatike që krimi të fshihet e të heshtet, për ta shpëtuar së diskredituara misionin e UNMIK-ut.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, duke pohuar se policët UNMIK-ut nga Rumania kanë vepruar dhunshëm kundër një proteste paqësore, më 10 Shkurt 2007 ka theksuar : se policët e UNMIK-ut kryen krimin dhe ikën pa pasoja në vendin e tyre. Ai ka thënë se ata nuk mund t'i amnistojë askush, duke mbajtur qëndrim se për këtë çështje duhet të debatohet edhe në të gjithë mekanizmat relevant ndërkombëtar, deri në Asamblenë e Përgjithshme dhe në KS të OKB-së. Ai ka deklaruar se LDK kërkon hetim për të gjithë ata që ka bërë dhe kanë dhënë urdhër për krimin në protestën e 10 Shkurtit.

Duke folur në emër të Grupit Parlamentar VV. Visar Ymeri ka paraqitur një tablo të gjerë të asaj që ka ndodhur, ç'është hetuar dhe fshehur për këtë demonstratë. "Prokurori Robert Dean prodhoi dy raporte bazuar në hetimin e tij, i pari i botuar në prill dhe i dyti në fund të qershorit 2007. që i hodhi poshtë të gjitha akuzat e rrejshme të UNMIK-ut, ambasadave, dhe Grupit të Unitetit për kinse dhunën e ushtruar nga demonstruesit", ka theksuar Ymeri. Dean deklaronte: "Asgjë në dëshmitë e deritanishme nuk lë të nënkuptojë se Mon Balaj, Arben Xheladini ose Zenel Zeneli kanë bërë ndonjë gjë që do të kërcënonte jetën e policëve ose personave të tjerë në momentet kur ata u vranë". Folësi ka theksuar më këtë rast edhe nivelin e përgjegjësisë të të gjithë të implikuarve në këtë krim.

Burim Ramadani, në emër të AAK-së, ka pohuar se ngjarja, për të cilën po debatohet, është ende emocionale dhe shkakton dhembje për viktimat. "Tragjedia ka qenë e panevojshme dhe e shmangshme, ka thënë ai, duke e fajësuar kryekëput Policinë e UNMIK-ut, e duke pohuar se Shërbimi Policor i Kosovës, atë kohë, ishte jashtë organizimit dhe jashtë veprimit. Ai ka pohuar për një urdhëresë të OKB-së, atë kohë, që policët rumunë të mos e lëshojnë Kosovën për përfunduar procesi i hetimit për rastin.

Myzejene Selmanaj, në emër të KKR-së, duke shprehur keqardhje për të vrarët dhe të plagosurit në protestën e 10 Shkurtit, ka pohuar se Administrata e UNMIK-ut asnjëherë nuk ka bërë asgjë për ndriçimin e rastit.

Në debat kanë marrë pjesë deputetë të shumët,si: Agim Kuleta, Halit Krasniqi, Arben Gashi, Aalbulena Haxhiu, Hydajet Hyseni, Liburn Ali, Hashim Deshishku, Albin Kurti, Arben Zemaj, Sabri Hamiti, dhe Vjosa Osmani, të cilët kanë shfaqur qëndrime për domosdoshmërinë e zbardhjes së krimit në gjatë asaja demonstrate paqësore, si dhe janë pajtuar me rekomandimet e propozuara.
Deputetja, Albana Gashi, me këtë rast ka lexuar një letër të Amnesty International, të ditës së sotme, lidhur me demonstratat me 10 Shkurtit, të titulluar "Vonesë e stërzgjatur e drejtësisë për viktimat", në të cilën theksohet: "Amnesty International ka përsëritur vazhdimisht kërkesën që bashkësia ndërkombëtare në Kosovë t'u sigurojë atyre qasje në drejtësi, si dhe dëmshpërblim të plotë për humbjen dhe lëndimet e tyre. Aty thuhet shprehimisht ." Një hetim i brendshëm i UNMIK-ut në vitin 2007 konstatoi se shkaku i vdekjes së protestuesve ishte përdorimi i pavend i plumbave të gomës nga të paktën një e ndoshta dy qitës rumunë" dhe konstatohet: " Asnjë hetim i pavarur penal në Kosovë nuk është hapur ndonjëherë për vrasjet e kryera dhe lëndimet e të tjerëve. Një hetimi i paplotë i një prokurori ushtarak në Rumani ishte mbyllur në dhjetor 2009, pa i identifikuar përgjegjësit". "Për këtë arsye, Amnesty International kërkon nga qeveria e Kosovës që të mbështetë apelin për hapjen e një hetimi të paanshëm dhe të pavarur të vdekjeve dhe lëndimeve që ndodhën më 10 shkurt 2007", thuhet në letrën e kësaj organizate ndërkombëtare.

Në përfundim të seancës deputetët kanë miratuar rekomandimet e prezantuara nga deputeti Visar Ymeri , si më poshtë:
1) Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të kërkojë nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë që të iniciojë një debat dhe rezolutë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke kërkuar:
a. Që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të fillojë një hetim të veçantë dhe të pavarur të krimeve të kryera nga policia e UNMIK-ut më 10 shkurt 2007 në Kosovë;
b. Që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së t'ua heqë imunitetin zyrtarëve civilë dhe policorë të UNMIK-ut në zinxhirin komandues, si dhe njësisë së policisë speciale të dyshuar për kryerje krimesh kundër protestuesve paqësorë më 10 shkurt, 2007;
2) Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të kërkojë nga ministrat e jashtëm të vendeve që e kanë njohur Kosovën me përfaqësim të përhershëm në Këshillin e Sigurimit, si dhe mbështetësve të tjerë që janë anëtarë të përkohshëm, të propozojnë që:
a. Këshilli i Sigurimit të autorizojë një hetim të veçantë dhe të pavarur të krimeve të kryera nën autoritetin e UNMIK-ut më 10 shkurt 2007
b. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së t'ua heqë imunitetin zyrtarëve civilë dhe policorë të UNMIK-ut në zinxhirin komandues, si dhe njësisë speciale të policisë të dyshuar për krime kundër protestuesve paqësorë më 10 shkurt 2007.
3) Ministrat dhe të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet të angazhohen për ngritjen e kërkesës për një hetim të pavarur në takimet e tyre me zyrtarë relevantë të BE-së dhe të OKB-së, si dhe me diplomatë të tjerë ndërkombëtarë.

 

 

Nga mbledhje plenare e Kuvendit të KosovësNga mbledhje plenare e Kuvendit të KosovësNga mbledhje plenare e Kuvendit të KosovësNga mbledhje plenare e Kuvendit të Kosovës