Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i seancës plenare

E Premte, 01.03.2013




Në vazhdimin sot të pikave të mbetura nga seanca e ditës së djeshme, kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i ka njoftuar deputetët se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i është drejtuar Kryesisë së Kuvendit dhe kryeparlamentarit me një kërkesë për një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për të raportuar para deputetëve për takimin e tij, të pestë, me kryeministrin e Serbisë, në Bruksel. Kryeparlamentari Krasniqi ka thënë para deputetëve se seancën e jashtëzakonshme e thërret për sot, në orën 19:30.
Lidhur me pikën e rendit të ditës: Propozimi për zëvendësimin e anëtarit të Kryesisë së Kuvendit nga komunitetet tjera jo shumicë, sipas Marrëveshjes së Grupit Parlamentar "6+", kryesuesi i seancës ka kërkuar që çështja të shtyhet për një seancë tjetër, në mënyrë që të arrihet pajtimi ndërmjet deputetëve nga radhët komuniteteve të tjera jo shumicë.
Në përfundim të seancës, pasi të gjitha grupet parlamentare i kanë propozuar anëtarët e vetë për Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Mediave (PDK -2, LDK-2 , VV- 1, AAK -1, KKR-1, SLS-1 dhe 6+ 1), deputetët me një votë formale e kanë miratuar përbërjen e Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të KPM-së.

 

Nga vazhdimi i  seancës plenare