Lajmet e fundit

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, qëndroi në një vizitë zyrtare në Çeki

E Enjte, 28.02.2013




Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Xhavit Haliti, ka qëndruar për vizitë zyrtare në Pragë, gjatë të cilës ka zhvilluar takime të ndara me Komitetin për Politikë të Jashtme dhe Mbrojtje në Senatin e Republikës së Çekisë dhe Komisionin për Çështje Evropiane të Parlamentit të Çekisë.

Në takimin me senatorin Jaroslav Sikaçek, njëkohësisht nënkryetar i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë, z. Haliti e falënderoi atë për pritjen dhe vlerësoi se Çekia paraqet vendin model të transformimit në proceset demokratike. Haliti po ashtu tha se qytetarët e Kosovës i janë mirënjohjes popullit dhe institucioneve çeke, për përkrahjen e vazhdueshme që kanë dhënë në ndërtimin Kosovës moderne.

Më tej, nënkryetari Haliti deklaroi se Kosova është faktor paqeje e stabiliteti dhe për pesë vjet u transformua në demokraci moderne multietnike. Në këtë takim, Haliti foli edhe për progresin që Kosova ka bërë prej shpalljes së pavarësisë dhe për të arriturat në procesin e shtetndërtimit dhe integrimeve evropiane.

Senatori Jaroslav Sikaçek, ndërkaq, pasi i uroi mirëseardhje z. Haliti, shprehu gatishmërinë për bashkëpunim. Këtë vizitë ai e konsideroi si një mundësi për të avancuar bashkëpunimin dhe një mundësi të jashtëzakonshme për t'u njoftuar për së afërmi për zhvillimet në Kosovë. Më pas, senatori Sikaçek shfaqi interesim për zhvillimet në Kosovë, por edhe siguroi që do të mbështes çdo nismë në kuadër të dinamizimit të marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit parlamentar ndërmjet dy vendeve.

Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Xhavit Haliti, është pritur edhe në Dhomën e Përfaqësuesve të Parlamentit Çek, ku është takuar me znj. Dana Vahalova, nënkryetare e Komisionit për Çështje Evropiane në Dhomën e Përfaqësuesve të Parlamentit të Çekisë. Duke i uruar nënkryetarit Haliti mirëseardhje në Parlamentin çek, znj. Vahalova shprehu gatishmërinë për mbështetjen e proceseve integruese nëpër të cilat po kalon Kosova, në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Të dy palët u pajtuan se duhet të kalohet në fazën e intensifikimit të bashkëpunimit mes institucioneve parlamentare të të dy vendeve, në planin bilateral dhe multilateral.

Në të dy takimet pala çeke siguroi se nuk do të mungojë mbështetja për Kosovën dhe aspiratat e saj euro-atlantike në mënyrë që ajo sa më shpejtë të bëhet anëtare në organizatat ndërkombëtare.

 

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, qëndroi në një vizitë zyrtare në Çeki Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, qëndroi në një vizitë zyrtare në Çeki