Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Mërkure, 27.02.2013
Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga Lutfi Haziri, raportoi Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Enver Hoxhaj, lidhur me raportet e Kosovës me Këshillin e Evropës.
Ministri Hoxhaj para anëtarëve të komisionit foli lidhur me zhvillimet dhe të arriturat e deritanishme të kësaj ministrie, sfidat me të cilat po përballen drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës (KE), Planin Strategjik dhe të Veprimit, si dhe për bashkëpunimin me Kuvendin e Kosovës, me institucionet tjera të vendit dhe të vendeve rajonale.
Fillimisht ai vlerësoi se gjer në vitin 2010 Kosova nuk ka pasur ndonjë kontakt direkt me KE-në, ndërkaq, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ai përmendi se vendi ynë ka pasur kontakte të limituara me Këshillin e Evropës, ndërsa organizatat e mëdha ndërkombëtare tha se kanë qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës.
Sipas tij situata ka filluar të ndryshojë para disa vitesh kur Asambleja Parlamentare e KE-së ka lejuar pjesëmarrjen e deputetëve kosovarë në seancat e diskutimit, ndërsa përmendi më tej edhe takimet që ai ka pasur me Sekretarin e KE-së, z. Jagland.
Me këtë rast ai tha se 35 vende nga 47 sosh që i ka KE-ja, e kanë njohur Kosovën, mirëpo shtoi se pengesë për anëtarësim nuk i sheh qeveritë e vendeve anëtare të KE-së, por deputetët të Asamblesë Parlamentare të Këshillit, meqë sipas tij disa prej tyre në disa raste shfaqin qëndrim kundër vendit tonë. Dhe , për këtë çështje ai tha ka interes të veçantë që të koordinohet me anëtarët e komisionit parlamentar për integrime evropiane.
"Qëllimi jonë është që të jemi anëtar i plotë, e jo i asociiuar. Nuk jemi të interesuar që Kosova ta ketë statusin e vëzhguesit", theksoi ministri Hoxhaj duke folur më tej për rezolutën e miratuar në Këshillin e Evropës, të cilën e quajti ndër dokumentet më të rëndësishme të miratuara nga ana e KE-së.
Tutje, ai tha se në vitin 2013 prioritet i MPJ-së është anëtarësimi i Kosovës në organizatat evropiane e ndërkombëtare. Ndërkaq, sqaroi se MPJ që dy vite ka një dokument konfidencial i cili përshkruan çdo hap që do ta ndërmarr Kosova drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
"Anëtarësimi i Kosovës në KE është një proces dhe nëse tash aplikojmë duhet ta kemi parasysh që do të përcillet nga një proces që nganjëherë do të ketë elemente të pasigurta" tha ai duke shtuar se Kosova për këtë anëtarësim do të duhet t'i përmbushë disa parakushte të brendshme që kanë të bëjnë më sundimin e ligjit dhe të drejtat dhe liritë e njeriut. Ministri i MPJ-se tha se posedojnë dokumentacion të plotë së ku MPJ mund të ketë bashkëpunim me Komisionin për Integrime Evropiane duke kërkuar nga anëtarët e komisionit edhe sugjerime.
Tutje, si një provë të mirëfilltë ai përmendi aplikimin e Kosovës në Bankën Zhvillimore në KE. Duke folur për aplikimet në organizatat ndërkombëtare tha se aplikimi i çdo shteti për anëtarësim në çdo organizatë është proces kompleks.
Anëtarët e komisionit fillimisht theksuan se janë të gatshëm të bashkëpunojnë në procesin drejt anëtarësimin në KE duke shfaqur sugjerime konkrete për ministrin Hoxhaj, ndërkaq, parashtruan edhe pyetje të shumta për të.
Duke u përgjigjur në pyetjet e Lutfi Haziri, Vjosa Osmani, Alma Lama, Suzan Novobrdali, Ismet Beqiri e Blerta Deliu, ministri Hoxhaj tha se
sjelljet e KE-se shpeshherë në shumë procese brenda dhe jashtë Evropës nuk janë shumë evropiane. Disa vende që e kanë njohur Kosovën shtet me të cilat kemi bashkëpunim të mirë në disa situata të caktuara sillen sikur të mos e kishin njohur Kosovën, tha ai duke përsëritur se anëtarësimi në KE është proces më kompleks dhe se është e vështirë të sigurohet vota nga një shtet edhe për aplikim në ndonjë organizatë.
Duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të komisionit, ministri Hoxhaj tha se sa i përket aplikimit për statusin e mysafirit të veçantë kjo nuk mund të bëhet deri në anëtarësim.
Më tej ministri i MPJ-së tha se kjo ministri synon që këtë vit të aplikojë në Bankën zhvillimore të KE-së duke besuar fuqishëm në këtë anëtarësim.
Pasi foli edhe për dialogun Kosovë - Serbi dhe për çështjen e mosnjohjes së Kosovës shtet nga 5 vende anëtare të BE-së, foli edhe për konsulaten në Strasburg, e cila u kritikua për jofunksionalitet. Ai tha se deri më tani kemi emëruar vetëm një shef të misionit dhe se është çështje javësh drejt plotësimit të stafit. Krejtësisht në fund ministri Hoxhaj tha se politika e jashte mund të bëhet më profesionale, dhe këtu ai përmendi problemet e MPJ në të cilat has kjo ministri për pjesëmarrje në shumë organizata.
Në vijim, anëtarët e komisionit shqyrtuan dhe përkrahën për procedim të mëtejmë këto projektligje: Projektligjin nr. 04/L-146 për Agjencinë për menaxhimin e komplekseve memoriale të Kosovës, Projektligjin nr. 04/L-150 për Odat e profesionistëve shëndetësor, Projektligjin nr. 04/L-164 për Ansamblin Kombëtar të këngëve dhe valleve "Shota dhe për Ansamblet e tjera, si dhe Projektligjin nr. 04/L-185 për tarifat e veçanta të akcizës për prodhimin fillestar dhe prodhimin e vogël të produkteve alkoolike të prodhuara në Kosovë. Të gjitha këto me amendamentet e komisioneve funksionala nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.