Lajmet e fundit

Grupi i Grave Deputete priti të ngarkuarën me punë në Ambasadën finlandeze, Anne Meskanen

E Mërkure, 27.02.2013




Grupi i Grave Deputete (GGD) të Kuvendit të Kosovës, priti sot të ngarkuarën me punë në Ambasadën finlandeze, Anne Meskanen. Gjatë takimit, znj. Meskanen u shpreh e impresionuar me punën e GGD-së, ndërsa shfaqi interesimin për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet grave parlamentare të Fiinlandës dhe atyre të Kosovës.

Kryetarja e GGD-së, Teuta Sahatqija, e njoftoi diplomaten finlandeze për angazhimet e grupit në procedurat ligjvënëse dhe në projekte të tjera të rëndësishme, si: fuqizimi ekonomik i gruas, qasja në drejtësi, projekti për mamograf mobil etj.

Deputetja Flora Brovina foli për shkallën e lartë të papunësisë, sidomos të grave, si dhe problemet me të cilat ballafaqohen gratë viktima të dhunës gjatë luftës, të cilat vazhdojnë të jenë të stigmatizuara.

Meskanne, nga ana e saj, shprehu interesimin për projekte lidhur me zvogëlimin e papunësisë, për drejtësinë, buxhetimin gjinor, luftimin e korrupsionit etj., dhe konfirmoi bashkëpunimin me institucione dhe organizata të shoqërisë civile, si: "Medika" në Gjakovë, "Aktiv" në veri të Mitrovicës etj.

Deputetet Sahatqija e Brovina kërkuan thellimin e bashkëpunimit dhe që parlamentaret finlandeze të jenë zëri i Kosovës aty ku deputetet e Kosovës nuk kanë qasje, si dhe të lobojnë për njohjen e Kosovës dhe liberalizimin e vizave.

Diplomatja Meskanen, ndërkaq, premtoi se bashkëpunimi me GGD-në do të vazhdojë edhe në të ardhmen, ndërsa do ta angazhojë ekipin e saj për gjetjen e mënyrës për të kontribuuar në fondin për blerjen e aparaturës së mamografit mobil.

 

Grupi i Grave Deputete priti të ngarkuarën me punë në Ambasadën finlandeze, Anne Meskanen