Lajmet e fundit

Mbledhje e Komisionit për Punë të Jashtme

E Mërkure, 27.02.2013




Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Enver Hoxhaj, për më shumë se dy orë rresht ka raportuar para anëtarëve të Komisioni për Punë të Jashtme, dhe u është përgjigjur pyetjeve të shtruara dhe shqetësimeve të ngritura për gjendjen e MPJ-së dhe të Shërbimit Diplomatik të Kosovës.

Duke ekstraktuar nga plani i punës së ministrisë që e drejton, ministri Hoxhaj në pjesën e parë të raportimit të tij në Komision është përqendruar tek prioritetet e MPJ-së.

Si prioritet të parë Hoxhaj ka përmendur anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Në këtë mes ai ka përmendur anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e duke e veçuar si pozitiv fakt që "pro" anëtarësimit kanë votuar edhe vende të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën. Për këtë vit, ndërkaq , ka pohuar se vendi ynë do të shtrojë kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Hoxhaj ka theksuar se 35 vende nga 47 sa i ka KE, tanimë e kanë njohur Kosovën, prandaj, pengesë për anëtarësim nuk i sheh qeveritë e vendeve anëtare të Këshillit, por deputetët të Asamblesë Parlamentare të KE-së, disa prej të cilëve herë-herë shfaqin diskonim kundër vendit tonë.

Prioritet të dytë ka përmendur konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Në këtë mes ai procesin e njohjeve ndërkombëtare për Kosovën e ka quajtur " proces të pandalshëm, të pakthyeshëm dhe të pacenueshëm", duke përkujtuar 13 njohjet që kanë ndodhur gjatë vitit të shkuar, e duke pohuar se pesë deri në shtatë shtete tashmë janë në procedurë të njohjes së vendit tonë.

Integrimet evropiane dhe euroatlantike, Hoxhaj i ka vlerësuar prioritet tjetër të MPJ-së. Në këtë plan ai është shprehur optimist për lidhjen e marrëveshjes së asocim-stabilizimit, si marrëveshjen e parë Kosovë-BE, sepse është shprehur Hoxhaj: " shumica e vendeve të botës na shohin siç na sheh BE-ja"

Ndër prioritetet e ministrisë së tij Hoxhaj ka veçuare bashkëpunimin rajonal, duke ua dorëzuar me këtë rast anëtarëve të Komisionit Protokollin për bashkëpunim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, i cili pritet të nënshkruhet në një ta ardhme jo të largët.

Si prioritet të fundit, ndërkaq, ministri ka përmendur funksionalizimin e MPJ-së. Në këtë mes ka përmendur organogramin e ri të Ministrisë dhe kompletimin e stafit të Zyrës për lëshimin e vizave për vendet jashtë Zonës Shengen.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme , Albin Kurti, i cili e ka drejtuar takimin, pasi e ka falënderuar ministrin Hoxhaj për këtë raportim, e duke i përkujtuar atij ftesat e përsëritura, të cilave nuk u është përgjigjur sot e dhjetë muaj , ka shfaqur brengosjen e tij për gjendjen e MPJ-së dhe të Shërbimit Diplomatik të Kosovës, për degradimin e vazhdueshëm të tyre, si dhe për mospërmbushjen e rekomandimeve të Kuvendit, në përfundim të interpelancës së ministri Hoxha para Kuvendit (më 11 tetor 2012). Ai, ndërkaq , ka shtruar shumë pyetje për ministrin Hoxhaj për të kuptuar nëse ka gjasa për përmirësime në këtë dikaster të rëndësishëm.

Njësoj ka vepruar edhe nënkryetari i Komisionit Hydajet Hyseni, si dhe anëtarët: Sabri Hamiti e Skender Hyseni, kurse Berat Buzhala është treguar më i kursyer në pyetje të rënda për ministrin. Pyetjet kanë pasur të bëjnë me funksionimin jo të mirë të ministrisë, me buxhetin e saj të shpenzuar pa kriter, me punësimin politik të individëve në këtë ministri (pa përfillur institucionin e konkursit dhe profesionalizmin e kandidatëve), si dhe me gradime arbitrare e pa kriter të stafit të MPJ-së dhje të atij të Shërbimit Diplomatik. Anëtarët e Komisionit kanë pohuar madje se kanë informata që nga 600 kandidatët e testuar nga MPJ-a, shumica prej tyre me kualitete solide profesionale, nuk është pranuar asnjëri prej tyre, por janë pranuar kandidatë të tjerë në linja partiake e të grupeve të interesit. Është përmendur edhe çështja e fusnotës, e cila miratuar për tu përdorur në takimet rajonale, ka filluar të duket edhe nëpër dokumente të rëndësishme të BE-së. Ka pasur vërejtje, ndërkaq edhe për paralajmërimin e marrëveshjes për krijimin e të ashtuquajturit "Asociacioni i komunave serbe në Kosovë", për përdorimin e termit eufemik " dialog" për bisedimet me Serbinë, të cilat është theksuar se tashmë po quhen "dialogu Beograd-Prishtinë" . Është shfaqur brenga edhe për kakofoninë e politikës së jashtme të Kosovës dhe për përzierjen e kompetencave ndërmjet ministrit të Jashtëm dhe zëvendëskryeministrave të Kosovës, si dhe ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Integrimeve Evropiane.

Ministri Hoxhaj, duke u përgjigjur në pyetjet e shtruara ka theksuar dinamikën e tij dhe të qeveritarëve të tjerë për afirmimin ndërkombëtar të Kosovës dhe për lobimin për më shumë njohje. Ai madje ka theksuar se do të nxirrte edhe shumë fakte të reja për njohjet, por nuk e bën këtë për shkak të pranisë së mediave në takim. Ai është shprehur se politika e jashtme e Kosovës është në unison, pavarësisht aktorëve të ndryshëm që e ushtrojnë. Ai ka pohuar se marrëveshjet e arritura me Serbinë në procesin e dialogut në Bruksel janë ndërkombëtare, të cilat i ka quajtur shumë të rëndësishme për Kosovën dhe procesin e njohjeve. Hoxhaj ka pohuar faktin se janë testuar 600 kandidatë në ministrinë e tij, por ka mohuar se janë pranuar kandidatë pa konkurs.

 

Mbledhje e Komisionit për Punë të Jashtme