Lajmet e fundit
Kryeparlamentari takoi kryetarët e komisioneve
E Mërkure, 27.02.2013
Përshpejtimi i shqyrtimit dhe procedimit të projektligjeve nga komisionet parlamentare, ishte temë e takimit të sotëm të kryeparlamentarit, dr. Jakup Krasniqi, me kryetarët e komisioneve.
Duke vënë në pah se në procedurën e shqyrtimit në Kuvend janë 37 projektligje, kreu i Kuvendit kërkoi angazhim edhe më të madh nga komisionet. Po ashtu, kryeparlamentari Krasniqi, tha " Projektligjet që janë në fazën e shqyrtimit, pesë në shqyrtim të dytë, 28 të miratuara në parim dhe katër nga to që presin shqyrtimin e parë, duhet të harmonizohen në përpikëri edhe me direktivat e BE-së". Për të realizuar këtë, ai kërkoi bashkëpunim edhe më të ngushtë të komisioneve me Zyrën për Standardizim të Kuvendit.
Kryetarët e komisioneve, ndërkaq, pasi njoftuan me dinamikën e punës në komisione, premtuan se të gjitha projektligjet që janë në proces të shqyrtimit do të amendamnetohen në harmoni me afatet e parapara në Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Ndër sfidat që paraqiten gjatë shqyrtimit të disa projektligjeve, u ngrit çështja e atyre projektligjeve të sponsorizuara nga Qeveria, të cilat kanë kosto të lartë financiare e që nuk janë paraparë në kornizën afatmesme buxhetore dhe mosharmonizimi i projektligjeve me Kushtetutën e Kosovës.