Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale
E Mërkure, 27.02.2013
Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme, të cilën e udhëhoqi kryetari Fikrim Damka, ka shqyrtuar dy projektligje dhe është njoftuar me zhvillimet rreth çështjes së pensioneve të qytetarëve të Kosovës në Zvicër.
Komisioni shqyrtoi dhe e përkrahu në parim projektligjin për produkte medicinale dhe pajisje medicinale, duke e proceduar për shqyrtim të parë në Kuvend.
Komisioni nuk përkrahu, ndërkaq, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, personave të dhunuar gjatë luftës, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre.
Në këtë mbledhje, komisioni u njoftua me zhvillimet që kanë të bëjnë me çështjen e pensioneve të qytetarëve të Republikës së Kosovës në Zvicër dhe mundësive pëer gjetjen e një zgjidhjeje.
Sekretari për migracion në Sindikatën Unia në Zvicër, Osman Osmani, shpalosi historikun e kësaj problematike dhe prezantoi angazhimet që bëhen në zgjidhjen e saj.
Kryetari i komisionit, Fikrim Damka, tha se së shpejti komisioni do të organizojë një dëgjim publik me të gjitha palët përgjegjëse për këtë çështje.