Lajmet e fundit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

E Mërkure, 27.02.2013




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, shqyrtoi Propozim-Programin e punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2013. Me këtë rast u theksua se përcaktimi dhe realizimi i agjendës legjislative përbën bazën kryesore të strategjisë dhe të punës së Kuvendit. Në këtë frymë gjatë diskutimit u tha se përcaktimi i dinamikës së procedimit të projektligjeve nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe respektimi i orarit të dorëzimit të projektligjeve, mundëson që Kuvendi të aprovojë me kohë ligjet. Përfillja e afateve të parapara të dorëzimit të projektligjeve për shqyrtim në Kuvend shihej si një obligim shumë i rëndësishëm , sepse kjo siguron edhe procedura të rregullta. Në këtë vështrim kërkohej që procedimi i projektligjeve sipas muajve të jetë kontinuitiv e racional.

Projektligjet në Kuvend dorëzohen sipas ligjit, por kur kjo nuk është e përcaktuar duhet të dorëzohen në gjashtëmujorin e parë. Po kështu, u theksua se vonesa e dorëzimit me kohë të projektligjeve, sidomos nëse ato lihen për dy muajt e fundit, paraprakisht do të thoshte se ato nuk mund të aprovohen brenda këtij viti.

Respektimi i afateve njëjtë vlen edhe sa i përket dorëzimit të raporteve të agjencive që i ka themeluar Kuvendi i Kosovës. Në funksion të koordinimit sa më të mirë në fushën e ligjeve ndërmjet Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, u theksua që përfaqësues ligjor të Qeverisë të marrin pjesë në mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit. Në mbledhje u fol edhe për detyra të tjera që dalin para Kuvendit gjatë këtij viti.

 

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit