Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Arsim, Kulturё, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media
E Marte, 26.02.2013
Shqyrtimi Rekomandimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa në Projektligjin nr. 04/L-135 për Veprimtari Kërkimore, Shkencore, Inovacione dhe Teknologji, ishte temë thelbësore e mbledhjes së sotme të Komisioni për Arsim,Kulturё, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, i kryesuar nga, Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit. Në këtë mbledhje merrnin pjesë edhe anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa, në krye me kryetaren Safete Hadërgjonaj, ministri për Arsim , Shkencë dhe Teknologji,Ramë Buja, si dhe zëvendësministri i Ministrisë së Financave , Ramadan Avdiu.
Në qendër të vëmendjes së debatit mjaft të gjerë ishte amendamenti 5 i këtij Projektligji, sipas të cilit parashihej që për Agjensionin shtetëror për kërkime shkencore, të ndahen mjete për financim deri në 0,7 për qind të buxhetit të Kosovës,që ishte edhe çështje kryesore shqyrtimi.
Si në fjalën e ministrit Ramë Buja, ashtu edhe në diskutimet e kryetares e diskutuesve tjerë të Komimisionit për Buxhet dhe Financa , kërkohej që mos të përcaktohet shkallë financimi për këtë agjension, sepse nuk lejojnë mundësitë financiare të Kosovës. Ata nuk ishin kundër faktit që të formohet dhe të financohet ky agjension, por ata kërkonin që financimi të bëhet mbi bazën e kërkesave dhe programeve të ofruara, por pa përcaktuar ndonjë shkallë përqindjeje, sepse , si theksonin ata, këtë nuk e lejon as Ligji për financat publike. Ndërkaq, diskutuesit nga Komisioni për Arsim mbronin mendimin se parashikimi i kësaj shkalle mund të parashihet me Projektligj dhe se ky financim i rregullt do të ndihmonte zhvillimin e shkencës.
Si kundërpërgjigje nga diskutuesit e Komisionit për Buxhet dhe Financa theksohej se askush nuk është kundër formimit të agjensionit dhe kontributit për zhvillimin e shkencës, por kjo të mos parashihet me nen të veçantë.
Në këtë dualizëm pikëpamjesh , Naser Osmani, nënkryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, paraqiti propozimin që ky amendament të ketë këtë përmbajtje:Qeveria e Kosovës të sigurojë mjete të nevojshme financiare për veprimtarinë shkencore e kërkimore të agjensionit të pavarur. Ky propozim u përkrah nga shumica e të pranishmëve, ndaj i mbetet Komisionit për Arsim, Kulturё, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media që të riformulojë amendamentin 5, duke mos paraparë shkallë të përqindjes së financimit nga buxheti i Kosovës.
Komisioni diskutoi edhe lidhur me amendamentin 40 lidhur me atë se agjensioni a duhet të jetë i pavarur apo duhet të jetë në kuadër të Ministrisë së Arsimit , Shkencës dhe Teknologjisë.