Lajmet e fundit
Kryetarët e komisioneve takuan delegacionin e Këshillit të Evropës
E Marte, 26.02.2013
Kryetarët e komisioneve parlamentare të Kuvendit të Kosovës kanë pritur sot delegacionin e Këshillit të Evropës, në përbërje të Matjaz Gruden , zëvendësdrejtor i Kabinetit të z.Torbjorn Jagland, Uwe Muller , këshilltar politik në Drejtoratin për Këshilldhënie Politike, Tim Cartwright, shef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, si dhe Andrew Forde , zëvendësshef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë.
Kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, i cili e ka drejtuar takimin, ka shfaqur kënaqësinë për takimin me përfaqësues të Këshillit të Evropës. Ai ka përshëndetur vullnetin e këtij institucioni të rëndësishëm evropian, në të cilin aderojnë 47 shtete, për thellimin e bashkëpunimit me Kosovën. Haziri ka pohuar aspiratën evropiane të Kosovës, prandaj e ka quajtur shumë të rëndësishme mbështetjen e Kosovës në procesin e integrimeve evropiane.
Kryesuesi i delegacionit të Këshillit të Evropës, Matjaz Gruden, ka theksuar përkushtimin e Sekretarit të Përgjithshëm të këtij këshilli për të vënë kontakte me Kosovën dhe krijuar kushte për realizimin e të drejtave demokratike dhe të njeriut , konform Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut. Ai ka pasur parasysh vështirësitë që paraqet qëndrimi i Këshillit të Evropës për neutralitetin ndaj statusit të Kosovës Evropës, por ka parë shpresë tek korniza më e gjerë e interpretimit të këtij neutraliteti. Duke theksuar rëndësinë që Këshilli i jep Kosovës, Gruden ka përmendur faktin që në vendin tonë është përqendruar misioni i dytë më i madh i KE-së. Prandaj ka thënë ai: " Kemi ardhur në Prishtinë për të parë modelet dhe perspektivat e bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Evropës she Kosovës".
Albin Kurti, Vjosa Osmani, Hydajet Hyeni, Ahmet Isufi dhe Suzan Novlobërdali, në diskutimet e tyre kanë shprehur interesimin e vendit tonë për integrime evropiane dhe euroatlantike, por gjithashtu kanë shfaqur brengosje për mosnjohjen e Kosovës nga pesë vende të BE-së dhe imponimin nga këto pak vende të neutralitetit të BE-së ndaj statusit të vendit tonë. Ata kanë shprehur rezervat e tyre për një varg qëndrimesh dhe termash joadekuatë të shprehur në Draft-rezolutën e Asamblesë Parlamentare të KE-së për Kosovën, si dhe për rekomandimet e miratuara .
"Neutraliteti ndaj statusit të Kosovës po reflektohet keq për zhvillimin e vendit dhe për afirmimin ndërkombëtar të tij", janë shprehur kryetarët e komisioneve parlamentare, të cilët e kanë quajtur fajtor Beogradin për yshtjen e strukturave paralele në veri të Kosovës për ta destabilizuar gjendjen edhe në këtë fazë të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve . Sa i përket realizimit të të drejtave të qytetarëve, konform Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut, parlamentarët e Kosovës kanë theksuar vështirësitë e realizimit të mirë të tyre, në kohën kur Kosova nuk ka qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg.
Në përfundim të takimit, kryesuesi, Lutfi Haziri, ka propozuar tri rekomandime për Këshillin e Evropës:
- Që të përkrahen pushtetet lokale,
-Të mbrohen dhe të promovohen të drejtat e njeriut, duke ua lejuar qytetarëve të Kosovës të shtrojnë ankesa në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe
- Të mbështetet mbrojtja e trashëgimisë kulturore të Kosovës, deri sa vendi ynë të bëhet anëtar, me të drejta të plota, i UNESKO-s.
Kryesuesi i delegacionit të Këshillit të Evropës, Matjaz Gruden, u ka thënë tri herë "PO!" rekomandimeve të propozuara.