Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Hënë, 25.02.2013
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetari Lutfi Haziri, raportoi zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, rreth përmbushjes së kritereve afatshkurtëra të dala nga Raporti mbi Studimin e Fizibilitetit dhe takimit të dialogut të strukturuar të mbajtur në Prishtinë, më 12 shkurt.
Duke folur për takimin e dialogut të strukturuar për rend dhe ligj, i cili është mbajtur në Prishtinë, zv.kryeministri Kuçi tha se në këtë takim kanë marrë pjesë zyrtarë të lartë të Komisionit Evropianë dhe se qëllimi i këtij takimi ka qenë diskutimi i zhvillimeve në fushën e rendit dhe ligjit në Kosovë. Ai ka sqaruar se në këtë takim të gjitha institucionet që mbrojnë rendin dhe ligjin në Kosovë kanë raportuar politikat dhe aktivitetet e ndërmarra gjatë vitit të fundit për përmirësimin e gjendjes në fushën e rendit dhe ligjit.
Duke njoftuar komisionin lidhur me veprimet e ndërmarra që kanë kontribuar në plotësimin e kritereve afatshkurtëra, zv.kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, z. Kuçi tha se sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Kodi i ri Penal dhe ai i procedurës penale kanë ashpërsuar luftën kundër korrupsioni dhe krimit të organizuar.
Ai më tej ka përmendur edhe Strategjinë kundër korrupsionit dhe Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë si dhe Ligjin për parandalimin e financimit të terrorizimit dhe shpëlarjes së parave, duke shtuar se kjo tashmë përbën një pako të re ligjesh e cila i sjellë risi sistemit të drejtësisë, duke i quajtur si mjete më të fuqishme që ka pasur ndonjëherë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Ai përmendi edhe punën të cilën është duke e bërë Ministria e Financave në luftimin e krimit financiar, siç është amendamentimi i Ligjit për parandalimin e financimit të terrorizimit dhe shpëlarjes së parave si dhe Strategjinë Kombëtare dhe Planin e veprimit kundër krimit ekonomik.
"Jemi fokusuar në veçanti edhe në ekstradim. Vetëm vitin e fundit kemi bërë mbi 20 ekstradime të ndryshme. Ministria e Drejtësisë po e drejton një fushë të veçantë të krijimit të raporteve të mira edhe me EULEX-in, por në kuptimin e tranzicionit pozitiv, të asaj që EULEX-i ka bërë deri më tani, për ngritjen e kapaciteteve tona që në qershor të vitit 2014 të përfundojë ky mision në Kosovë", theksoi Kuçi.
Anëtarja e komisionit, Alma Lama, duke kritikuar mënyrën e prezantimit të ministrit Kuçi, duke përmendur më tej vërejtjet për gjyqësorin në raportin e Komisionit Evropian. "Brengë më e madhe mbeten ndërhyrjet politike në sistemin gjyqësor. Ekziston një lloj atmosfere e frikës dhe shantazhit tek këta gjykatës e cila krijohet nga politika, nga partitë në pushtet", theksoi Lama, duke kërkuar sqarime nga ministri Kuçi edhe lidhur me çështjen e mbrojtjes së dëshmitarëve për shkak të mungesës së buxhetit, e cila sipas saj nuk është garantuar nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.
Me këtë rast zv/kryeministri Kuçi tha se gjyqësori në Kosovë është institucion i pavarur nga legjislativi dhe ekzekutivi dhe se asnjëherë më parë gjyqësori apo prokurori nuk kanë pasur instrumente më të fuqishme se sa që kanë tani.
Ai shtoi se sa i përket ndërhyrjeve politike, gjyqtarët duhet të deklarojnë hapur këtë, ndërkaq shtoi se në Kosovë ka vizion për rend dhe ligj. Sa i përket çështjes së mbrojtjes së dëshmitarëve ministri Kuçi tha se MD-ja ka nxjerrë Ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe Ligjin për mbrojtjen e informatorëve, duke shtuar se Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve mund të kushtojë rreth 7 milionë euro në vit dhe se buxheti i Kosovës nuk e ka pasur këtë fuqi.
Ministri Kuçi më tej u përgjigj në pyetjet e anëtarëve të Komisionit: Suzan Novobrdali, Ismet Beqiri e Albert Kinolli. Ndërsa, kryetari i komisionit Lutfi Haziri tha mes tjerash se mbi 70 ligje duhet të rishikohen dhe të miratohen dhe se në këtë agjendë të madhe legjislative që duhet realizuar përfshihet edhe Ligji për qeverinë dhe ai pwr financimin e partive politike. Ai krejtësisht në fund kërkoi sqarime nga ministri Kuçi nëse Qeveria ka filluar të ndërmarrë veprime me Kryesinë e Kuvendit dhe Kryetarët e Komisioneve Parlamentare që të fillojë adaptimin e kësaj agjende legjislative, në mënyrë që të ndërtohen kapacitete të mjaftueshme që të miratohen ligjet me kohë dhe që ky fakt të shënohet si progres.
Pas raportimit të zv.kryeministrit Kuçi në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, anëtarët e komisionit shqyrtuan një sërë projektligje.
Ata , përkrahën Projektligjin nr.04/L-183 për transportin tokësor të mallrave të rrezikshme, si dhe Projektligjin nr.04/L-101 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për fondet pensionale të Kosovës, me amendamentet e komisioneve funksionale nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së. Ndërkaq, sa i përket Projektligjit nr.04/L-156 për kontrollin e duhanit, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, Komisioni për Integrime Evropiane, nuk e mbështeti atë, duke propozuar amendament tjetër.
Ndërkaq, shqyrtimi i Projektligjit nr. 04/L-146 për Agjencinë për menaxhimin e komplekseve memoriale të Kosovës, Projektligjit nr; . 04/L-150 për Odat e profesionistëve shëndetësor, si dhe Projektligjit nr.04/L-164 për Ansamblin Kombëtar të këngëve dhe valleve "Shota, me amendamentet e komisioneve funksionale nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, mbetën të shqyrtohen në mbledhjen tjetër të radhës.