Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...

E Hënë, 25.02.2013




Në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, të kryesuar nga Suzan Novobërdali, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të medieve në Kosovë, u shqyrtua Raporti i Institucionit të Avokatit të Popullit, që ka të bëjë me lirinë e medieve. Konstatimin e Raportit të Avokatit të Popullit se mediet në Kosovë nuk gëzojnë liri të plotë e pohoi edhe përfaqësuesi i medieve, Alban Zeneli, nga Unioni i Gazetarëve. Këtë vlerësim, Zeneli e ilustroi edhe me faktin se Kosova renditet e 85-a, në botë për sa i përket lirisë së medieve. Përpos kërcënimeve që u bëhen gazetarëve, Zeneli vuri në dukje një mori çështjesh me të cilat ballafaqohen mediet. Gjendja socio-ekonomike, mungesa e kontratave të punës, pamundësia e qasjes në dokumente publike, ishin vërejtjet e Zenelit me këtë rast. Mendim të njëjtë shfaqi edhe përfaqësuesja e të përditshmes "Kosova Sot", Etleva Skonja, e cila shtoi se të drejtat e gazetarëve vazhdojnë të shkelen hapur. Duke vënë në pah shqetësimet e komunitetit boshnjak, Sanella Bilalloviq, kryeredaktore e emisionit të lajmeve në RTK, ndërkaq, tha se 45 minuta program dedikuar këtij komuniteti, janë të pamjaftueshëm për të pasur informacione të plota. Ajo bëri thirrje për t'iu përgjigjur nevojave në rritje të komuniteteve pakicë për programe televizive.

Me këto konstatime u pajtuan edhe anëtarët e komisionit. Ata thanë se institucionet në Kosovë duhet bërë më shumë në avancimin e të drejtave të medieve.

 

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...