Lajmet e fundit

Nga Komisioni për Bujqësi ...

E Premte, 22.02.2013




Në një mbledhje të përbashkët ndërmjet Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor dhe të Komisionit për Buxhet dh Financa, u shqyrtua Projektligji i Agjencionit për menaxhimin e komplekseve memoriale.

Kryetari i Komisionit për Bujqësi..., Nait Hasani, i cili e kryesoi këtë mbledhje, duke folur për rëndësinë e këtij projektligji tha se me miratimin e tij, monumentet do të menaxhoheshin dhe ruheshin më mirë. Duke kërkuar përkrahje edhe nga Komisioni për Buxhet dhe Financa për projektligjin, ai po ashtu njoftoi se komisioni që ai udhëheqë e ka amendamentuar dhe miratuar këtë projektligj.

Kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, ndërkaq, vlerësoi se projektligji ndonëse i rëndësisë së veçantë, i mungon certifikata e plotë financiare. Sipas saj, shuma e mjeteve financiare prej 3.611. 000 euro, është paraparë vetëm për projekte kapitale, ndërsa mjetet e tjera për themelimin e Agjencisë dhe stafit të saj, prej 47 zyrtarëve, nuk janë paraparë në certifikatën financiare. Për këtë shkak, ajo tha: "Edhe në rast se do të miratohej projektligji, do të hasej në pengesa të pakapërcyeshme për zbatimin e tij". Pas kësaj, anëtarët e të dyja komisioneve u pajtuan që në konsultim të ngushtë edhe me Ministrinë e Financave të angazhohen për gjetjen e një zgjidhje, në mënyrë që Projektligji për Agjencionin për menaxhimin e komplekseve memoriale, të gjejë zbatim pas miratimit të tij.

 

Nga Komisioni për Bujqësi ...