Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kuvendit
E Enjte, 21.02.2013
Pas shqyrtimit të pikave që kishin mbetur nga mbledhja paraprake e Kuvendit, deputetët vazhduan me mbledhjen e rregullt plenare të paraparë për sot. Në këtë mbledhje, të cilën e kryesoi kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi,( një pjesë të saj e kryesuan nënkryetarët e Kuvendit, Xhavit Haliti dhe Petar Miletiq), deputetët zhvilluan debat parlamentar lidhur me mosekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës për pagat e punëtorëve të Fabrikës së Tubave dhe Çelikut në Ferizaj. Debati u zhvillua sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës ndërkaq, Ismet Beqiri, shef i këtij Grupi, në mënyrë kronologjike njoftoi për rrjedhën e këtij problemi, me të cilin janë ballafaquar punëtorët e kësaj fabrike. Punëtorët e kësaj fabrike, tha ai, nën masa të dhunshme të asaj kohe janë larguar nga puna në shkurt të vitit 1990. Për të realizuar të drejtat e tyre, punëtorët ishin ankuar në Gjykatën e Punës së Bashkuar, e cila pas lufte është shuar. Pas kësaj, vazhdoi Beqiri, punëtorët e kësaj fabrike ankohen dhe ngrenë padi në Gjykatën Komunale në Ferizaj, e cila në janar të vitit 2002 vendos në favor të punëtorëve. Duke folur për odisejadën e 912 punëtorëve të Fabrikës së Tubave dhe Çelikut në Ferizaj, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Beqiri, në vijim foli për të gjitha vendimet e gjykatave të të gjitha niveleve, duke përfshirë edhe vendimin e Gjykatës së Qarkut e cila kishte vendosur për mosprivatizimin të kësaj fabrike. Po ashtu, Beqiri kujtoi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, e cila po ashtu, vendos në favor të interesave të punëtorëve.
Duke shprehur habinë për mosekzekutimin e vendimit të një mori gjykatash, përkatësisht vendimeve të tyre, Beqiri tha:"Lidhja Demokratike e Kosovës, kërkon që vendimet gjyqësore të ekzekutohen, sepse janë vendime të ligjshme dhe të pavarura".
Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, foli Arsim Bajrami. Sipas tij, në kushte normale, për një kërkesë të tillë as që do të bisedohej në Parlament. Por, tha Bajrami, në shoqëritë që janë në fillet e ndërtimit të shtetit të së drejtës, këto gjëra janë dukuri. Ai në fjalën e tij u angazhua që të gjenden mundësitë e realizimit të së drejtës së punëtorëve, përkatësisht gjetjen e modaliteteve për jetësimin e vendimit të gjykatave. E vetmja mundësi për realizimin e të drejtave të punëtorëve, sipas Bajramit, mbetet që Agjencioni Kosovar i Privatizimit të marrë hapat e duhur për kompensimin material të punëtorëve. Ai kërkoi që brenda një afati optimal punëtorët të kompensohen nga fondi i AKP-së. Edhe deputetja Albulena Haxhiu, nga radhët e Vetëvendosjes, u shpreh se duhet të ekzekutohen vendimet e gjykatave. Për mosekzekutimin e vendimeve, Haxhiu ngriti kritika edhe ndaj Qeverisë. Ardian Gjini në emër të AAK-së, ndërkaq, kërkoi që përgjegjësit për mosekzekutimin e vendimit të gjykatave, të merren në përgjegjësi institucionale. Duke shprehur shqetësimin për mos respektimin e vendimeve të gjykatave, përfaqësuesja e Grupit Parlamentar të AKR-së, Myzejene Selmani, po ashtu shprehu mendimin se në harmoni me vendimin e gjykatave, AKP-ja duhet të kompensojë punëtorët e kësaj fabrike.
Duke shprehur shqetësimin për mosrealizim të vendimit të gjykatave, në debat u angazhuan edhe deputetët: Lumnie Morina, Armend Zemaj, Haki Demolli, Albin Kurti, Arben Gashi, Ali Sadriu e të tjerë, të cilët bënë thirrje që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, lidhur me të drejtën e punëtorëve të Fabrikës së Tubave dhe Çelikut në Ferizaj, të gjejë zbatim të menjëhershëm. Pas përfundimit të debatit, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, në cilësinë e iniciuesit të këtij diskutimi propozoi rekomandimin që i referohej debatit të zhvilluar. Në rekomandimin e propozuar nga ai thuhet: kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Agjencioni Kosovar i Privatizimit dhe organet e tjera kompetente ekzekutimin në afat katër mujor të aktgjykimeve të gjykatave kompetente për pagat e papaguara të punëtorëve të Fabrikës së Tubave dhe Çelikut në Ferizaj. Propozimi u përkrahë nga shumica e të pranishmëve.
Sikurse në mbledhjet e kaluara, edhe në këtë mbledhje, gjatë shqyrtimit të dy pikave të përhershme të rendit të ditës në mbledhje plenare: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, deputetët ngritën një varg çështjesh dhe shqetësime të qytetarëve, ndërsa pyetjeve parlamentare iu përgjigjën anëtarët e kabinetit qeveritarë: Ferid Agani dhe Nenad Rashiq.