Lajmet e fundit
GGD-ja përkrah aktivitetet e Grave të Verbëta
E Enjte, 21.02.2013
Kryetarja e Grupit të Grave Deputete, znj. Teuta Sahatqija, priti sot anëtaret e Komitetit Republikan të Grave të Verbëta të Kosovës. Kryetarja e këtij Komiteti, znj. Bajramshahe Jetullahu, njoftoi znj. Sahatqija për gjendjen e grave në këtë Komitet, i cili tubon gratë dhe vajzat e të gjitha moshave. "Ne ballafaqohemi me një mori vështirësish, sidomos sa i përket mungesës së përkrahjes institucionale. Megjithatë, po përpiqemi që këto gra dhe vajza t' i integrojmë në shoqëri, pastaj angazhohemi që të luftojmë analfabetizmin te këto kategori , t' i përgatisim ato për tregun e punës dhe të organizojmë aktivitete, në të cilat i angazhojmë anëtaret tona", tha znj. Jetullahu. Ajo në vijim shprehu kënaqësinë që Kuvendi ka aprovuar Ligjin për të verbëtit, por ai nuk është në alfabetin e Braillit.
Kryetarja e GGD-ës, znj. Teuta Sahatqija, njoftoi të pranishmet për përkushtimin e GGD-ës për t' i përkrahur gratë dhe iniciativat e tyre. Ajo shprehu interesimin që të përkrahen këto gra, nëpërmjet institucioneve dhe organizatave vendore dhe ndërkombëtare, duke shprehur njëkohësisht edhe gatishmërinë e Grupit të Grave Deputete për t' u angazhuar në përkrahjen e iniciativave të kësaj kategorie të grave.