Lajmet e fundit
Nga vazhdimi i dy mbledhjeve plenare të Kuvendit
E Enjte, 21.02.2013
Kuvendi i Republikës së Kosovës, në vazhdimin e sotëm të dy mbledhjeve plenare, të udhëhequr nga kryetari dr. Jakup Krasniqi (një pjesë të mbledhjes e udhëhoqën nënkryetarët Xhavit Haliti dhe Petar Miletiq), ka diskutuar për gjendjen e sportit në Kosovë, si dhe ka zgjedhur anëtarin joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe anëtarët e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Në cilësinë e propozuesit të çështjes, deputeti Bekim Haxhiu tha se ky debat parlamentar është ftuar me qëllim që të diskutohet për gjendjen në të cilën ndodhet sporti në Kosovë, për veprimet që duhet ndërmarrë për zhvillimin e tij dhe që me anë të këtij debati Kuvendi i Kosovës të japë kontributin për thyerje të izolimit shumëvjeçar.
Ai tha se duke ditur përqindjen e madhe të rinisë që ka Kosova, është mëse e nevojshme të ndërtohet një platformë për zhvillim të sportit dhe thyerje të izolimit, duke miratuar një pako ligjesh që do të ndikonin në zhvillimin e sportit dhe duke vënë në lëvizje të gjithë mekanizmat shtetërorë për të shpërthyer izolimin.
"Fillimisht të debatojmë për sportin, që ai ta zërë vendin e tij meritor në shoqërinë tonë dhe pastaj të ndërmarrim hapa që do të ndikonin në zhvillimin e sportit, hapa që nuk janë bërë deri me tani, në aspektin e ngritjes së infrastrukturës ligjore edhe asaj sportive", theksoi deputeti Haxhiu, duke propozuar disa rekomandime për miratim.
Deputetja nga radhët e Grupit Parlamentar të LDK-së dhe gjithashtu, njëra nga propozuesit e çështjes, Vjollca Krasniqi, tha se sporti është njëra nga segmentet vitale të shoqërisë, të cilit nuk i bëhet trajtim serioz, pavarësisht faktit se ai ka një numër të madh aktivistësh. Deputetja Krasniqi tha se infrastruktura sportive është shumë e dobët, ndërsa problem vazhdon të mbetet edhe defininimi i pronësisë. Ajo tha se shembujt në regjion tregojnë se një opsion shumë konstruktiv do të ishte dhënia me koncesion e objekteve sportive.
Të përsëritësh frazat, aq shumë të theksuar mbi rolin e sportit për një shtet dhe shoqërinë në përgjithësi, shtoi deputetja Krasniqi, është bërë rutinë e përditshmërisë sonë sa herë që flitet për ndërkombëtarizimin, imazhin shtetëror dhe ndikimin e saj ndërkombëtar.
Qëndrimin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, e paraqiti deputetja Albana Gashi, e cila në fjalën e saj tha se për 11 vite, sa Kosova ka qeveri e parlament, sporti asnjëherë nuk ka qenë as prioritet, e as ndër prioritetet e qeverisë. Ajo tha se sporti rëndom është konsideruar diçka i dorës së dytë. Sa i përket ndërkombëtarizimit të sportit, Gashi tha se Kosova ka 10 federata të ndërkombëtarizuara, 5 me të drejta të plota e 5 më të drejta të kufizuara, por situata në ato federata nuk dallon shumë nga ato që nuk janë të ndërkombëtarizuara, duke qenë në gjendje të mjerë.
Duke folur për infrastrukturën sportive, deputetja Gashi tha se problemi kryesor nuk është ndërtimi i palestrave, por nisja e përnjëhershme, që vazhdimisht buxhetit të sportit i ka marrë pjesën më të madhe.
Në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së, kryetari i këtij grupi, Ardian Gjini, sportin në Kosovë e konsideroi në gjendje të vështirë dhe me probleme të mëdha. Ai u ndal te udhëheqja e klubeve sportive, duke theksuar se janë politikanët ata që udhëheqin me këto klube. Ai vuri dyshime edhe te mënyra e financimit të tyre, ndërsa infrastrukturën sportive e konsideroi të vjetruar. Edhe po ta pranonte FIFA Kosovën anëtare të saj, nisur nga këto rrethana, sipas Gjinit, do ta përjashtonte atë brenda muajit. Ai tha se në Kosovë, aktualisht, aktivitetet më të mëdha sportive janë bastet dhe komentet nëpër portale.
Edhe deputeti Jeton Svirca nga Grupi Parlamentar për Kosovën e Re, gjendjen në sport e konsideroi jo të kënaqshme. Ai tha se sporti i Kosovës vazhdon të jetë izoluar dhe margjinalizuar, ndërsa shtroi nevojën që Kuvendi dhe Qeveria ta diskutojnë këtë çështje dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme për të dalë nga kjo situatë. Duke çmuar përpjekjet e ministrisë për përmirësimin e sportit dhe ndërkombëtarizimin e tij, Svirca theksoi se Kosova ka shumë talentë që do të mund ta përfaqësonin atë në mënyrë të shkëlqyer.
Debati në Kuvend vazhdoi me diskutime të deputetëve të tjerë, të cilët piketuan dobësitë që aktualisht e karakterizojnë sportin në Kosovë dhe kërkuan angazhim më të madh institucional për përmirësimin e këtij lëmi të rëndësishëm shoqëror. Ata shtruan nevojën për përkujdesje më të madhe për talentet në disiplina të ndryshme sportive, për intervenime në përmirësimin e infrastrukturës sportive fizike dhe atë ligjore etj.
Me diskutimet e tyre kontribuuan, deputetët: Fadil Demaku, Afërdita Berisha-Shaqiri, Afrim Kasolli, Time Kadriaj, Aurora Bakalli, Blerta Deliu, Lutfi Haziri, Xhevdet Neziraj, Ganimete Musliu, Haki Demolli, Shaip Muja, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Burim Ramadani, Boban Todoroviq, Halit Krasniqi, Lirie Kajtazi, Murselj Haljilji, Valbona Dibra, Sali Morina, Zenun Pajaziti, Nazane Breca, Sadri Ferati dhe Arben Gashi.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ndërkaq, në fjalën tij, duke vlerësuar iniciativën e deputetëve për të diskutuar për sportin, tha se kjo që po i ndodh sportit të Kosovës tash e njëzetë vjet është një padrejtësi e madhe dhe një shkelje e të drejtave njerëzore. Ai tha se sporti dhe mekanizmat ndërkombëtarë të tij, fatkeqësisht, shpesh janë një instrument i politikës dhe kjo ka ndodhur pikërisht në rastin e Kosovës.
"Gjithë këtë padrejtësi jam munduar, në çdo rrethanë, në çdo takim, në çdo letër, në çdo intervistë për mediet e huaja, ta prezantoj dhe të kërkoj që kjo të ndalohet një herë e përgjithmonë. Këtë madje e kemi shtruar deri në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku kam pasur takime me zyrtarë të lartë atje. Madje, siç edhe e dini ju, kemi arritur që në bashkëpunim me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, të fusim një pasus në Rezolutën për Kosovën në vitin 2012, ku i bëhet thirrje gjithë vendeve, gjithë komunitetit sportiv ndërkombëtar që t'i lejojë sportistët tanë të marrin pjesë të barabartë në gara", theksoi ministri Krasniqi, duke përmendur edhe veprime të tjera të ministrisë, në funksion të këtij qëllimi. Ai tha se përkundër mungesës së pranimeve nga federatat e ndryshme, është munduar që në sa më shumë turne, ku nuk kërkohet anëtarësimi, të dërgohen sportistët e Kosovës, në mënyrë që çështja e Kosovës të sensibizilohet sa më shumë, veprime këto, që sipas ministrit, kanë sjell rezultate.
Në vazhdim, ministri Krasniqi foli edhe për infrastrukturën sportive dhe angazhimet e ministrisë për ta përmirësuar atë, për përmirësimin e infrastrukturës ligjore etj.
Pas shterjes së diskutimeve, Kuvendi miratoi rekomandimet e prezantuara nga deputeti Bekim Haxhiu, nëpërmjet të cilave u rekomandohet qeverisë dhe komisionit përkatës parlamentar që në afat sa më të shkurtër kohor të përgatisin për miratim një pako ligjesh që do të ndikojnë në zhvillimin e sportit dhe ndaljen e dukurive negative në sport, obligohet Qeveria e Kosovës që të përkrah ndërkombëtarizimin dhe anëtarësimin e sportit kosovar në mekanizmat ndërkombëtarë, ministria e fushës të hartojë strartegji për masivizimin e sportit etj.
Mbledhja e Kuvendit vazhdoi me shqyrtimin e rekomandimit të komisionit për zgjedhjen e një anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. Paraprakisht, kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri dhe nënkryetari i Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, paralajmëruan se grupet e tyre parlamentare nuk do të marrin pjesë në votim dhe do ta bojkotojnë seancën, duke theksuar se kandidatët e propozuar për këto borde janë politikë.
Kryetari i GP të PDK-së, Adem Grabovci, ndërkaq, vlerësoi se komisionet përkatëse kanë bërë punë korrekte, duke ofruar njerëz me kredibilitet dhe përgatitje profesionale, që plotësojnë kriteret për të udhëhequr këto institucione.
Kryetari i GP të AAK-së, Ardian Gjini, tha se deputetët e grupit të tij parlamentar nuk do ta lëshojnë më seancën.
Me votim të fshehtë, deputetët zgjodhën kandidatin Bedri Peci anëtar joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, i cili iu propozua presidentes së shtetit për emërim.
Kuvendi, po ashtu, emëroi edhe anëtarët e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, sipas rekomandimit të komisionit funksional dhe propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me këtë përbërje: Blerim Rexha, kryesues, me mandat trevjeçar, ndërsa anëtarë: Majan Milanoviq, Haxhi Arifi, Dardan Peja dhe Skënder Komoni, me mandat dyvjeçar.
Në këtë mbledhje Kuvendi miratoi edhe propozimin e Grupit Parlamentar të PDK-së për zëvendësimin e një anëtari në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, duke emëruar deputetin Shaip Muja anëtar të këtij komisioni, në vend të deputetit Berat Buzhala.