Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Mërkure, 20.02.2013
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të cilën e udhëhoqi kryetarja Safete Hadërgjonaj, ka shqyrtuar një varg projektligjesh dhe raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2012.
Komisioni shqyrtoi Projektligjin për veprimtari kërkimore, shkencore, inovacione dhe teknologji, me raportin me amendamentet e komisionit funksional, dhe u pajtua që për shkak të implikimeve të mëdha buxhetore, të paparashikuara në Ligjin për Buxhetin e vitit 2013 dhe Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, projektligji t'i kthehet komisionit funksional për rishqyrtim, së bashku me ministritë e fushës.
Edhe sa i përket Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjarëve të tyre, për shkak të kostos së lartë buxhetore që bart ky projektligj, komisioni i rekomandoi seancës që të mos e miratojë atë në parim.
U përkrah, gjithashtu, Projektligji për sistemin e pagesave, me amendamente të grupit punues të komisionit dhe Projektligji për tarifat e veçanta të akcizës për prodhimin fillestar dhe prodhimin e vogël të produkteve alkoolike të prodhuara në Kosovë.
U përkrahën edhe dy projektligje, me rekomandime të komisioneve funksionale: Projektligji për Avokaturën Shtetërore dhe Projektligji për transportin tokësor të mallrave të rrezikshme.
Në vazhdim të mbledhjes, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, prezantoi raportin e shpenzimeve të Kuvendit për vitin 2012, në bazë të të cilit, gjatë periudhës njëvjeçare Kuvendi ka realizuar 94.27 për qind të buxhetit të tij vjetor.
Edhe në këtë mbledhje, Qendra Protokollare në Gërmi u konsiderua një problem që vazhdon të përcillet nga viti në vit dhe u cilësia si çështje që kërkon zgjidhje.
Komisioni përkrahu unanimisht raportin, me rekomandimin që të miratohet në Kryesinë e Kuvendit.
Në këtë mbledhje, komisioni caktoi një grup punues, i cili do të bëjë mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për prokurimin publik në Republikën e Kosovës.