Lajmet e fundit
GGD-ja priti znj. Carina Lamont nga Agjencioni Suedez i Mbrojtjes për Hulumtime
E Mërkure, 20.02.2013
Grupi i Grave Deputete priti sot analistet nga Agjencioni Suedez i Mbrojtjes për Hulumtime, kryesuar nga znj. Carina Lamont, e cila po bën një hulumtim për zbatimin e Rezolutës 1325 të së Këshillit të Sigurimit nga ana e NATO -s në Kosovë. Ajo u interesua për nivelin e sigurisë në Kosovë , gjendjen e gruas, si dhe rolin e saj në shoqëri.
Fillimisht për punën e GGD-ës, mysafiret, i njoftoi deputetja znj. Vjosa Osmani, e cila tha se GGD-ja është grup shumë aktiv që përfshin të gjitha deputetet pa marrë parasysh grupimin politik apo nacionalitetin. "Ne jemi të përkushtuara për fuqizimin e gruas në të gjitha aspektet e veçanërisht në: shfrytëzimin e të drejtave të saja të garantuara me ligj , fuqizimin ekonomik të gruas, aspektet tjera me interes për gruan dhe sigurinë. Çështje që na brengos është funksionalizimi dhe shtrirja e pushtetit të institucioneve të Kosovës edhe në veri", theksoi ajo.
Deputetja Emiljia Rexhepi tha se Kosova ka nevojë për të ngritur nivelin e zhvillimit ekonomik, pasi kjo do të ndikonte edhe në sektorët tjerë duke përfshirë edhe sigurinë.
Në takim morën pjesë edhe deputetet nga Komisioni për Punë të Brendshme: Ganimete Musliu dhe Vjollca Krasniqi. Deputetja Musliu tha se në Kosovë preokupim kryesor i qytetarëve është zhvillimi ekonomik. " Megjithë pasojat e rënda që la lufta në Kosovë, kemi gjetur forcë ta tejkalojmë të kaluarën. Deputetja Vjollca Krasniqi theksoi:" Ne kemi masa që favorizojnë minoritetet në çdo aspekt, kurse sa i përket sigurisë së qytetarëve kjo është në nivel të kënaqshëm dhe në krahasim me vitet e para të pasluftës, rastet e vrasjeve janë shumë të rralla".