Lajmet e fundit
Dy komisione parlamentare pritën delegacionin parlamentar nga Holanda
E Mërkure, 20.02.2013
Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe ata të Komisionit për Integrime Evropiane , kanë pritur sot delegacionin parlamentar nga Mbretëria e Holandës, të cilin e kryeson kryetari i Senatit, Fred de Graaf.
Duke i uruar mirëseardhje në Kosovë, kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, ka vlerësuar mbështetjen e pakursyer të Holandës për Kosovën dhe popullin e saj. Ai ka folur për punën e rëndësishme që bëjnë këto dy komisione parlamentare për afirmimin ndërkombëtar të Kosovës dhe përgatitjen e vendit për procesin e integrimeve evropiane. Haziri ka theksuar se Kosova po e pret me padurim vendimin e Këshillit të Ministrave të BE-së për inicimin e marrëveshjes së stabilizim- stabilizimit. Ai tutje ka folur për nevojën urgjente të qytetarëve të Kosovës për liberalizimin e vizave me vendet e BE-së, duke shtuar se këta hapa të pritshëm të BE-së do të ndikonin pozitivisht edhe për investimet e huaj në ekonominë e Kosovës edhe për sa i përket shkollimit të rinjve tanë nëpër institucionet arsimore dhe shkencore të vendeve të BE-së.
Kryetari i Senatit të Mbretërisë së Holandës, Fred de Graaf, ka vlerësuar të arriturat e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë, duke çmuar sidomos vullnetin e të rinjve të Kosovës për dije, punë dhe kreativitet. Ai ka theksuar se e kupton padurimin e qytetarëve të Kosovës për t'u bërë pjesë e BE-së, por ka theksuar gjithashtu se Kosova duhet t'i plotësojë me shumë mund standardet për procesin e integrimeve evropiane, ta cilat ka pranuar ai, po bëhen gjithnjë e më të vështira për vendet pretendente për anëtarësim në BE. Ai ka porositur përfaqësuesit e legjislativit të Kosovës që Kuvendin ta bëjnë institucion të besueshëm të qytetarëve dhe sa më mirë dhe sa më shpejtë tu përgjigjen rregullave strikte të BE-së.
Edhe diskutuesit e tjerë në këtë takim: Sabri Hamiti,Donika Kadaj-Bujupi, Vjosa Osmani, Alma Lame, Suzana Novobërdaliu dhe Emilia Rexhepi rikonfirmuan unanimisht përcaktimin për Kosovës për integrime evropiane. Ata kanë theksuan nevojën e Kosovës për integrime evropiane, duke u përqendruar sidomos nevojën ed ngutshme për liberalizimin e vizave. Kosova historikisht dhe politikisht ka qenë dhe është evropiane, prandaj duhet të bëhet e tillë edhe politikisht, ndryshe të rinjtë tanë po izolohen pa të drejtë nga proceset evropiane, është thënë në takim, në të cilin është pohuar gjithashtu se të rinjtë e Kosovës kanë nevojë për lëvizje të lirë; për marrjen e dijes gjithandej nëpër vendet e BE-së dhe për realizimin e tyre në Kosovë.
Kryeparlamentari holandez, de Graaf është pajtuar me gjakimet e përfaqësuesve të Kosovës për integrimet evropiane dhe ka uruar që sa më parë ta festojë bashkërisht anëtarësimin e Kosovës në BE.
Në takim, nga ana holandeze, kanë marrë pjesë edhe Geert Jan Hamilton, Sekretar i Përgjithshëm i Senatit, si dhe znj. Saskia van Genugten, zyrtare e Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë, Mbrojtje dhe Bashkëpunim për Zhvillim. Ishin të pranishëm gjithashtu ambasadorët respektivë në të dy vendet :Robert Boch dhe Nexhmi Rexhepi.