Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Marte, 19.02.2013
Mos prezenca e ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, për raportim në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrime Evropiane, ka ngjallur debate nga disa anëtarë të komisionit në mbledhjen e kryesuar nga kryetari Lutfi Haziri.
Pas sqarimeve se ministri Hoxhaj nuk ka pasur mundësi te jetë prezent në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, për shkak të angazhimeve rreth dialogut në Bruksel, si dhe për shkak të udhëtimit në Azi, anëtaret e komisionit Vjosa Osmani e Alma Lama, theksuan se mos prezenca e ministrit është papërgjegjësi e radhës nga ana e tij. Ato shtuan se ministri Hoxhaj në vazhdimësi ka injoruar komisionet parlamentare, përkundër faktit që këtë e ka detyrë kushtetuese.
Ndërkaq, u sqarua se ministri Hoxhaj ka konfirmuar prezencën e tij në mbledhjen e komisionit, më 27 shkurt.
Tutje, anëtarët e komisionit theksuan se do të ftohen për raportim edhe ministrat tjerë, lidhur me veprimet të cilat kanë ndërmarrë dhe angazhimin e tyre drejt përmbushjes së kritereve të kërkuara nga KE-ja.
Në vijim të mbledhjes anëtarët e komisionit u dakorduan që shqyrtimi i Projektligjit nr. 04/L-146 për Agjencinë për menaxhimin e komplekseve memoriale të Kosovës, me amendamentet e komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, të shtyhet për shqyrtim në njërën nga mbledhjet e radhës, meqë Komisioni për Legjislacion ka konsideruar se ky Projektligj nuk ka bazë kushtetuese.
Anëtarët e komisionit me disa vërejtje përkrahën edhe Projektligjin nr. 04/L-147 për Ujërat e Kosovës, me amendamentet e komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së. Më tej u përkrahën edhe Projektligji nr. 04/L-135 për veprimtari kërkimore, shkencore, inovacion dhe teknologji, si dhe Projektligji për Avokaturën Shtetërore, me amendamentet e komisioneve funksionale, nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.
Gjatë shqyrtimit të Planit të Veprimit për negocimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim, kryetari i komisionit Lutfi Haziri sqaroi se ky plan është miratuar në qeveri dhe tashmë është proceduar në Kuvend. Ndërkaq, u tha se komisioni duhet të merret me këtë plan veprimi që koordinon aktivitetet lidhur me negocimin e Stabilizim Asociimit, që pritet të ndodhë më 14 prill. "Deri atëherë Kosova ka kushtet afatshkurtra drejt përmbushjes në mënyrë që Këshilli i Ministrave të marrë një vendim. Plani është i detajuar por është nënvlerësuar roli i komisionit tonë. Ne jemi autoritet i cili shqyrton, aprovon dhe miraton marrëveshjet", tha me këtë rast Haziri, duke shtuar se Qeveria duhet të raportojë në Kuvend dhe Kuvendi duhet ta luajë rolin e vet kushtetues në mënyrë që procesi të ecë më drejtë.
"Roli jonë duhet të jetë mbikëqyrës në zbatimin e këtij plani dhe ne do të procedojmë përmes Kryesisë të gjitha ligjet të cilat janë të domosdoshme për këtë proces".
Më tej u theksua se rritja e rolit monitorues do të jetë shumë më i madh këtë vit, duke u sqaruar fakti se komisioni do të monitorojë ligjet, veç tjerash edhe Ligjin për Riatdhesimin, si dhe ministritë relevante.
Duke u theksuar se duhet të ketë koordinim ndërinstitucional në proceset e integrimeve evropiane, u tha se ministrja e Integrimeve Evropiane, do të raportojë në seancë plenare, se paku dy herë në vit.
Pasi u paraqitën disa nga vërejtjet dhe pasi u dhanë disa propozime, nga anëtarët e komisionit Ismet Beqiri, Alma Lama e Vjosa Osmani, Plani i Veprimit për negocimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim u përkrah me vërejtje nga anëtarët e komisionit për procedim në mbledhjen e Kuvendit.