Lajmet e fundit

Seancë solemne e Kuvendit me rastin e 5-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

E Diel, 17.02.2013




Kuvendi i Republikës së Kosovës shënoi sot 5 -vjetorin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Seancën solemne të Kuvendit, të organizuar për nder të këtij përvjetori, e kryesoi kryekuvendari dr. Jakup Krasniqi.
Të pranishëm në këtë seancë ishin presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe udhëheqës tjerë të lartë të institucioneve shtetërore dhe përfaqësues të lartë diplomatik në Kosovë.
Pas intonimit të himnit, mbledhjen solemne të Kuvendit, në shënim të përvjetorit të pestë të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës e hapi kryekuvendari dr. Jakup Krasniqi. Me këtë rast ai tha se pas përpjekjeve e luftërave gati njëshekullore për liri dhe duke mbyllur kapitullin historik të robërisë e të gjenocidit, Kosova më 17 shkurt 2008, me koordinim ndërkombëtar, u shpall shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. "Plaga e rëndë ballkanike, e quajtur çështje e Kosovës, pushoi së rrjedhuri gjak. Padrejtësia e madhe historike e vitit 1913, ndonëse me vonesë, u ndreq. Pesë vjet s'mund të bëjnë veç një jubile i vogël, por i një ngjarjeje të madhe dhe historike që po shënojmë sot. Drejtësia e luftës dhe e përpjekjeve tona të gjata, idealet e larta që i udhëhoqën ato, i dhanë shumë shpejt legjitimitet ndërkombëtar Pavarësisë së Kosovës, si shtet i ri, i lirë, sovran dhe demokratik, "tha kreu i Kuvendit, duke shtuar se pavarësia e Kosovës përbën një fakt tashmë të pamohueshëm dhe të pakthyeshëm historik, politik e diplomatik.
Më tej kryekuvendari Krasniqi tha se në historinë dhe jetën e një vendi, pesë vjet nuk janë aq shumë, por të arriturat dhe ndryshimet që ka bërë Kosova në epokën e Pavarësisë janë të mëdha, sidomos drejt ngritjes së institucioneve shtetërore e demokratike, drejt fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar dhe zhvillimit të gjithanshëm shoqëror e ekonomik, sepse vetë akti i pavarësimit, ka çliruar energji kolosale dhe entuziazëm veprimi e përparimi. "Në Kosovë është vendosur rend kushtetues që bazohet në parimet e lirisë, paqes e demokracisë. Kosova, me kushtetutë i ka sanksionuar sistemin politik demokratik, sovranitetin e popullit, pluralizmin politik dhe ekonomik, parimet e demokracisë parlamentare, zgjedhjet e lira dhe të drejta, qeverisjen e shtetit të së drejtës, ndarjen dhe kufizimin e pushteteve, sigurimin dhe garantimin e të drejtave të qytetarëve dhe procedurat demokratike. E drejta kushtetuese në Kosovë bazohet në parimet dhe vlerat moderne të demokracisë së avancuar. Të drejtat e liritë e njeriut dhe të komuniteteve pakicë në Kosovë sigurohen sipas standardeve më të larta ndërkombëtare dhe në përputhje me pakon e presidentit Ahtisaari. Kosova ka një rrjet të tërë të organizatave të pavarura të shoqërisë civile, aktive dhe me kapacitete për të marrë pjesë në proceset demokratike. Janë bërë gjithashtu përparime në fushën e lirisë së mendimit e të shprehjes dhe të zhvillimit të lirë të medies së shkruar e elektronike", tha kryeparlamentari Krasniqi.
Ai duke përmendur si rezultat të përparimeve të gjithanshme, përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, tha se megjithatë duhet të jemi të ndërgjegjshëm se nuk kemi asnjë arsye për vetëkënaqësi, duke pasur parasysh mundësitë dhe potencialet njerëzore e resurset e shumta natyrore të pashfrytëzuara, të cilat mund ta kishin vendosur vendin tonë gjatë kësaj periudhe në një stad më të lartë zhvillimi e përparimi.
"Ne nuk mund ta ndryshojmë as ta harrojmë historinë, por mund të ndërtojmë bashkë një të ardhme tjetër, paqësore e në miqësi, për gjithë brezat e vendeve tona, duke lënë pas konfliktet dhe luftërat shkatërruese. Kosova gradualisht e ka forcuar subjektivitetin e saj ndërkombëtar, duke u pranuar anëtare e FMN-së, BB-së e BERZH-it dhe duke marrë pjesë në shumë forume rajonale e ndërkombëtare të bashkëpunimit. Por Kosova ende nuk është pjesë e barabartë e projekteve dhe iniciativave të bashkëpunimit e të integrimeve rajonale. Ajo, pa të drejtë mbahet jashtë Këshillit të Evropës, jashtë OSBE-së, jashtë IPU, por edhe jashtë OKB-së e organizmave të tjerë ndërkombëtarë.
Kosova është subjekt ndërkombëtar, prandaj sillet në përputhje me parimet e njohura demokratike dhe konform të drejtës ndërkombëtare. Ajo i njeh dhe i ka adoptuar parimet e dokumenteve të OKB dhe po jep kontributin e saj për paqen dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Bazuar në këto parime dhe në interesat tona të ndërsjella, ne kemi ndërtuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet që na rrethojnë, përveç Serbisë, e cila nuk i është përgjigjur dorës sonë të zgjatur", tha kreu i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi duke shtuar më tej se Republika e Kosovës është gati t'i normalizojë marrëdhëniet, sikur me të gjithë fqinjët edhe me Serbinë, por jo në dëm të integritetit territorial, të sovranitetit dhe të rendit kushtetues të vendit tonë.
Duke përmendur dialogun me Serbinë, ai tha se duke qenë ndërmjetësues në këtë dialog Bashkimi Evropian, shpresojmë që do të ushtrohet ndikim pozitiv mbi autoritetet serbe, për të hequr dorë nga strukturat kriminale të instaluara në veri të Kosovës, për t'i hapur rrugë veprimit efikas të institucioneve tona e të EULEX dhe për të bërë të mundur zgjedhjen e përfaqësuesve nga vetë qytetarët atje.
"Ashtu si në të kaluarën, Kosova do të jetë në partneritet të plotë me bashkësinë ndërkombëtare në synimin e saj për një shoqëri dhe shtet demokratik, të anëtarësuar në OKB e në organizmat e tjerë ndërkombëtarë dhe të integruar në Bashkimin Evropian e në NATO. Kosova është në proces të forcimit të sundimit të ligjit dhe në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke pastruar rrugën drejt një shteti të vërtetë ligjor, demokratik dhe të integruar në Evropën e Bashkuar. Një pengesë serioze për marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian përbën fakti i mosnjohjes së Republikës së Kosovës nga pesë vende të Bashkimit Evropian. Ne presim që edhe këto vende do të reflektojnë për qëndrimet e tyre, duke njohur pavarësinë e Kosovës dhe duke i hapur vendit tonë mundësinë e plotë të marrëdhënieve kontraktuale me BE-në dhe zhvillimin normal të procesit të integrimeve evropiane të tij. Përshëndes në këtë rast Rezolutën e Parlamentit Evropian, të para dhjetë ditëve, me të cilën u bëhet edhe njëherë thirrje këtyre pesë vendeve të BE, ta njohin pavarësinë e Kosovës. Fitorja e luftës për vendosjen e rendit dhe ligjit, fitorja e luftës kundër krimit e korrupsionit, është njëkohësisht fitore e luftës kundër varfërisë e papunësisë, sepse vetëm kështu hiqen barrierat e investimeve dhe bizneseve, vetëm kështu hapet perspektiva ekonomike dhe sociale e Kosovës.
Sot është dita e dëshmorëve dhe e lirisë që na sollën me gjakun e tyre, dita e themeluesve e baballarëve të shtetit të Kosovës, në krye me heroin legjendar, komandantin Adem Jashari. Lavdia e tyre, si gjerdan lirie do të stolisë përjetë ballin e Kosovës.
Midis nesh në këtë sallë ndodhen përfaqësues diplomatikë të shumë vendeve mike të Republikës së Kosovës. Populli ynë mirënjohës, kurrë nuk do të harrojë solidaritetin e botës demokratike dhe humane, mbështetjen e pakursyer të miqve tanë të shtrenjtë, në krye me SHBA, BE dhe NATO-n, në çastet më të vështira historike që po kalonte vendi ynë. Gjej këtë rast, që në emër të Kuvendit, qytetarëve që përfaqësojmë dhe timin personalisht, t'u dërgoj përshëndetjet vëllazërore dhe falënderimin e përjetshëm për gjithë mbështetjen dhe miqësinë që na dhanë e po na japin, vende e popuj në katër anët e globit", tha me këtë rast kreu i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi.

Në fjalën e rastit, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se shpallja e pavarësisë së një vendi nga ata që përfaqësojnë qytetarët e tij, është akti më madhor, është vepra më fisnike dhe më e lartë. "Ky është hap që siguron të ardhmen e qetë dhe të përparuar të qytetarëve të vendit dhe gjithsesi vendos bazën e zhvillimit e të mirëqenies së tyre. Historia e pavarësisë së shtetit tonë të përbashkët është e re. Ajo është pjesë e secilit qytetar të Kosovës dhe e secilës gjeneratë. Është hap madhor në vendosjen e paqes dhe të stabilitetit dhe në forcimin e sigurisë e të partneritetit jo vetëm në rajon por edhe më gjerë. Për më shumë, është hap konkret i mirëkuptimit mes nesh - Qytetarëve të Republikës së Kosovës. Është shtet i miqësisë së përjetshme me SHBA-në dhe i partneritetit me vendet e BE-së, " theksoi presidentja Jahjaga.
Ajo më tej shtoi se në këto pesë vite të shtetësisë, Republika e Kosovës ka ngritur institucionet e saj demokratike dhe funksionale, institucione gjithëpërfshirëse, me angazhim të vazhdueshëm për mirëqenien e qytetarëve të vendit dhe për të ardhmen e tyre.
"Në këtë pesëvjetor ne kemi shumë arsye për të festuar por edhe më shumë punë për të bërë për të vendosur themelet e fuqishme të zhvillimit dhe të përparimit. Shteti që po ndërtojmë bazohet mbi platformën e shtetit të së drejtës, ku sundimi i ligjit dhe rendi janë shtyllat themelore të tij. Ky shtet ligjor, me një sistem të reformuar të drejtësisë, do të hapë dyert e përparimit dhe të integrimit në familjen evropiane, si dhe do të ndihmojë zhvillimin e ekonomisë së tregut. Por, ne duhet të thellojmë luftën tonë kundër dukurive negative, krimit të organizuar e korrupsionit dhe duhet të dëshmojmë se atë mund ta fitojmë" theksoi presidentja Jahjaga.
"Bashkimi Evropian është synim yni. Kjo është alternativa e vetme që kemi dhe rruga drejt tij është e pandalshme dhe e pamohueshme. Perspektiva jonë e integrimit evropian është e qartë dhe atë do ta kalojmë të gjithë së bashku - Ne Qytetarët e Republikës së Kosovës. Rruga drejt familjes evropiane, e të gjithë neve, shteteve të vogla të Ballkanit Perëndimor do të jetë më e lehtë dhe më e sigurt vetëm duke e ndihmuar njëri-tjetrin.
Zgjidhjet i kemi kërkuar vetëm përmes dialogut, si mënyrën më të mirë për të arritur rezultate që bazohen në përvojat dhe standardet evropiane dhe që respektojnë integritetin e secilit shtet' tha mes tjerash presidentja Jahjaga.

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Jozefina Topalli, duke uruar festën e Pavarësisë së Kosovës, tha se ndjehet shumë e lumtur që është në Kosovë dhe ka mundësinë që të flas përpara parlamentit të Kosovës së lirë, të pavarur e demokratike.
"Në këto 150 vitet e fundit, në 100 vitet e fundit, në 50, në 15 vitet e fundit Ju nuk u nënshtruat kurrë, nuk u ndalët një herë. Shqiptarët këtu, shqiptarët në Maqedoni, shqiptarët në Mal të Zi, shqiptarët në Shqipëri nuk humbën kurrë besimin, nuk shuan kurrë shpresën, edhe pse të copëtuar, edhe pse nën pushtim, edhe pse nën diktaturë, edhe pse dukej e pamundur, për shqiptari, për Liri. E sot, nderojmë paraardhësit tanë, ata që bënë Lidhjen e Prizrenit, ata që u ngritën, ata që filluan, organizuan, e bënë kryengritjet e mëdha, ata bënë aq shumë për Shqipërinë e lirë e të mosvarme.
Pa të madhin Hasan Prishtina, pa Isa Buletinin- Robin Hudin shqiptar, nuk do kishte Shqipëria 100 vjet pavarësi, e pa këtë te fundit vështirë të ishim sot duke kremtuar së bashku. Dhe për këtë, në emër të Kuvendit të Shqipërisë dua të falënderoj Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës. Faleminderit Kosova!
Sot nderojmë çdo shqiptar në Kosovë, çdo familje në Kosovë që kombin e lirinë e kishin sublime, e kishin më të shtrenjtë se jetën e tyre, më të çmuar se pasurinë e tyre, më të madhe se ëndrrat e tyre.
Me përulje e mirënjohje, sot kujtojmë e nderojmë Presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugovën. Arkitektin e Kosovës së pavarur.
Nderojmë besimin e tij të palëkundur tek paqja, përkushtimin, punën, maturinë e vendosmërinë për lirinë, për Kosovën. Sot nderojmë veprën e tij.
Në këtë ditë historike, nderojmë Luftën Çlirimtare të Kosovës, luftëtarët e lirisë, martiret e saj, e mbi të gjithë legjendën shqiptare të saj, Adem Jasharin.
Ai është vetë shqiptaria, zjarri i dashurisë e flijimit për këtë tokë, për këtë dhe, për këtë komb. I përjetshëm nderimi dhe kujtimi i tij" tha kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Jozefina Topalli. Ajo shtoi se ne nuk festojmë vetëm 5 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës së lirë, ne nuk festuam vetëm 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë së dashur. Ne kremtojmë ndryshimet e mëdha që Kosova ka bërë, që Shqipëria ka arritur.
"Ne jemi krenarë që jemi shqiptarë, e krenarë që jemi europianë. Ne duam t'i bashkohemi Komunitetit Europian të ngritur mbi vlerat universale. Ne të gjithë bashkë kemi vetëm një objektiv. Një komb një qëndrim është besimi ynë. Një komb një qëndrim ishte motoja jonë në ditë të vështira. Një komb një qëndrim është aktual sot. Nje komb një qëndrim do jetë për jetë të jetëve. Ne duam të integrohemi në Bashkimin Europian.Ne duam të bashkohemi me njëri-tjetrin. Ne duam të bashkohemi me familjen evropiane.
Ne do të vazhdojmë të bëjmë punën e madhe që kërkohet për të hyrë në BE. Ne në Shqipëri, Ju në Kosovë, shqiptarët në Maqedoni, shqiptarët në Mal të Zi", tha kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli .
Me këtë rast foli edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai tha se para pesë vitesh, këtu, në këtë Kuvend, u kurorëzua dinjitetshëm ëndrra shekullore e qytetarëve tanë, Shpallja e Pavarësisë së Kosovës. "Më 17 shkurt 2008 u themelua shteti i Kosovës me aktin më të lartë historik, juridik dhe politik, me Deklaratën e Pavarësisë, pra Kosova shtet i pavarur dhe sovran. Deputetët e Kuvendit të Kosovës aprovuan Dokumentin më të rëndësishëm historik të Kosovës. Më lejoni të përshëndes deputetët firmëtarë të pavarësisë. Pavarësinë e Kosovës para së gjithash e firmosën dhe e vulosën dëshmorët e lirisë, sakrifica e gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Më 17 shkurt 2008 në gjeografinë politike të Evropës u lind një shtet i ri. Më 17 shkurt 2008 Kosova mori atributin më të lartë të organizimit politik, krijimin e shtetit të pavarur. Më 17 shkurt 2008 Kosova institucionalizoi organizimin më të lartë shoqëror, shtetësinë e saj. Ky akt madhështor, origjinal dhe i papërsëritshëm i vullnetit të popullit ishte kryevepër e synimeve, idealeve, përpjekjeve dhe sakrificave të vazhdueshme të gjeneratave të tëra. Por, këtë akt të jashtëzakonshëm e bëri madhështor fakti që u njoh, u mbështet dhe u përkrah nga shtetet më të rëndësishme të demokracisë botërore.
Pavarësia e Kosovës u njoh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga shumica e shteteve të Bashkimit Evropian, dhe shtete tjera demokratike anembanë botës", theksoi kryeministri Thaçi duke shtuar se brenda një periudhe pesëvjeçare Kosova ka shënuar hapa të rëndësishëm në konsolidimin e institucioneve. "
Që nga shtatori i vitit që shkoi Kosova hoqi Mbikëqyrjen e Pavarësisë suksesshëm, duke u bërë shtet me përgjegjësi të plotë për veten dhe ardhmërinë e saj. Kosova hoqi mbikëqyrjen pas një vlerësimi të lartë gjithë ndërkombëtar për suksesin në Kosovë. Brenda një periudhe të shkurtër Kosova ka shënuar rezultate të lakmueshme në të gjitha fushat.
Kosova ka shënuar rritje ekonomike dhe zhvillim të infrastrukturës, duke përmirësuar standardin e jetesës për të gjitha kategoritë shoqërore. Kosova është njohur nga rreth 100 shtete", theksoi kryeministri Thaçi duke shtuar se presim shumë shpejt edhe njohje të reja. Ai theksoi se Kosova është në rrugë për përmbushjen e kritereve për t'u anëtarësuar në institucionet euroatlantike në BE, NATO, dhe në rrugën drejt anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. "Natyrisht, në tërë këtë proces, Kosova do të ballafaqohet me sfida, por jam i bindur se politika kosovare, bashkërisht dhe në koordinim të ngushtë me miqtë ndërkombëtar do t'ia arrijmë të realizojmë këto synime.", tha kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.

Seancë solemne e Kuvendit me rastin e 5-vjetorit të Pavarësisë së KosovësSeancë solemne e Kuvendit me rastin e 5-vjetorit të Pavarësisë së KosovësSeancë solemne e Kuvendit me rastin e 5-vjetorit të Pavarësisë së KosovësSeancë solemne e Kuvendit me rastin e 5-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës