Lajmet e fundit
Fjalë e kryetarit Krasniqi në hapje të Seancës solemne të Kuvendit për nder të përvjetorit të pestë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës
E Diel, 17.02.2013
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës
Të nderuar përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Shqipërisë
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues diplomatikë në Kosovë
Të nderuar kolegë deputetë
Të nderuara familje të dëshmorëve
Të nderuar miq dhe mysafirë
Të nderuar qytetarë të Kosovës
Zonja dhe zotërinj
Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë të hap këtë mbledhje solemne të Kuvendit, në shënim të përvjetorit të pestë të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës. Pas përpjekjeve e luftërave gati njëshekullore për liri dhe duke mbyllur kapitullin historik të robërisë e të gjenocidit, Kosova më 17 shkurt 2008, me koordinim ndërkombëtar, u shpall shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. Plaga e rëndë ballkanike, e quajtur çështje e Kosovës, pushoi së rrjedhuri gjak. Padrejtësia e madhe historike e vitit 1913, ndonëse me vonesë, u ndreq.
Pesë vjet s'mund të bëjnë veç një jubile i vogël, por i një ngjarjeje të madhe dhe historike që po shënojmë sot. Drejtësia e luftës dhe e përpjekjeve tona të gjata, idealet e larta që i udhëhoqën ato, i dhanë shumë shpejt legjitimitet ndërkombëtar Pavarësisë së Kosovës, si shtet i ri, i lirë, sovran dhe demokratik. Shpallja e Pavarësisë është njohur nga vendet lidere të demokracisë botërore dhe nga vende tjera mike, duke arritur gati numrin treshifror. Kosova ka subjektivitet ndërkombëtar, të bazuar edhe në të drejtën ndërkombëtare, e konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Pavarësia e Kosovës përbën një fakt tashmë të pamohueshëm dhe të pakthyeshëm historik, politik e diplomatik.
Në historinë dhe jetën e një vendi, pesë vjet nuk janë aq shumë, por të arriturat dhe ndryshimet që ka bërë Kosova në epokën e Pavarësisë janë të mëdha, sidomos drejt ngritjes së institucioneve shtetërore e demokratike, drejt fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar dhe zhvillimit të gjithanshëm shoqëror e ekonomik, sepse vetë akti i pavarësimit, ka çliruar energji kolosale dhe entuziazëm veprimi e përparimi. Në Kosovë është vendosur rend kushtetues që bazohet në parimet e lirisë, paqes e demokracisë. Kosova, me kushtetutë i ka sanksionuar sistemin politik demokratik, sovranitetin e popullit, pluralizmin politik dhe ekonomik, parimet e demokracisë parlamentare, zgjedhjet e lira dhe të drejta, qeverisjen e shtetit të së drejtës, ndarjen dhe kufizimin e pushteteve, sigurimin dhe garantimin e të drejtave të qytetarëve dhe procedurat demokratike. E drejta kushtetuese në Kosovë bazohet në parimet dhe vlerat moderne të demokracisë së avancuar. Të drejtat e liritë e njeriut dhe të komuniteteve pakicë në Kosovë sigurohen sipas standardeve më të larta ndërkombëtare dhe në përputhje me pakon e presidentit Ahtisaari. Kosova ka një rrjet të tërë të organizatave të pavarura të shoqërisë civile, aktive dhe me kapacitete për të marrë pjesë në proceset demokratike. Janë bërë gjithashtu përparime në fushën e lirisë së mendimit e të shprehjes dhe të zhvillimit të lirë të medies së shkruar e elektronike.
Kuvendi ynë ka arritur me sukses të promovojë demokracinë e kulturën parlamentare dhe të sigurojë përfaqësimin e të gjitha komuniteteve pakicë. Vendi ynë përbën një faktor shumë të rëndësishëm paqendërtues dhe bashkëpunues në gjithë rajonin tonë. Kosova po i bashkon vlerat e saj me popujt e përparuar dhe demokratikë. Si rezultat i përparimeve të gjithanshme, Kosovës vitin e kaluar iu hoq mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë.
Megjithatë, duhet të jemi të ndërgjegjshëm se nuk kemi asnjë arsye për vetëkënaqësi, duke pasur parasysh mundësitë dhe potencialet njerëzore e resurset e shumta natyrore të pashfrytëzuara, të cilat mund ta kishin vendosur vendin tonë gjatë kësaj periudhe në një stad më të lartë zhvillimi e përparimi.
Zonja dhe zotërinj
Vendi ynë, por edhe gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor ndodhen para sfidave të shumta historike në proceset paqendërtuese, stabilizuese dhe integruese. Të dala nga një epokë vuajtjesh, diktaturash e luftërash të përgjakshme, vendet tona duhet të nxjerrin konkluzione të drejta mbi të kaluarën e hidhur, duke zëvendësuar urrejtjen ndëretnike e shovinizmin me respektin reciprok, etnocentrizmin me solidaritetin, ekskluzivitetin me integrimet, mosdurimin nacional me diversitetin etnik, kulturor, gjuhësor e fetar, si pasuri vlerash demokratike. Ne nuk mund ta ndryshojmë as ta harrojmë historinë, por mund të ndërtojmë bashkë një të ardhme tjetër, paqësore e në miqësi, për gjithë brezat e vendeve tona, duke lënë pas konfliktet dhe luftërat shkatërruese.
Kosova ndjek politikë të jashtme parimore, në funksion të bashkëpunimit e të marrëdhënieve miqësore bilaterale e multilaterale dhe të forcimit të paqes e të sigurisë në rajon dhe në plan global. Kosova gradualisht e ka forcuar subjektivitetin e saj ndërkombëtar, duke u pranuar anëtare e FMN, BB e BERZH dhe duke marrë pjesë në shumë forume rajonale e ndërkombëtare të bashkëpunimit. Por Kosova ende nuk është pjesë e barabartë e projekteve dhe iniciativave të bashkëpunimit e të integrimeve rajonale. Ajo, pa të drejtë mbahet jashtë Këshillit të Evropës, jashtë OSBE-së, jashtë IPU, por edhe jashtë OKB-së e organizmave të tjerë ndërkombëtarë.
Kosova është subjekt ndërkombëtar, prandaj sillet në përputhje me parimet e njohura demokratike dhe konform të drejtës ndërkombëtare. Ajo i njeh dhe i ka adoptuar parimet e dokumenteve të OKB dhe po jep kontributin e saj për paqen dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Bazuar në këto parime dhe në interesat tona të ndërsjella, ne kemi ndërtuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet që na rrethojnë, përveç Serbisë, e cila nuk i është përgjigjur dorës sonë të zgjatur.
Republika e Kosovës është gati t'i normalizojë marrëdhëniet, sikur me të gjithë fqinjët edhe me Serbinë, por jo në dëm të integritetit territorial, të sovranitetit dhe të rendit kushtetues të vendit tonë. Ne konsiderojmë që pakica kombëtare shqiptare në Serbi dhe pakica kombëtare serbe në Kosovë, duhet të gëzojnë të drejtat të njëjta kombëtare dhe demokratike, të nivelit evropian e ndërkombëtar dhe të shërbejnë si ura lidhëse e bashkëpunimi midis vendeve tona. Ne kemi hyrë në dialog me Serbinë, duke qenë të bindur se të dyja palët do të përfitojnë prej tij, por mbi të gjitha qytetarët tanë, duke e përmirësuar jetën e tyre të përditshme. Duke qenë ndërmjetësues në këtë dialog Bashkimi Evropian, shpresojmë që do të ushtrohet ndikim pozitiv mbi autoritetet serbe, për të hequr dorë nga strukturat kriminale të instaluara në veri të Kosovës, për t'i hapur rrugë veprimit efikas të institucioneve tona e të EULEX dhe për të bërë të mundur zgjedhjen e përfaqësuesve nga vetë qytetarët atje. Ne besojmë gjithashtu që Bashkimi Evropian, para se të pranojë në gjirin e tij vendet e Ballkanit Perëndimor, të vendos si kusht zgjidhjen e të gjitha problemeve luftënxitëse dhe normalizimin e marrëdhënieve midis tyre, duke pamundësuar bllokimin e njëra-tjetrës në procesin historik të integrimit evropian.
Zonja dhe zotërinj
Objektivi historik i integrimeve euroatlantike të vendit tonë përbën strategjinë madhore dhe fokusin e gjithë veprimeve tona të koordinuara në vitet e ardhshme. Duke qenë një ndërmarrje kaq e madhe dhe komplekse e gjithëpërfshirëse, integrimet euroatlantike presupozojnë vënien në funksion dhe impenjimin e çdo institucioni e qelize shoqërore, angazhimin e të gjithë qytetarëve, rreth një programi kombëtar, në një sistem veprimi të organizuar e të koordinuar institucionalisht, si mënyra e vetme për t'u realizuar aspiratat evropiane të popullit tonë dhe për t'i mposhtur të gjitha vështirësitë objektive dhe subjektive në të cilat ndodhet Kosova. Para nesh është beteja e madhe e zhvillimit ekonomik, e zhdukjes së varfërisë, e zhvillimit demokratik dhe e sundimit të plotë të ligjit e të rendit në çdo pëllëmbë të Kosovës.
Deklarata e Pavarësisë, para pesë vitesh, përcaktoi të ardhmen demokratike dhe evropiane të Kosovës. Liria që kishte fituar Kosova më 1999 duhej institucionalizuar nëpërmjet të instalimit dhe përsosjes së sistemit demokratik, si një proces i vazhdueshëm dhe pambarim. Demokracinë, ne e kemi kuptuar si realizim të lirisë për të gjithë, duke pranuar diversitetin në shoqëri dhe duke respektuar vlerat e interesat e grupeve të ndryshme brenda saj. Proceset demokratike ndërkaq, nuk mund të imagjinohen pa një bazë ekonomike, sepse zhvillimi ekonomik e shoqëror janë në lidhje dialektike me demokracinë.
Ashtu si në të kaluarën, Kosova do të jetë në partneritet të plotë me bashkësinë ndërkombëtare në synimin e saj për një shoqëri dhe shtet demokratik, të anëtarësuar në OKB e në organizmat e tjerë ndërkombëtarë dhe të integruar në Bashkimin Evropian e në NATO. Kosova është në proces të forcimit të sundimit të ligjit dhe në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke pastruar rrugën drejt një shteti të vërtetë ligjor, demokratik dhe të integruar në Evropën e Bashkuar.
Një pengesë serioze për marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian përbën fakti i mosnjohjes së Republikës së Kosovës nga pesë vende të Bashkimit Evropian. Ne presim që edhe këto vende do të reflektojnë për qëndrimet e tyre, duke njohur pavarësinë e Kosovës dhe duke i hapur vendit tonë mundësinë e plotë të marrëdhënieve kontraktuale me BE-në dhe zhvillimin normal të procesit të integrimeve evropiane të tij. Përshëndes në këtë rast Rezolutën e Parlamentit Evropian, të para dhjetë ditëve, me të cilën u bëhet edhe njëherë thirrje këtyre pesë vendeve të BE, ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Fitorja e luftës për vendosjen e rendit dhe ligjit, fitorja e luftës kundër krimit e korrupsionit, është njëkohësisht fitore e luftës kundër varfërisë e papunësisë, sepse vetëm kështu hiqen barrierat e investimeve dhe bizneseve, vetëm kështu hapet perspektiva ekonomike dhe sociale e Kosovës. Ne vazhdimisht e kemi çmuar misionin dhe rolin që ka EULEX në Kosovë, prandaj presim edhe në të ardhmen që me tërë potencialin e tij, në fushat e përgjegjësisë të na ndihmojë kudo në Kosovë, por në mënyrë të veçantë në veri të saj, ku qasja e institucioneve tona aktualisht është e kufizuar.
Zonja dhe zotërinj
Sot në Kosovë do të ndalojë për një çast ora e historisë, e bashkë me të edhe ne, duke qëndruar të përkulur para kujtimit të dëshmorëve të lirisë. Ata janë përfaqësuesit historikë dhe të përjetshëm, shpirtëror e moralë të brezave pa mbarim të kësaj toke të zhuritur. Përpjekjet shekullore të popullit tonë për liri e pavarësi do të realizoheshin vetëm duke u prirë nga vlera dhe virtyte të larta, të mishëruara në shpirtin e prijësve dhe dëshmorëve të Lëvizjes sonë Kombëtare dhe të Luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot është dita e dëshmorëve dhe e lirisë që na sollën me gjakun e tyre, dita e themeluesve e baballarëve të shtetit të Kosovës, në krye me heroin legjendar, komandantin Adem Jashari. Lavdia e tyre, si gjerdan lirie do të stolisë përjetë ballin e Kosovës.
Midis nesh në këtë sallë ndodhen përfaqësues diplomatikë të shumë vendeve mike të Republikës së Kosovës. Populli ynë mirënjohës, kurrë nuk do të harrojë solidaritetin e botës demokratike dhe humane, mbështetjen e pakursyer të miqve tanë të shtrenjtë, në krye me SHBA, BE dhe NATO-n, në çastet më të vështira historike që po kalonte vendi ynë. Gjej këtë rast, që në emër të Kuvendit, qytetarëve që përfaqësojmë dhe timin personalisht, t'u dërgoj përshëndetjet vëllazërore dhe falënderimin e përjetshëm për gjithë mbështetjen dhe miqësinë që na dhanë e po na japin, vende e popuj në katër anët e globit.
Zonja dhe zotërinj
Një popull që diti dhe pati forcë të rezistojë aq gjatë dhe të fitojë mbi errësirën, do të mund edhe të përballojë sfidat e brendshme e të jashtme drejt zhvillimit, përparimit dhe emancipimit e integrimit në familjen e madhe euroatlantike. Shpirti i virtyteve të larta të traditës sonë dhe gërshetimi me vlerat moderne evropiane e botërore do të shpërfaqet me gjithë madhështinë e tij, në Kosovën e re, të lirë dhe demokratike.
Faleminderit.