Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi priti ndihmës presidenten e Republikës Arabe të Egjiptit, znj. Pakinam Hassan Khalil El Sharkawy
E Diel, 17.02.2013
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, duke i uruar mirëseardhje në Kosovë ndihmëspresidentes së Republikës Arabe të Egjiptit, znj. Pakinam Hassan Khalil El Sharkawy, në këtë ditë të shënuar të pesëvjetorit të pavarësisë së vendit, ka vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira kulturore dhe historike ndërmjet dy popujve, të cilat, është shprehur i bindur se do të zgjerohen edhe në sferën politike dhe ekonomike ndërmjet dy vendeve .
Duke shprehur kënaqësinë për këtë vizitë të saj të dytë në Kosovë, pikërisht në pesëvjetorin e pavarësisë, ndihmëspresidentja e Egjiptit, Pakinam Hassan Khalil El Sharkawy , ka theksuar se populli i Kosovës përfaqëson simbolin e lirisë dhe të dinjitetit dhe se Kosova është në zemrën e popullit të Egjiptit. Ajo ka pohuar se Egjipti është në rrugë e sipër për njohjen e Kosovës , duke u shprehur e bindur se shembulli do të ndiqet edhe nga disa vende të tjera arabe. "Egjipti dhe Kosova janë faktor stabiliteti në rajonet e tyre", është shprehur znj. El Sharkawy, duke i vlerësuar edhe filozofinë politike të dy vendeve për zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare nëpërmjet dialogut.
" Na vjen mirë që Egjipti po e kalon me sukses fazën e tranzicionit, pas revolucionit", ka theksuar Krasniqi, duke përkujtuar takimet që ka pasur në Kosovë dhe në Egjipt me udhëheqës institucional dhe politik të Egjiptit, e duke u shprehur i bindur për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe të miqësisë ndërmjet dy popujve të tyre.