Lajmet e fundit
Një delegacion i Kuvendit bëri nderime në varreza dhe pranë përmendoreve të dëshmorëve
E Shtune, 16.02.2013
Me rastin e shënimit të 5-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, një delegacion i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga nënkryetari Xhavit Haliti, krahas udhëheqësve të tjerë institucionalë të vendit, ka bërë sot nderime në varreza dhe pranë përmendoreve të dëshmorëve në qendra të ndryshme të Kosovës.
Nderimet për dëshmorët kanë filluar në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz, me ç'rast nënkryetari Haliti dhe delegacioni që ai e udhëhiqte, ka bërë homazhe dhe ka vendosur kurora lulesh në Varrezat e Dëshmorëve.
Më pas, janë bërë nderime dhe janë vendosur kurora lulesh pranë shtatores së dëshmorit Mujë Krasniqi në Klinë, pranë bustit të dëshmorit Shkëlzen Haradinaj në Pejë, shtatoreve të dëshmorëve Luan Haradinaj e Sali Çekaj në Deçan, në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan, Landovicë dhe Reçak.
Në Prishtinë, delegacioni parlamentar ka bërë nderime dhe ka vendosur kurora lulesh pranë shtatores së dëshmorit Zahir Pajaziti dhe varrit të ish-presidentit Ibrahim Rugova.