Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i nën-komisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Punës

E Mërkure, 13.02.2013




Nën-komisioni për Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga kryetari Armend Zemaj, mbajti sot dëgjim publik lidhur me Projektligjin për deputetët, në të cilin morën pjesë deputetë të legjislaturave të kaluara, përfaqësues të Qeverisë, përfaqësues të Avokatit të Popullit, si dhe atyre të shoqërisë civile.

Fillimisht kryetari i nën-komisionit, Armend Zemaj, sqaroi se është filluar amendamentimi i Projektligjit për Deputetët, duke folur tutje për historinë e këtij ligji nëpër legjislaturat e kaluara. Ai po ashtu përmendi mes tjerash edhe suspendimin e një pjesë të këtij ligji nga Gjykata Kushtetuese.
Zemaj tha se Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka Ligj për Deputetë, ndërkaq ai bëri edhe krahasimin e këtij draft-ligji me ligjin e kaluar. Ligji ka pësuar ndryshime, theksoi Zemaj, duke përmendur beneficionet për deputetet.
Ai tha se në të kaluarën ka pasur edhe lojë shifrash dhe është bërë një rritje e asaj që quhet pension suplementar apo pension i deputetëve, ndërsa përmendi se mosha e pensionimit për deputetë ka qenë mosha 55 vjeçare. Ai tha se në këtë draft-ligj nën-komisioni ka paraparë moshën 60 vjeçare për pensionim dhe se tani e kemi gjetur edhe gjuhën konkrete se kur fillon dhe kur përfundon mandati i deputetit. Tutje, Zemaj shtoi se bazuar në këtë draft-ligj deputetët do ta kenë vetëm imunitetin funksional.
Pasi shpalosi në detaje draft-ligjin për deputetë, Zemaj theksoi se roli i deputetit duhet të jetë sikurse që e kanë deputetët në rajon.
Kryetari i nën-komisionit tha se kanë arritur të kompletojnë edhe historinë e legjislativit në vend, duke filluar nga viti 1990 e deri më tani.
"Të gjithë deputetët e të gjitha legjislaturave duhet të jenë të përfshirë në këtë projektligj", theksoi Zemaj.
Ndërsa, anëtarja e nën-komisionit Albulena Haxhiu, duke paraqitur qëndrimin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje kritikoi pagat e deputetëve, të cilat sipas saj janë të larta, duke pasur parasysh gjendjen ekonomike të qytetarëve të Kosovës, ndërsa këtë fakt ajo e quajti padrejtësi. Duke theksuar se është kundër privilegjeve të deputetëve dhe pensionimit të hershëm të deputetit, Haxhiu tha se mosha e pensionimit të deputetëve duhet të jetë mosha 65 vjeçare, ndërsa shtoi se deputetët e te gjitha legjislaturave duhet të jenë të barabartë në këtë ligj.
Me këtë rast , folën edhe disa nga ish-deputetët, si dhe delegatët e legjislaturave të viteve 90-ta: Selatin Novosella, Ilaz Ramajli, Ramadan Kelmendi, Bujar Gjurgjeala, Mark Krasniqi, etj. Tutje, diskutuan edhe përfaqësues të Lëvizjes Fol, si dhe zëvendës Avokati i Popullit, Basri Berisha.
Delegatët e viteve 90-ta, gjatë diskutimit të tyre insistuan që atyre t'iu mundësohet të gëzojnë të drejtat të barabarta me deputetët e Kuvendit të pasluftës. "Kërkojmë që në këtë ligj të përfshihet edhe legjislatura e vitit 1990 me të gjitha këto të drejta të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës", theksuan ata. Ndërsa, përfaqësues të shoqërisë civile vlerësuan se në ligj duhet të ketë edhe dispozita ndëshkuese gjatë ushtrimit të detyrave të deputetit.
Anëtarët e nën-komisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, theksuan se do të marrin në mënyrë serioze komentet dhe sugjerimet nga diskutuesit, ndërsa presin të marrin edhe vlerësimet e Ministrisë së Financave dhe të Komisionit për Buxhet. Ata theksuan se ky projektligj do të përfundojë në afatin sa më të shkurtër kohor dhe do të procedohet në seancë plenare.

Nga dëgjimi publik i nën-komisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Punës