Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme

E Mërkure, 13.02.2013




Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Albin Kurti, kryetar, ka shqyrtuar përgatitjet për mbajtjen e Tryezës së rrumbullakët rajonale, si dhe për Draft-Rezolutën e Parlamentit Evropian për procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Anëtarët e Komisionit janë pajtuar se duhen intensifikuar kontaktet me komisionet homologe të parlamenteve të vendeve të rajonit, si dhe me përfaqësues të Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian për mbajtjen e kësaj tryeze gjatë muajit prill.

Duke diskutuar lidhur me Draft-Rezolutën e Parlamentit Evropian, e cila ka kaluar në Komisionin për Punë të Jashtme të PE-së, por që ende nuk është publikuar versioni zyrtar, anëtarët e Komisionit janë pajtuar se këtë çështje do të shtrojnë edhe në një herë kur të publikohet versioni zyrtar i Draft-Rezolutës. Ata, këtë rast, kanë shtruar nevojën që para se ajo të kalojë në Parlamentin Evropian, Qeveria e Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe diplomacia parlamentare e vendit tonë duhet të ndikojnë dhe t'i sqarojë europarlamentarët që rezoluta në fjalë ta forcojë pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe t'i forcojë edhe më marrëdhëniet ndërmjet vendit tonë dhe Parlamentit Evropian.

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme