Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...
E Marte, 12.02.2013
Projektligji për transportin rrugor ishte temë e dëgjimit të sotëm publik, të organizuar nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri i Kuvendit të Kosovës. Gjatë debatit, të cilin e kryesoi Teuta Sahatqija, zv/ kryetare e komisionit, fillimisht u fol për rëndësinë që ka miratimi i këtij Projektligji. Ajo i njoftoi të pranishmit se shqyrtimi i këtij projektligji është në fazën ku palët e interesuara mund të japin vërejtjet dhe propozimet konkrete, të cilat do të jenë të dobishme për punën e mëtejme gjatë shqyrtimit të Projektligjit.
Në emër të Ministrisë së Infrastrukturës, si sponsorizuese e këtij projektligji, foli Avdi Kamerolli, drejtor i Departamentit Ligjor. Ky ligj tha ai, krijon kushte për zhvillimin e mirëfilltë të transportit rrugor. Ligji tha në vijim Kamerolli, ka paraparë që operatorët në transportin rrugor të zhvillohen në bazë të konkurrencës, duke bërë gjithashtu ndarjen e kompetencave në mes pushteteve qendrore dhe lokale. Ai, po ashtu njoftoi se projektligji është pjesërisht në përputhje me tri ligjet bazike të BE-së.
Duke shprehur opinionet e veta për këtë Projektligj, përfaqësuesja e Odës Ekonomike të Kosovës, Lumnie Hasani, vlerësoi se nenet kyçe që shkaktojnë barriera në zhvillimin e operatorëve të kësaj fushe duhet të ndryshohen. Ajo me këtë rast përmendi nenin 7.3, 18.4, 43.4 dhe nenin dhjetë.
Përfaqësuesi i Shoqatës së Operatorëve Rrugorë, Jakup Berisha, ndërkaq, iu referua atyre dispozitave të projektligjit që kanë të bëjnë me licencat dhe paragrafëve që e rregullojnë orarin e udhëtimeve. Ai pati vërejtje edhe për faktin se në projektligj nuk është paraparë veprimtaria vetanake e transportit rrugor.
Duke e vlerësuar pozitivisht këtë projektligj, përfaqësuesi i INDEP-it, Darsei Canhasi, vlerësoi se me këtë projektligj është dashur të parashihet ulje e çmimit të biletave për një kategori të veçantë të qytetarëve (invalidët e luftës, studentët, etj.)
Lidhur me këtë projektligj, në vijim folën edhe, përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Shefqet Haliti, pastaj Muhamet Krasniqi, nga kolegji "Tempulli" dhe përfaqësuesi i Aleancës së Bizneseve Albert Maloku, të cilët vunë në dukje nevojën e ndryshimit të atyre dispozitave që rregullojnë sigurinë e udhëtarëve, rendin e udhëtimit, transportin në kushte të jashtëzakonshme dhe kategoritë që duhet liruar nga licencimi (zjarrfikësit, shërbimi policorë, ambulantat etj.). Për këtë projektligj, po ashtu opinionet e shoqatës së " Scoo Taxi", i paraqiti edhe përfaqësuesi i saj, Alban Hasani. Sipas tij, e metë e këtij projektligji është se nuk është paraparë shërbimi i taksive edhe me motoçikleta, ndërkaq, njoftoi se shoqata që ai përfaqëson, në rast se Ligji do t'ia mundësonte ata do të mund të angazhonin më se 35 transportues të tillë.
Lidhur me dispozitën ligjore të projektligjit e cila rregullon marrjen e licencave, foli Sheremet Ahmeti, drejtor i Divizionit të Komunikacionit Rrugor. Ai tërhoqi vërejtjen se pretendentëve që duan të pajisen me licencë për shërbime ne komunikacionin rrugor, paraprakisht duhet bërë verifikimi i së kaluarës së tyre.
Në fund të debatit, anëtarët e komisionit u shprehën të gatshëm për bashkëpunim të mëtutjeshëm me të gjithë faktorët relevant që do të ndikonin në amenadmentimin e një projektligji sa më cilësor të kësaj fushe.