Lajmet e fundit

Haziri dhe Gashi pritën sot në takim zv/drejtorin e përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim në Komisionin Evropian, Joost Korte

E Hënë, 11.02.2013




Kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, si dhe kryetari i Komisionit për Legjislacion, Arben Gashi, u takuan sot me Joost Korte, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim, në Komisionin Evropian.
Temë diskutimi i këtij takimi ishte situata aktuale politike në vend, agjenda evropiane e Kosovës, dialogu i Kosovës me Serbinë, si dhe sundimi i ligjit.

Haziri dhe Gashi pasi njoftuan delegacionin e KE-së lidhur me punën dhe angazhimet e komisioneve parlamentare dhe të Kuvendit, folën edhe për
sfidat me të cilat po përballet Kuvendi gjatë miratimit të ligjeve. Me këtë rast, ata theksuan se dëshirojnë që të ndryshojnë rolin e parlamentit, i cili sipas tyre është i nënvlerësuar.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Arben Gashi, duke folur për procesin e reformës zgjedhore në vend tha se partitë politike dhe institucionet e Kosovës duhet të bashkohen dhe të ndërmarrin hapa për të zhvilluar zgjedhje të pavarura dhe demokratike në vend.
Pas diskutimit që ata patën edhe për Projektligjin për Përgjimin e Telekomunikimeve, si dhe për mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve të bordit, Gashi vlerësoi se roli i parlamentit është i dobët dhe se janë në përpjekje për të ngritur rolin e tyre monitorues.

Ndërsa, kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, tha se kjo çështje qëndron në pozitën e njëjtë. Ai vlerësoi se hezitimi kryesor për luftën kundër këtyre dukurive vjen nga qeveria.
Deputetët vlerësuan se opozita do të vazhdojë të jap kontribut të madh në rrugën drejt integrimeve evropiane, duke shtuar se në këtë çështje partitë opozitare janë të gatshme ta përkrahin qeverinë. Më tej ata diskutuan edhe për reformën në administratën publike dhe shtruan nevojën e evitimit të problemeve me të cilat përballet ky proces.

Ndërsa, zv/drejtori i përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim në Komisionin Evropian, Joost Korte, theksoi se në Kosovë janë shënuar përmirësime, por se ende ka shumë punë për t'u bërë në të ardhmen. Tutje, ai foli për hapat dhe angazhimet që duhet të ndërmarrë Kosova në të ardhmen drejt rrugës së integrimeve evropiane.

Haziri dhe Gashi pritën sot në takim zv/drejtorin e përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim në Komisionin Evropian, Joost Korte