Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim, në Komisionin Evropian, Joost Korte
E Hënë, 11.02.2013
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në takim zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim, në Komisionin Evropian, Joost Korte, me të cilat bisedoi për të arriturat e deritashme të Kosovës në rrugën e integrimeve evropiane, si dhe për hapat e angazhimet që duhet ndërmarrë në të ardhmen.
Kryeparlamentari Krasniqi e informoi z. Korte për punën që Kuvendi ka bërë dhe po bën aktualisht në përmirësimin e infrastrukturës ligjore, sidomos në legjislacionin që ka të bëjë me sundimin e rendit e të ligjit, si dhe integrimet evropiane. Krasniqi tha se Kuvendi ka zbatuar rekomandimet e raporteve të progresit dhe të Studimit të Fizibilitetit, ndërsa sa i përket ligjeve, para miratimit është bërë përafrimi i tyre me standardet evropiane. Kryetari Krasniqi e njoftoi z. Korte edhe me angazhimet për pavarësimin e Kuvendit, si dhe për punën që po bëhet në mbikëqyrjen e ekzekutivit e të institucioneve të tjera.
Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim, në Komisionin Evropian, Joost Korte, nga ana e tij, çmoi punën e Kuvendit dhe foli për veprimet që Kosova duhet ndërmarrë në të ardhmen, në zbatimin e reformave të thella, si parakusht për integrim në Bashkimin Evropian.