Lajmet e fundit

Mbledhja e Kuvendit

E Hënë, 11.02.2013




Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e
pasurisë së përfituar me vepër penale, ishte pikë e parë e rendit të ditës së mbledhjes së sotme të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi. Në emër të komisioneve për Buxhet dhe Financa dhe atij për Legjislacion lidhur me shqyrtimin dhe amendamentimin e këtij Projektligji, folën përkatësisht Safete Hadergjonaj dhe Arben Gashi. Ndërkaq, Albulena Haxhiu nga Grupi parlamentar i Vetëvendosje ishte kundër miratimit të këtij projektligji.

Kryekuvendari Krasniqi kundërshtoi mendimin e shfaqur se ky Projektligj është duke u shqyrtuar me procedurë të shpejtuar. Në vijim Kuvendi me shumicë votash aprovoi Projektligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale.

Në vazhdim Kuvendi shqyrtoi për herë të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-196 për parandalimin e pastrimit të parave dhe parandalimin e financimit të terrorizmit. Lidhur me Projektligjin foli kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hardërgjonaj, e cila theksoi se ky Komison ka shqyrtuar këtë projektligj bashkë me amendamente. Me këtë rast kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga subjekte përkatëse ndërkombëtare. Komisioni, theksoi ajo, ka përkrahur këtë Projektligj. Në emër të Komisionit për Legjislacion për këtë Projektligj foli Arben Gashi.

Deputetët pastaj shqyrtuan Propozim-strategjinë dhe Planin e Veprimit kundër korrupsionit për vitet 2013-2017. Përkitazi me këtë Arben Gashi tha se deri tash nuk ka qenë praktikë që Strategjia të plotësohet në seancë. Në diskutimin e tij Ardian Gjini theksoi se me këtë dokument nuk mund të shkohet përpara në këtë lëmë. Ndërkaq, Arsim Bajrami tha se Strategjia nuk amedamentohet,ajo ose përkrahet , ose hidhet. Strategjia, tha ai, nuk është e përkryer, por përbën një bazë të mirë. Në emër të Grupit Parlamentar të LDK-ës, deputeti Armend Zemaj tha:"Kjo strategji nuk i përmbush kriteret për luftë kundër korrupsionit, ndaj edhe jemi kundër saj". Pas debatit Kuvendi miratoi Propozim-strategjinë dhe Planin e Veprimit kundër korrupsionit për vitet 2013-2017.

Mbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e Kuvendit