Lajmet e fundit

Grupi i Grave Deputete priti ambasadorin gjerman, Peter Blomeyer

E Hënë, 11.02.2013




Kryetarja e Grupit të Grave Deputete, Teuta Sahatqija dhe deputetja Alma Lama pritën sot ambasadorin e Gjermanisë, Peter Blomeyer. Temë diskutimi i këtij takimi ishte gjetja e formave të bashkëpunimit me ambasadën gjermane. Fillimisht kryetarja Sahatqija njoftoi ambasadorin gjerman lidhur me punën e GGD-ës. Me këtë rast ajo tha se deputetet kanë tejkaluar dallimet partiake dhe nacionale dhe po punojnë për çështjet që i bashkojnë siç janë; përfshirja e gruas në vendimmarrje, fuqizimi i gruas, shëndeti etj. Më tej Sahatqija tha se duke parë se një numër i madh i grave janë të prekura nga kanceri i gjirit GGD-ja ka marrë një iniciativë për blerjen e Mamografit Mobil. U theksua se kjo aparaturë do t'iu mundësojë grave anekënd Kosovës në fshatrat me popullatë shqiptare, serbe dhe të gjitha nacionaliteteve që ta bëjnë ekzaminimin i cili do të rezultojë me zbulim të hershëm të shenjave të kësaj sëmundje dhe kjo do të thotë shpëtim i jetëve, theksuan deputetet.

Ndërsa, ambasadori Blomeyer duke falënderuar deputetet për ftesën theksoi se GGD-ja po bënë një punë mjaft të mirë në promovimin e të drejtave të grave. "Jam i lumtur që keni përparim në këtë drejtim" theksoi ai, duke shtuar se projekti i GGD-së për mamograf mobil është në dobi të grave. Megjithatë, theksoi Blomeyer ambasada gjermane nuk do të ketë mundësi ta përkrah këtë projekt, por shtoi ai me kënaqësi do t'iu bëjë thirrje OJQ-ve gjermane që ta përkrahin këtë nismë humane. Blomeyer u interesua edhe për çështje tjera, me theks të veçantë për format e bashkëpunimit rajonal.

 

Grupi i Grave Deputete priti ambasadorin  gjerman, Peter Blomeyer