Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion

E Hënë, 11.02.2013




Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Arben Gashi, u shqyrtua dhe u përkrah Plani i Punës së Komisionit për vitin 2013. Me këtë rast u rekomandua që të merret përsipër edhe nisma për hartimin e Ligjit për aktet normative dhe komisioni të ketë fokus të veçantë edhe në zbatimin e ligjit për gjykatat, si dhe të mbikëqyret zbatimi i Kodit Penal dhe Kodit të procedurës penale.
Anëtarët e komisionit përkrahën edhe propozim amendamentet e grupit punues në Projektligjin për Avokaturën Shtetërore dhe ligjin në tërësi, me disa riformulime në dy amendamente.
Ndërkaq, raporti me amendamente i Komisionit Funksional në Projektligjin nr. 04/L-146 për Agjencinë për menaxhimin e komplekseve memoriale të Kosovës, i kthehet komisionit funksional për rishqyrtim.

Më tej, anëtarët e komisionit përkrahën edhe dy raporte: raportin me amendamente i Komisionit Funksional në Projektligjin nr. 04/L-147 për Ujërat e Kosovës, si dhe raportin me amendamente i Komisionit Funksional në Projektligjin nr. 041L-135 për Veprimtari Kërkimore, Shkencore, Inovacione dhe Teknologji.

Anëtarët e komisionit u njoftuan nga kryetari i komisionit Arben Gashi edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për vazhdimin e masës së përkohshme, që ka të bëjë me Ligjin për Bankat, Institucione Mikrofinanciare dhe Institucione Financiare Jobankare.

Ata diskutuan edhe për Projekt-Rregulloren e Kuvendit të Kosovës, të cilën e prezantoi kryetari i Nën-Komisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Punës, Armend Zemaj. Ai kërkoi që kjo çështje të mos zvarritet më tutje dhe të procedohet në Kryesinë e Kuvendit.
Edhe Projektligji për parandalimin e Pastrimit të Parave dhe parandalimin e Financimit të Terrorizmit, me vërejtje në dy amendamente mori mbështetjen e anëtarëve të komisionit. Po ashtu, përkrahjen e komisionit e mori edhe rekomandimi i Komisionit për Buxhet në
Projektligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale, me ç'rast ishte kërkuar që neni 12 të fshihet.

 

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion