Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti ministrin e Mbrojtjes së Turqisë, z. Ismet Ylmaz
E Premte, 08.02.2013
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës dr. Jakup Krasniqi, priti sot ministrin e Mbrojtjes së Turqisë, z. Ismet Ylmaz.
Zhvillimet aktuale politike dhe ekonomike në vend, ndërtimi i raporteve fqinjësore, si dhe pozita e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ishin temë diskutimi në takimin e sotëm të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi me delegacionin nga Turqia.
Duke iu uruar mirëseardhje delegacionit nga Turqia, kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, fillimisht tha se Kosova ka marrëdhënie të mira me shumicën e vendeve të BE-së si dhe vendet e rajonit. Ai ka përmendur me këtë rast edhe raportet e shkëlqyera që ka Kosova me Turqinë, me theks të veçantë ato parlamentare që ekzistojnë ndërmjet dy shteteve.
Kryeparlamentari Krasniqi tha se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Kosovës duhet të fuqizohen edhe më shumë, nga viti në vit.
Me këtë rast Krasniqi, shtoi se Turqia ka mbështetur në vazhdimësi Kosovën, duke vënë në pah edhe përkushtimin në rrugën drejt Pavarësisë së Kosovës, si dhe për angazhimin e këtij vendi drejt njohjeve të Kosovës si shtet. Ndërkaq, sa i përket raporteve të Kosovës me vendet fqinje, kryeparlamentari Krasniqi tha se Kosova ka marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e rajonit, përveç Serbisë, ndërkaq shtoi se Serbia nuk po mund të shkëputet nga e kaluara. "Shpresojmë se BE-ja do të bëjë presion pozitiv për të ndryshuar politikën e Serbisë, në mënyrë që ata të jenë të detyruar të ndjekin rrugën e bashkëpunimit, " theksoi Krasniqi.
Krasniqi duke folur edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës, theksoi se vendi ynë është duke e ndërtuar ushtrinë e ardhshme të Kosovës, andaj theksoi ai, kemi nevojë për ndihmë dhe mbështetje në këtë proces.
Ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Ismet Ylmaz, duke falënderuar kreun e Kuvendit për mikëpritje tha se Turqia do ta përkrah në vazhdimësi Kosovën, duke përmendur me këtë rast angazhimin e këtij vendi në rrugën drejt njohjes së Kosovës shtet. Ministri Ylmaz tha se shkalla e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Turqisë do të rritet edhe më shumë në të ardhmen duke theksuar se vendi i tij e përkrah anëtarësimin e Kosovës në BE dhe në NATO.