Lajmet e fundit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

E Premte, 08.02.2013




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar, në të cilën morën pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, ka vendosur që Kuvendi të mblidhet të hënën, më 11 shkurt, në mbledhje plenare, në të cilën do të shqyrtohen tri pika të rendit të ditës. Gjatë kësaj mbledhjeje, të thirrur me kërkesë të Grupit Parlamentar të PDK-së, do të shqyrtohet për herë të dytë Projektligji për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe parandalimin e financimit të terrorizmit, si dhe Propozim-strategjia dhe Plani i Veprimit kundër korrupsionit për vitet 2013-2017.

Në pajtim me shefat e grupeve parlamentare, Kryesia u dakordua që mbledhja e planifikuar për ditën e djeshme, të mbahet të enjten, më 14 shkurt, e plotësuar edhe me tri pika shtesë të rendit të ditës: Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Agjencinë e Regjistrimit Civil, debat parlamentar sipas kërkesës së deputetit Bekim Haxhiu, mbështetur edhe nga 19 deputetë të tjerë lidhur me gjendjen e sportit të Kosovës, si dhe shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Ndërkaq, seanca për shqyrtimin e rekomandimit të Komisionit për zgjedhjen e një anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, e ndërprerë po ashtu gjatë ditës së djeshme, do të vazhdohet më 21 shkurt.

Në këtë mbledhje Kryesia u njoftua edhe për përgatitjet për shënimin e 5-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

 

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit