Lajmet e fundit
Kryetarja e GDR-së Ganimete Musliu priti sot përfaqësues të Shoqatës Kosovare të Shurdhmemecëve
E Premte, 08.02.2013
Kryetarja e Grupit të Deputetëve të Rinj të Kuvendit të Kosovës, Ganimete Musliu, priti sot përfaqësues të Shoqatës Kosovare të Shurdhmemecëve.
Ajo me këtë rast i njoftoi ata me punën që Grupi i Deputetëve të Rinj bën për të mirën e rinisë, ku me theks të veçantë foli për angazhimet e tyre për tu dalë në ndihmë të rinjve me aftësi të kufizuara.
Duke shprehur kënaqësinë që të rinjtë e komunitetit të shurdhmemecëve janë të organizuar tashmë edhe në shoqatë, ajo i siguroi ata për përkrahjen e saj dhe të Grupit të Deputetëve të Rinj edhe në të ardhmen. Kryetarja Musliu u premtoi se do jetë zë i tyre në Parlament dhe që në seancë plenare do ngritë çështjet dhe problemet që përballet komuniteti i shurdhmemecëve në Kosovë.
Përfaqësuesi i shoqatës së shurdhmemecëve, Faton Barduzi, ndërkaq, e njoftoi atë me problemet dhe sfidat me të cilat përballen ata. Ai, po ashtu foli edhe për objektivat e komunitetit të shurdhmemecëve dhe përpjekjet e tyre për ngritjen e kapaciteteve të anëtarëve të shoqatës. Përfaqësuesi i kësaj shoqate, kërkoi përkrahje edhe më të madhe nga institucionet vendore, sepse tha ai, momentalisht përkrahjen e kanë vetëm nga Ministria e Punëve të Jashtme e Finlandës.
Hulumtuesi i gjuhës së shenjave në këtë shoqatë, Nebi Cakaj, vuri në spikamë përkrahjen e pamjaftueshme të medieve vendore. Ai me këtë rast vuri në dukje nevojën që edhe në Kuvendi të ketë interpretues të gjuhës së shenjave. Komuniteti i shurdhmemecëve, tha Cakaj, duhet të jetë në dijeni me ngjarjet e rëndësishme që ndodhin në vend.