Lajmet e fundit
GGD- ja dhe UNKT-ja organizuan debat me temën: Të ndërtojmë të ardhmen vizioni Kosova 2015
E Enjte, 07.02.2013
Organizuar nga UNKT-ja sot u mbajt debat me temën: "Të ndërtojmë të ardhmen, vizioni Kosova 2015". Në këtë takim u diskutua për, objektivat e zhvillimit të mileniumit (OZHM) dhe rolin e Kosovës në përmbushjen e këtyre objektivave. Takimin e hapi znj. Osnat Lubrani, udhëheqëse e UNDP-së. Ajo me këtë rast tha: " Ne e kemi shtyrë Kosovën të jetë pjesë e 52 vendeve që janë pjesëmarrëse OZHM-së". Ajo, po ashtu tha se Zyra Gjenerale e OKB-së ka përfshirë Grupin e Grave Deputete të Kosovës në këto Objektiva. Ju, tha në vijim Lubran, keni rastin t'i paraqitni synimet tuaja dhe të kontribuoni në hartimin e objektivave Globale. Duke iu drejtuar GGD-së, ajo po ashtu nënvizoi se ato kanë mundësi të kontribuojnë që raporti për Kosovën i cili do të dërgohet në OKB të jetë pozitivë. "Ju duhet të tregoni se çfarë dëshiron populli i Kosovës në te ardhmen, të bëni konsultime si në nivelin lokal , ashtu edhe qendrorë" tha Lubran.
Kryetarja e GGD-së, Teuta Sahatqija, falënderoi znj. Lubran për angazhimin e sajë që edhe Kosova të përfshihet në agjendën për arritjen e objektivave të mileniumit. GGD synon në zvogëlimin e varfërisë, analfabetizmit, vdekshmërisë së foshnjave, sëmundjeve ngjitëse, etj. dhe mund të them se ka zhvillime por duhet bërë akoma më shumë, tha Sahatqija. Kryetarja, Sahatqija, në vijim vuri në dukje rëndësinë e aprovimit të rezolutës së Prishtinës nga Parlamenti, e cila parasheh që deri në 2050 të arrihet përfaqësimi gjinor 50% me 50% në të gjithë sektorë dhe në të gjitha nivelet. Kjo, tha në vijim ajo, le të shërbej si kontribut drejt përmbushjes së objektivit të tretë të mileniumit dhe motivim që edhe vendet e tjera ta bëjnë këtë. Kurse si kërkesë, nga GGD-ja, ajo paraqiti përmbushjen e objektivit të tetë të mileniumit që Kosovës t'i mundësohet liria e lëvizjes.
Deputetja Aurora Bakalli ngriti çështjen e shëndetit, veçanërisht të foshnjave dhe grave si dhe nevojën e ngritjes së cilësisë së arsimit. Kurse deputetja Lirie Kajtazi, foli për çështjen e resurseve dhe shfrytëzimit të përgjegjshëm të tyre.
Znj. Nora Sahatqija nga UNKT-ja, ndërkaq njoftoi se kanë bërë hulumtime, ku fatkeqësisht Kosova është vendi më i varfër i regjionit dhe detyrë e jona është t'i identifikojmë, definojmë dhe të përpiqemi të gjemë zgjidhje të problemeve të shumta që ka Kosova.