Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Arsim,Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media

E Mërkure, 06.02.2013




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, të kryesuar nga Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit, u shqyrtua Projektligji për ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve "Shota" dhe për ansamblet e tjera 04/ L -164, në të cilën mori pjesë edhe ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Memli Krasniqi, si dhe udhëheqja e ansamblit "Shota".

Projektligji tashmë ka kaluar në lexim të parë, ndaj anëtarët e Komisionit u përqendruan në amendamentimin e tij, duke e shqyrtuar nen për nen, bazuar në praktikat e deritashme të ligjit ekzistues dhe të përvojave më të mira nga bota. Si në fjalën e ministrit Krasniqi, ashtu edhe të diskutuesve, u tha se Projektligji është shumë më i mirë se ligji ekzistues dhe më funksional. Diskutuesit i kushtuan vëmendje edhe çështjes së krijimit të bazës sa më të avancuar ligjore të krijimit të kushteve për kultivimin e krijimtarive të veçanta muzikore e skenike, duke përmendur me këtë rast, sidomos ansamblin "Rugova". Po kështu, një kujdes më i madh duhet t' i kushtohet nxitjes së të rinjve për t' u anëtarësuar në ansamble kulturore, si në shkallë vendi, ashtu edhe në komuna, u theksua me këtë rast.

Pas shqyrtimit të amendamenteve Komisioni i përkrahu ato dhe njëkohësisht procedoi Projektligjin në shqyrtim të mëtejmë në Kuvend.

Në vijim Komisioni shqyrtoi përfundimin e Kryesisë nga një mbledhje e mëparshme, sipas të cilit ngarkohet Komisioni për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media,si komision funksional,që të shqyrtojë çështjen e zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të RTK-ës dhe nëpërmjet Kryesisë, t' ia paraqesë Raportin Kuvendit të Kosovës. Gjatë shqyrtimit u tha se ky komision nuk është kompetent për të interpretuar ligjin.

 

Mbledhja e Komisionit për Arsim,Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media